Mesila Doda: Nëse nuk dënohet krimi i djeshëm politik, politika nuk largohet dot nga krimi i sotëm ordiner

422
Sigal

Qeveria, përmes ministrisë së Mirëqenies Sociale,  ka depozituar në Kuvend një projektligj për hapjen e dosjeve, i cili do të diskutohet në komisionet përkatëse parlamentare, së shpejti (qeveria paralajmëroi për këtë javë, por nuk u realizua), kur ndërkohë, më para është depozituar nga deputetët Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi, një projektligj nga Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut dhe i mbështetur nga Studentët e Dhjetorit. Gazeta “Telegraf” interviston iniciatoren, deputeten Mesila Doda, për të mësuar se cili është ndryshimi i këtyre 2 projektligjeve. Zonja Doda, shpjegon se p/ligji që kanë dorëzuar ata, ka edhe ligjin e Lustracionit, ndërsa qeveria nuk e përmban këtë ligj, sepse siç pohon zonja Doda, projektligji i ministrit Veliaj, kërkon “të mbrojë shërbëtorët e sistemit të djeshëm komunist dhe individët që i shërbejnë sot në maxhorancë dhe t’i shantazhojë duke i tundur para hundës dosjet e aktiviteteve të tyre, të cilat “shefi” do ja bëjë më dije publikut dhe i pezullon nga detyra, i mban të kyçura dhe shantazhon këdo nga frymorët, që nuk do i binden”. Ndaj zonja Doda pohon në intervistën për “Telegraf: se “Unë nuk besoj se mund të kemi një largim të politikës nga krimi i sotëm ordiner, pa dënuar dhe pa u ndarë njëherë e mirë nga krimi i djeshëm politik”.

-Zonja Doda, përse qeveria nuk sjell një projektligj të Lustracionit, por vetëm atë të hapjes së dosjeve?

– Projektligji i hapjes së dosjeve, i sjellë nga qeveria është një projekt gjysmak, për të bërë zhurmë dhe për të krijuar tollovi rreth procesit të dosjeve, por do lërë të paprekur e të pacenuar përgjegjësit dhe aktorët kryesorë të sistemit që ende janë në pozicione drejtuese ne ekzekutiv, legjislativ e në drejtësi. Shpjegimi dhe synimi i një vrapi për të depozituar një draft paralel për ligjin e dosjeve është një dhe vetëm një: të mbrojë shërbëtorët e sistemit të djeshëm komunist dhe individët që i shërbejnë sot në maxhorancë dhe t’i shantazhojë duke i tundur para hundës dosjet e aktiviteteve të tyre, të cilat “shefi” do ja bëjë më dije publikut dhe i pezullon nga detyra, i mban të kyçura dhe shantazhon këdo nga frymorët, që nuk do i binden.

–  Ku ndryshon p/ligji që ju keni depozituar në Kuvend bashkë me zotin Idrizi, nga p/ligji që ka sjellë në Kuvend, Qeveria?

– Ndryshimi është thelbësor. Ligji i përgatitur nga Grupi Shqiptar i të Drejtave te Njeriut dhe i mbështetur nga Studentët e Dhjetorit dhe në cilësinë e të qenit pjesë e tyre, kemi mbështetur këtë ligj edhe unë edhe zoti Idrizi, ka në thelbin e tij procesin e hapjes së dosjeve, por edhe Lustracionit, pra largimit të personave të inkriminuar nga detyrat shtetërore, proces i cili mungon në p/ligjin e sjellë nga qeveria.

– Përse ju shprehni që në fillim dyshimet tuaja, se qeveria me projektligjin e saj për hapjen e dosjeve dhe nuk ka sinqeritet politik dhe pse ai draft i qeverisë nuk do të përmbushë misionin që duhet?

