Inspektorët fals, rrjepin pronarët e lavazhove dhe minierave të gurit, duke i kërkuar nga 500 euro për mungesat e licencave

550
Sigal

 Persona të prezantuar si inspektorë të Drejtorisë së Mjedisit, mashtrojnë firmat private duke i afruar lehtësira në këmbim të pagesave nën dorë

Kanë shkuar për të kontrolluar minierat e gurit dhe lavazhot, duke marrë para, për të mbyllur gojën. Disa falsifikatorë të maskuar si specialistë të Drejtorisë Rajonale të Mjedisit, kanë realizuar me sukses mashtrimin e tyre me firmat private, nën hundën e inspektorëve të shtetit që duken se flenë gjumë. U kanë kërkuar dokumentet pronarëve të guroreve apo lavazheve dhe kanë marrë ryshfet nën dorë për të mbyllur problemin. Pra, një skemë e njëjtë me atë që bëjnë inspektorët e vërtetë karshi shkelësve ligjorë, të cilët paguajnë nën dorë për të mos pasur telashe. Por këtë radhë, falsifikatorët kanë përfituar edhe nga një aksion i mëparshëm i Drejtorisë rajonale të Mjedisit, duke u hequr si persona të së njëjtës drejtori. Ajo që ka ndodhur me pseudo-kontrollorët e minierave të gurit dhe lavazhove ua kalon të gjitha komedive që janë shkruar në 20 vjetët e fundit, që nga “Revizori” i Gogolit, “Vizita e Inspektorit” e deri te “Karriera e zotit Maksut”, i Qamil Buxhelit. Por nëse komeditë teatrore janë për të qeshur, përkundrazi, historia që ka ndodhur në  Poliçan, është për të qarë dhe për t’u menduar. Sepse kjo histori tregoi se sa e papërgatitur është shoqëria dhe shteti shqiptar, përballë falsifikatorëve, që hiqen si zyrtarë të shtetit.

Njoftimi

Burime nga Drejtoria Rajonale e Mjedisit, bëjnë të ditur për gazetën “Telegraf” se, persona të panjohur që nuk janë punonjës të kësaj drejtorie, janë paraqitur në firmat e minierave të gurit e në disa lavazho dhe në emër të Drejtorisë së Mjedisit, i’u kanë kërkuar licencat që vërtetonin kryerjen e aktivitetit. Ky veprim ka nisur fill pas kontrollit të zhvilluar disa ditë më parë nga inspektorët e Drejtorisë së Mjedisit. Burime zyrtare të kësaj drejtorie bëjnë të ditur se, persona ende të paidentifikuar i’u kanë kërkuar pronarëve licencat, por duke qenë se ata nuk i kanë pasur, inspektorët e rremë i kanë kërcënuar me gjoba, pronarët për të mos marr një gjobë të dytë, u kanë dhënë atyre lek. Sipas kësaj drejtorie, pas aksionit të fundit që patën, ka rezultuar se shumica e këtyre pronarëve janë paraqitur për të nxjerrë licencat, por këtë fakt e kanë shfrytëzuar disa persona që meqenëse nuk kanë licencat, pronarët t’u jepnin ryshfete, për t’i shpëtuar gjobave. Burime nga kjo drejtori bëjnë të ditur ende nuk dihet se, sa pronarë lavazhoje për mungesë të licencave mund të kenë dhënë ryshfet. Ky veprim ka alarmuar punonjësit e kësaj drejtorie, e cila në fillim ka kërkuar nga pronarët e lavazhove nëse iu është dhënë ndonjë gjobë. Kjo për të verifikuar se këta persona nuk kanë qenë punonjësit e kësaj drejtorie, por persona të rremë, të cilët kanë përfituar nga situata. Inspektorët e kësaj drejtorie, u shprehën për gazetën se, “jemi duke verifikuar situatën e krijuar, ku persona të paidentifikuar kërkojnë të abuzojnë në emër të Drejtorisë së Mjedisit”.

Rasti i verifikuar në Poliçan

Një rast i verifikuar ka ndodhur në një lavazho në qytetin e Poliçanit, ku dy persona në emër të inspektorëve të mjedisit i kanë kërkuar licencën pronarit. Por ata nuk ja kanë arritur dot qëllimit, sepse aty pranë ndodhej një punonjësi i bashkisë, të cilin këta persona e kishin njohur dhe menjëherë, ishin larguar. Burime nga Drejtoria Rajonale e Mjedisit, bëjnë të ditur për gazetën se, ndodhen në dilemë të madhe, pasi nuk dihet se sa gjoba mund të kenë vendosur ata në Qarkun e Beratit, në emrin e drejtorisë. Por të gjithë ata që kanë rënë preh e tyre të shkojnë pranë kësaj drejtorie dhe të denoncojnë rastet. Gjithsesi, inspektorët po punojnë për të zbardhur të vërtetën duke pyetur dhe pronarët e lavazhove dhe të firmave të minierave, të cilat janë vënë në shënjestër të matrapazëve.