Gjyqtarja që rrëzoi Kushtetuesen dhe liroi nga burgu kreun e bandës

726
Sigal

Gjyqtarja Enkelejda Hoxha vendosi sot që të pranonte kërkesën e avokatit për shuarjen e dënimit të përjetshëm duke e ulur në 25 vite, ndërsa më pas e ka liruar me kusht, 5 vite në shërbim prove. Endrit Dokle u arrestua në vitin 2004 dhe u lirua pas 16 viteve burg, 4 vite u ulën nga amnistia që u njoh nga gjyqtarja Hoxha, ndërsa 5 vitet që mbetën nga 25 në total që u la përfundimisht (pas heqjes së dënimit përjetë), u konvertuan në shërbim prove.

Lirimi nga burgu i Endrit Dokles nuk ka qenë surprizë, pasi duket se ishte i projektuar mirë në kohë. Gjyqtarja e gjykatës së Krujës, Enkelejda Hoxha që i hoqi sot dënimin përjetë ka dhënë edhe tre vendime të tjera për Doklen. Pas dy vendimeve që i njohu uljen e 4 viteve burg nga amnistia, lëvizja kyçe për lirimin nga burgu të Dokles që ka qenë dënuar për grup të strukturuar kriminal dhe vrasje ishte kërkesa në shtator të vitit të kaluar për ndryshimin e vendit të vuajtjes së dënimit nga burgu i sigurisë së lartë në Fushë Krujë në një burg të sigurisë së zakonshme. Kërkesa e tij u pranua po nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha.

Kërkesa është kundërshtuar nga prokurorët, duke pretenduar se nuk plotëson kushtet, ndërsa kërkuan edhe përjashtimin e gjyqtares Hoxha me argumentin se i njëjti trup gjykues ka dhënë tre vendime në favor të kërkuesit. Gjithashtu sipas prokurorisë së Krujës lirimi është kryer në shkelje pasi pretendojnë faktin se gjykata i ka llogaritur si ditë burgu edhe amnistinë e cila sipas ligjit nuk llogaritet.

Mirëpo gjyqtarja Hoxha nuk mori parasysh kërkesat e prokurorisë, por të avokatit duke vendosur që këtë dënim përjetë ta shuaj dhe ta lërë 25 vite, më pas duke e cilësuar si dënim që pjesën dërrmuese e ka shlyer e ka liruar me kusht në shërbim prove. 5 vitet që i mbeteshin për të bërë nga 25 në total që u la përfundimisht iu kaluan në shërbim prove. Garant për të fituar lirinë me kusht duhet të dalë një firmë apo institucion për të marrë në punë, të cilën Dokle e ka siguruar. /Report TV/