– Siç ju thashë edhe më sipër, nuk ka proces “transparent” pa hapje dosjesh dhe përgjegjësi që marrin mëkatarët, pra pa lustracion. Dhe kur them marrje përgjegjësish, e kam fjalën jo vetëm që t’i nxirret boja “fuksëve” të vegjël 80 lekësha të lagjes, proces ku druaj se do përfundojë ligji  perde i qeverise, por besoj se duhet të jetë një proces total, i hapur dhe pse jo të shkojë edhe përtej propozimeve, që kanë ardhur nga shoqëria civile.

– Në këtë projektligj të qeverisë, përse deputetët nuk preken nga përjashtimi i ushtrimit të detyrave publike, edhe nëse kanë qenë me detyra të larta në nomenklaturën komuniste, apo edhe punonjës dhe drejtues të Sigurimit të Shtetit?

– Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese ,që lejon zgjedhjen dhe mundësinë për t’u zgjedhur të gjithkujt, por askush nuk ndalon kërkesën e partive politike, apo koalicioneve për të kërkuar hapjet e dosjes së aktivitetit të gjithkujt, që ka qenë pjesë e sistemit, i përfshirë në krimet e regjimit të kaluar. Kjo, në fakt, është edhe pika më e rëndësishme, ku ka ngecur sot ekzekutivi, për sa kohë që skifterët e partisë e kërcënojnë gjithë procesin e hapjes së dosjeve dhe lustracionit. Zgjidhja është kërkuar të bëhet një gjysmagjel, hapje dosjesh e pjesshme, lustracion pa lustracion dhe skifterët e partisë janë të lumtur e të fuqishëm në qiellin e politikës shqiptare.

– A mundet që një ligj i Lustracionit, nëse do të zbatohet në Shqipëri, do të prekë persona, që sot kanë në dorë dhe ndikim të drejtpërdrejtë edhe në vendimmarrje?

– Patjetër që do prekë, janë tashmë evidente rastet, që shtohen përditë të mëkatarëve të djeshëm, që sot janë dinjitarë të shtetit dhe politikës. Kjo është një dukuri, që duhet të marrë fund. Shqipëria tashmë ka një potencial njerëzor tërësisht të aftë dhe të përgatitur përgjatë viteve të lirisë, që mund dhe do të zëvendësojnë suksesshëm trashëgiminë njerëzore difektoze të së kaluarës. Ka qindra magjistratë të rinj, të talentuar e idealistë, që janë në cepat e humbur të vendit, ndërsa stekat e vjetra të kohës së Aranit Çelës janë endë në kokën drejtuese të këtij pushteti.

– Sa mundësi ka që ky ligj i Lustracionit të shërbejë si një instrument politik, për një spastrim në administratën publike, por edhe në politikë, ndaj kundërshtarëve politikë?

– Ligji, që ne kemi paraqitur, jep garancitë e krijimit të një trupe të pavarur, që do gjykojë rast pas rasti aktivitetin e gjithkujt. Nuk është një ligj që dënon gjithë personat e përfshirë në kategoritë në të cilat vepron, por shikohet dhe vlerësohet aktiviteti i gjithkujt. Një këshill i përbërë nga përfaqësues të maxhorancës, opozitës, të persekutuarve politikë dhe shoqërisë civile, vlerëson aktivitetin në bazë të gjithë të dhënave që ka në dispozicion.

Nuk ka proces “transparent” pa hapje dosjesh dhe përgjegjësi, që marrin mëkatarët, pra pa lustracion

– Dekriminalizimi i politikës, a mund të bëhet pa u zbatuar ligji i Lustracionit?

– Unë nuk besoj se mund të kemi një largim të politikës nga krimi i sotëm ordiner, pa dënuar dhe pa u ndarë njëherë e mirë nga krimi i djeshëm politik. Është jetike për vendin të mos mbetet në kapërcyell mes të kaluarës dhe të ardhmes, është kusht mbijetese për sistemin të zhdukë njëherë e mirë mentalitetin komunist e autoritarist, që po i zen frymën politikës, shtetit dhe drejtësisë. Ndryshe, do vazhdojmë të zhytemi më tej në paligjshmëri, në autoritarizëm, në krim, në një vend pa të ardhme.

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA