“Hyri prilli, shkriu bora majave…”

993
Nga Kozma GJINI

Fejton 

…Në vitet gjashtëdhjetë e kusur, sportisti i famshëm i “Traktorit” i shënoi një gol skuadrës kundërshtare me by… Po, more, po! Doemos e penalizuan për disa ndeshje, po ç’rëndësi ka? Ai hyri në histori. Thonë se që atë kohë punët këtu kanë ecur zvarrë-zvarrë…thënë ndryshe…me by… Edhe pse hyri prilli e po shkrin bora majave…,sërish uji na mbeti në derë e hajdutët po lundrojnë me varka nga një bankë në tjetrën e nga një shtëpi në tjetrën. Kurse ti mbete i izoluar me bardhësi ngricash, o miku i lavdëruar i satirës, Hyskë Borobojka. Premtimin: Në mos ardhsha nga shkurti, pritmë nga marsi, për “Festën e ujit”… e mori lumi. Vit për vit një avaz kemi ne…uji sot e uji mot. Një gjë s’po marrim vesh: Kush po na e fut ujin poshtë rrogozit? Nga njëra anë, them më mirë që nuk erdhe në festë, se do të më bëje lanet me ato që më panë sytë. Jo…se u ngrit ndonjë dolli e tipit: “Kurse un’ sot në gëzimin tuj/po e ngre të mbushur me ujë”! Jo, jo! Më keq, vëlla, më keq. Krimbi ka hyrë në familje dhe po u moleps qeliza e jetës, shkoi e vate vatani. Dëshiron të ta përshkruaj që të shuaç kureshtjen?… Atë ditë, në festën e largimit të ujërave…mbesat më veshën e ngjeshën me rrobat më të mira dhe më çuan të drekonim në lokalin “Lakuriqi”. Tavolinat ishin shtruar plot me meze e uiski. Kur njerëzit po nxirrnin mbroçkulla nga goja, kuptohej që ishin bërë çakërrqejf. Pija të hardallos trurin më shumë se droga. Doli në skenë mbesa e parë nga gruaja e dytë dhe mori një këngë për të përshëndetur gjyshin. Gjysh mavria, thuaj… gjej vrimë e futu! Po ç’këngë qe ajo, more Hyskë vëllai. Një këngë turpi… Po, more po, ashtu thoshte: “…se e kam by… e mirë”! E ke dëgjuar zotrote? Po ç’këngë tërheqëse paskësh qenë, more mik! Ndërsa kisha zënë veshët me pambuk e s’gjeja vend ku të strukesha poshtë tavolinës, rinia kishte braktisur lugë e pirunj dhe kishte dalë në fushë të betejës…Hidheshin e përdridheshin si të hardallosur në skenë dhe si në kor ulërinin: “…se e kam by… e mirë!” Ua! ua! ua! Kaq shumë u kishte pëlqyer…ajo…, kënga domethënë, sa po zbërthenin zinxhirët e po këputnin komçat duke kërcyer. Kur mbaroi kënga, m’u afrua mbesa e më kapi për supi: “Ç’bën aty poshtë tavolinës, o gjysh?”. S’dija ç’t’i thosha.“Po lidh gjalmin e opingës! Po, ç’qe ajo palo këngë…moj mbeskë?” Ajo qeshi me të madhe sikur të shkrihej nga kënaqësia. Ku marrim vesh ne nga muzika! Isha gati të plasja nga inati, po ajo ma bleu mendjen dhe doli me krahëmarrje. Më përqafoi e më puthi mbllaq e mbllaq. “Lëri furçat! i thashë, po përgjigju, ç’qe ajo e flamosur këngë?”. “Po, këngë, o gjyshi, kënga jonë e preferuar. Të gjithë e këndojnë” .“Le ta këndojë, kush të dojë…ti mos e këndo. More vesh? Mora thuaj!”. “Dale, dale, s’ke parë gjë akoma, -tha ajo me gjuhën e politikës”. Desha s’desha, fillova të zbrazja inatin te gota e rakisë. Pa u ngrit e doli në skenë mbeska e dytë me gruan e tretë: “Përshëndes gjyshin me këngën e Rita…” -tha ajo dhe unë zgjata veshët e shqeva sytë, se po ma sillnin lakuriq mbesën. Po zbërthehej! M’u duk sikur kishte nevoja fiziologjike çupa dhe u afrova te skena e i fola ngadalë: “Këtej, moj çupkë…! Këtej…tualeti!” E, mirë, ore mirë! S’ishte kthyer fare nga ajo anë ajo. Hoqi një rrobë, të dytën, të tretën… Boboooo! i paska marrë pija trurin, thashë me vete, kur pashë se mbeti me cipëzën e neylonit sipër lëkurës, ku i dukeshin naaa…takëmet e sipërme dhe të poshtmet…Sa mbulohet dielli me shoshë, mbulonte neyloni sekretet e saj. Ajo dridhte trupin si ngjala pas kashtës, unë i ziu dridhesha poshtë tavolinës. “Naaa…moj mbesë!” -thirra sërish. “Vishu të keqen gjyshi, se do të ftohesh e të zë pizga.” Ajo në qejf të vet…e ngrinte zërin në kupë të qiellit e shkundte vithet…Tallava…tallava! Isha qarë kot nga mbesa e parë. Nga shiu, kisha rënë në breshër… Na dolën kalamajtë jashtë kontrollit, vëlla! “Ha bërxolla e pi raki, o gjysh, se një herë në vit bëhet “Festa e ujit”. Ne do bëjmë qejfin tonë…ti bëj qejfin tënd…Do ecim me hapin e kohës ne…S’merr vesh nga muzika moderne zotrote.” Desha s’desha e ngula sqepin në pjatë. Kishte marrë zjarr skena e lokalit dhe s’kishte zjarrfikëse që ta shuante. Pas pak ngjitet në skenë mbeska e tretë me gruan e katërt. Kjo që unë e njoh për të urtë…paska qenë shpuzë fare. Sikur ishte zgjidhur nga zinxhiri dhe doli zbathur në skenë… me një… gjoja fustan si rrjetë peshku vrima-vrima. More, naaa…dac…lakuriq fare. I dukeshin nishanet…jo vetëm cicat, por edhe zogu… E hëngrën çunat me sy… sa te gjoksi i çupës, e sa te zogu mes kofshëve… Pu, pu, pu! Bëra të ngrihesha e të merrja bastunin, por më preku supin një mesogrua. Ishte pronarja. Punonte në qeveri kjo… Përgjegjëse e Sektorit të R(r)uajtjes së Traditave Kombëtare. “U mërzite, xhaxha? Kujdes, se mos më prish biznesin?!” Shuplakën sipër buzëve unë, dola jashtë në ajër të pastër dhe vura gishtin në tëmtha: “Të gjorët këngëtarë të atyre viteve,…si Vaçe Zela me shoqe, që s’e shijuan këtë kohë moderne!” Sakaq, më freskoi ballin e më çliroi ënjtjen një melodi që vinte nga larg: “Hyri prilli, shkriu bora majaveee…!” U shkrifshin bashkë me borën edhe këto çakordime marramendëse “leksikomentale”! E pra…, si i kënduar që jeni, o i lumturi, Hyskë Borobojka, vetëm një pyetje kisha: “Muzika, kënga, gjuha e përbashkët e popujve të botës, shijohet nga vija melodike, vlerësohet nga performanca dhe zëri i këngëtarit, apo nga tundje-shkundjet, lëkura,…cicat,…vithet…e të tjera…e të tjera!?
Sigal