Institucionet mungesë informacioni zyrtar për procesin e mbikëqyrjes dhe listat e votuesve

484
Sigal

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë: Zgjedhjet janë afër, ende shumë probleme që nuk presin!

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë në vazhdimësi të monitorimit të përgatitjes së infrastrukturës parazgjedhore,ka konstatuar se institucionet kanë mungesë informacioni zyrtar lidhur me procesin e mbikëqyrjes dhe të përgatitjes së listave të votuesve. Gjatë procesit të përgatitjes së Listave të Votuesve për Zgjedhjet Vendore të 21 Qershorit 2015, vëzhguesit kanë ngritur shqetësime lidhur me këtë proces, duke kërkuar plotësimin e detyrimeve nga Ministria e Brendshme, Kryetarët e Njësive të Qeverisjes Vendore dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kështu KVV ka kërkuar nga institucionet e lartë përmendura publikimin në mënyrë periodike i listave paraprake të përditësuara në datat 14 Janar, 13 Shkurt, 15 Mars dhe 14 Prill 2015 deri në shpalljen e listës përfundimtare prej Gjendjes Civile në datën 11 Maj 2015. Shpallja të bëhet në faqen e internetit të KQZ-së dhe të Ministrisë së Brendshme si dhe në ambientet publike pranë çdo Zyre të Gjendjes Civile. Gjithashtu KVV kërkon njoftimin e çdo zgjedhësi që banon në territorin e njësisë vendore, në periudhën nga data 14 Janar deri më datën 15 Mars 2015. Në deklaratë më tej thuhet se në procesin e saktësimit dhe përgatitjes së listave rol vendimtar kanë vetë zgjedhësit, të cilëve ligji iu siguron vënien në dijeni nëse figurojnë në lista si dhe mundësinë e ankimimit për të saktësuar apo korrigjuar të dhënat e tyre në këto lista. Pas datës 11 Maj 2015, nëse zgjedhësit vërejnë se kanë pasaktësi në të dhënat e tyre apo nuk figurojnë fare në lista, atëherë ata duhet t’i drejtohet gjykatës deri më datën 19 qershor 2015, në të kundërt ata e humbasin të drejtën e tyre për të votuar. Koalicioni shpreh shqetësimin e tij se ky proces nuk po zhvillohet sipas kërkesave të Kodit Zgjedhor dhe, për më tepër, pritshmërinë në këtë drejtim nuk janë aspak premtuese. Data 13 Shkurt 2015 ishte afati i shpalljes së ekstraktit të dytë të përbërësve zgjedhorë. Procesin e publikimit të këtyre listave Koalicioni po e monitoron në vazhdimësi në terren si dhe duke kontaktuar me drejtues të ndryshëm të Njësive të Qeverisjes Vendore si dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile .Ekstrakti i dytë i gjeneruar nga RKGJC më datë 06.02.2015, në një pjesë të mirë të NJQV-ve të monitoruara u publikua në kohë dhe konform detyrimit të përcaktuar në Kodin Zgjedhor. Ndërkohë, një pjesë e Njësive të Qeverisjes Vendore nuk i shpalli këto lista në afatin e kërkuar nga ligji, madje disa prej tyre vazhdojnë ende mos t’i kenë shpallur. Koalicioni shpreh shqetësimin se në asnjë Njësi të Qeverisjes Vendore nuk ka nisur njoftimi me shkrim i zgjedhësve, pavarësisht pasaktësive që mbart udhëzimi i miratuar prej MB. Për më tepër shqetësues është fakti se në një pjesë të konsiderueshme të NJQV-ve është deklaruar se ky proces do të nisë në muajin Mars, pikërisht atëherë kur ky proces duhet të mbarojë dhe kur nuk ka asnjë akt ligjor në fuqi që ta legjitimojë dhe ta udhëzojë. Një tjetër shqetësim i konstatuar nga KVV është edhe mungesa e të dhënave zyrtare lidhur me ecurinë e këtij procesi.

Nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga Ministria e Brendshme lidhur me numrin e rekordeve të dubluar apo të dyshuar si të dubluar, apo lidhur me numrin e rekordeve të personave me pjesë të adresës zgjedhore të paidentifikuar (kodi i banesës i panjohur brenda një qendre votimi të caktuar). Nga kontaktet e marra me RKGJC, deklarohet se ky numër është shumë më i ulët se në zgjedhjet e mëparshme, por nuk ka një shifër të saktë zyrtare. Emërimi i vonuar i dy auditëve teknicienë më datën 18 Shkurt 2015 prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, bëri që kjo fazë e procesit të ngelë jashtë monitorimit të tyre, e veçanërisht lëvizjet dhe ndryshimet e bëra në bazën e të dhënave të RKGJC. Akoma më shqetësues është fakti i qëndrimit indiferent të KQZ-së ndaj ecurisë së këtij procesi. Në këtë situatë dhe për kohën e mbetur në dispozicion, për të përmbushur sa të jetë e mundur kërkesat dhe detyrimet e parashikuara në Kodin Zgjedhor lidhur me sigurimin e patjetërsueshëm të së drejtës së qytetarëve për të votuar, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë i kërkon në mënyrë urgjente Ministrisë së Brendshme, të publikojë zyrtarisht dhe në mënyrë periodike,të dhëna të përditësuara në lidhje me ecurinë e procesit të saktësimit dhe publikimit të listave,të dhëna të përditësuara në lidhje me rekordet e dubluara dhe ato të dyshuara si të dubluara, si dhe të dhëna të përditësuara mbi numrin e rekordeve të personave me pjesë të adresës zgjedhore të paidentifikuar. Duke qenë se nuk i kaluar fond të posaçëm NJQV-ve për njoftimin me shkrim të zgjedhësve, të gjejë mënyra alternative për të njoftuar publikisht qytetarët për të verifikuar të dhënat e tyre në listat e shpallura apo në faqen e internetit, si dhe mbi mënyrat për të adresuar pasaktësitë e vërejtura .Gjithashtu të ngarkojë në çdo Zyrë të Gjendjes Civile një punonjës i cili të ketë akses në listën e zgjedhësve si dhe të ketë për detyrë informimin e qytetarëve të interesuar për përfshirjen apo jo të tyre në listat e votuesve. Ndërsa Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të kuptojë siç duhet dhe të ushtrojë autoritetin e dhënë nga ligji si vëzhgues dhe mbikëqyrës i procesit të përgatitjes së listave dhe të institucioneve që janë të ngarkuara për realizimin e këtij procesi. Të rimarrë në shqyrtim aktet e veta për të udhëzuar dhe orientuar metodologjikisht auditët teknicienë në mënyrë që të gjykojë lehtësisht dhe me qasje krahasuese të dhënat dhe raportet që ata do të paraqesin përpara saj. Po ashtu të vihet në lëvizje dhe të kontaktojë zyrtarisht me Ministrinë e Brendshme për të bërë të mundur përmbushjen e detyrimit ligjor për njoftimin dhe nxitjen e qytetarëve për të kontrolluar saktësinë e të dhënave të tyre në listat e votimit.