Nëse do të marrësh një kredi për shtëpi, tani është momenti më i mirë, pasi interesat kanë prekur fundin. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në muajin shkurt 2018, norma mesatare e huasë për blerje banesash për individë në lekë ishte 3.64%, niveli më i ulët rekord i regjistruar ndonjëherë.
Në krahasim me muajin e mëparshëm, interesat e kredisë në lekë janë ulur me 0.23 pikë përqindjeje, ndërsa në raport me dy vjet më parë janë 1.4 pikë përqindjeje më pak.
Edhe në euro, interesat e kredive për shtëpi janë më të lira. Në muajin shkurt norma mesatare për huatë e reja hipotekore në euro për individë ishte 3.06%, nga 3.25% muajin e mëparshëm, ndërsa niveli më i ulët është arritur në maj 2017, me 2.93%.
Interesat e huave në përgjithësi kanë pasur një tendencë uljeje vitet e fundit, si rrjedhojë e politikës lehtësuese monetare të Bankës së Shqipërisë për të reduktuar koston e parasë në ekonomi dhe për të nxitur blerjet dhe invesimet. Në muajin shkurt, norma mesatare e interesit për kreditë e reja në lekë për bizneset e individët, për të gjitha afatet e maturimit ishte 7.12%, nga 8.3% në dhjetor 2015.
Teksa kreditë për blerje shtëpie kanë rezultuar me nivel të ulët të kësteve që nuk paguhen apo nuk kthehen në afat, bankat e shohin me interes këtë segment, duke bërë oferta të shumta për individët.
Si rrjedhojë, nga huaja në euro, jo vetëm nuk fiton më nga interesat, por sa më shumë të zhvlerësohet euro, aq më shumë rriten humbjet, pasi do të duhen më shumë para për të paguar këstet mujore.
Nëse merr sot një kredi në një shumë prej 7 milionë lekësh, me interes 3.64%, për një afat prej 15 vitesh, në bazë të kalkulatorit të kredisë, pagesa mujore është rreth 50 mijë lekë, ose rreth 382 euro.
Nëse merr të njëjtën shumë në euro, rreth 53 mijë euro, me interes 3.06%, po për 15 vjet, sipas kalkulatorit të kredisë, kësti mujor është 365 euro, ose vetëm 17 euro më pak në muaj. Por, këtë fitim mund ta humbisni shumë shpejt në rast se euro zhvlerësohet. Nëse monedha e përbashkët kalon mbi 136 lekë, atëhere pagesa mujore në lekë për të siguruar 365 euro fillon i kalon 50 mijë lekët, pra huaja në euro bëhet më e shtrenjtë, ndonëse ka interes më të ulët.