Gjermania kërkon të punësojë infermierë, UISH: Ja kriteret

287
Të gjithë ata infermierë që duan të punësohen në Gjermani, mund të aplikojnë pranë Urdhrit të Infermierëve të Shqipërisë, deri në datën 10 tetor 2015. Kjo, falë negocimit që UISH është duke kryer me një kompani gjermane për punësimin e infermierëve në rolin e asistentit në shtetin gjerman. Të interesuarit duhet të plotësojnë një sërë kriteresh, të cilat janë mirëpërcaktuar nga UISH. Kështu, kandidatët duhet të kenë formim Bachelor të akredituar, leje të ushtrimit të profesionit në Shqipëri, eksperiencë pune si infermier si dhe njohjen e gjuhës gjermane në nivelin B1 – B2.

Sa u takon dokumenteve që vërtetojnë kriteret e mësipërme e që duhet të paraqiten nga kandidatët, janë: Kërkesa, diploma, leja e ushtrimit të profesionit, Libreza e Punës ose Vërtetim nga qendra e punës si dhe dëshmia e gjuhës gjermane. Sipas Urdhrit të Infermierëve të Shqipërisë, kandidatët që do të paraqesin dosjen me dokumentet e mësipërme, do të jenë pjesë e listës që kompania gjermane do të përzgjedhë në testimin që do të bëhet në Tiranë në fund të muajit tetor, si për gjuhën, ashtu edhe për nivelin profesional. Dokumentacioni duhet të dorëzohet pranë zyrave të UISH-së.

PUNËSIMI 
Kërkesa për infermierë në Gjermani vjen në një kohë kur është bërë e ditur se vetëm një numër i caktuar profesionesh dhe zanatesh kanë mundësi punësimi në këtë shtet. Këto përcaktime u bënë në vazhdën e kërkesave në rritje për azil ekonomik nga shqiptarët në shtetin gjerman, ku ndër të tjera është theksuar me dhjetëra herë se ai nuk fitohet. Pak kohë më parë, ambasadori gjerman në Shqipëri, Helmut Hoffman bëri publike edhe një listë me profesionet dhe zanatet e kërkuara në Gjermani.
“Tregu gjerman ka nevojë për një sërë profesionistësh, por personat që kanë shkuar me një procedurë azilkërkimi ia kanë hequr vetes mundësinë e punësimit”, – tha Hoffman.

Sipas tij, profesionet e kërkuara në tregun gjerman janë: Inxhinier mekatroni, ekspert i sistemeve mekatronike, mekatronik bachelor, teknik mekatronik, inxhinier elektronik, inxhinier i industrisë elektronike, inxhinier në teknologji industriale, inxhinier ndërlidhës, teknik për mjete automatike, teknik në sistemet autonome robotike, elektroteknik, inxhinier ndërtimi, inxhinier rrufepritësesh, inxhinier elektrik, elektricist, inxhinier i elektronikës infrastrukturore, teknik i pajisjeve elektronike, mekanik i makinave elektronike, inxhinieri industriale, teknik i pajisjeve fiskale, teknik i objekteve elektronike, programues elektronik, rregullues frigoriferi, arkitekt, hidraulik, shofer treni, mjek profesional, infermier/ e, teknik ortopedike, teknik anestezie dhe teknik kondicionerësh.