Gati prangat për të pangopurit

316

Skandalet e njëpasnjëshme të kompanive të mëdha dhe pse heshtja e shtetit në kurriz të taksapaguesve shqiptarë

Erion Braçe, ende nëpër gjyqe për të përfituar 2,8 milionë lekë

 Edhe pse ka fituar çështjen gjyqësore ndaj Kuvendit të Shqipërisë në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, deputeti Erion Braçe ende nuk i ka shijuar frytet e kësaj fitore (rreth 3, 2 milionë lekë). Pasi kundër këtij vendimi ka bërë ankim në Gjykatën e Apelit pala e paditur Kuvendi i Shqipërisë, që ka kërkuar prishjen e vendimit dhe pushimin e gjykimit të çështjes.

Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, vendimi

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 10901 datë 01/11/2013, ndër të tjera, ka vendosur:

“Pranimin e padisë së paditësit Erion Braçe.

1. Detyrimin e palës së paditur Kuvendit të Shqipërisë të paguajë në favor të paditësit Erion Braçe të gjitha përfitimet financiare në vlerën 279.948 lekë, detyrim i cili përbëhet nga:

a) Diferenca e pagës së papaguar për periudhën nga data 01.05.2010 deri në datë 20.05.2010 në shumën 74.375 lekë.

b) Dietat për udhëtim për periudhën nga data 25.02.2010 deri më datë 20.05.2010 në shumën 61.00 lekë.

c) Kuotën financiare për shërbime telefonike për periudhën nga data 25.02.2010 deri më datë 20.05.2010 në shumën 39.641 lekë.

ç) Kuotën financiare për shërbimin e transportit për periudhën nga data 25.02.2010 deri më datë 20.05.2010 në shumën 104.392 lekë.

-Shpenzimet gjyqësore në shumën 109.994 lekë i ngarkohen palës së paditur Kuvendit të Shqipërisë”.

Gjykata e Apelit

Gjykata e Apelit Tiranë më datë 04/06/2014, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore publike çështjen civile nr. 3682 akti, me paditës Erion Braçe dhe të paditur Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, që ka kërkuar prishjen e vendimit dhe pushimin e gjykimit të çështjes. Gjykata e Apelit Tiranë, pasi dëgjoi relatimin e kryesuesit, vlerëson se ka vend për shpalljen e moskompetencës së saj lëndore për gjykimin e çështjes dhe dërgimin e akteve Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, si gjykatë kompetente. Kështu referuar objektit të padisë, çështja për gjykim është një çështje administrative, kjo pasi çështja në konflikt është një mosmarrëveshje në fushën e marrëdhënieve të punës, ku punëdhënës është një organ i administratës publike. Në rastin për gjykim rezulton se shqyrtimi i çështjes ende nuk ka përfunduar, ndaj ka vend për shpalljen e moskompetencës dhe dërgimin e akteve gjykatës kompetente, asaj administrative.

Historiku

Në tetor të vitit 2010 deputetët socialistë i janë drejtuar gjykatës së Tiranës me padi civile kundra Kuvendit të Republikës. Damian Gjiknuri, Erion Braçe, Ditmir Bushati, Qemal Minxhozi, Ilir Gjoni dhe Alfred Dalipi u kërkojnë togave të zeza të detyrojnë administratën e Kuvendit, që t’u paguajë përfitimet financiare që rrjedhin nga legjislacioni për statusin e deputetit dhe që lidhen me ushtrimin e funksionit për periudhën 25 shkurt deri 31 maj 2010. Bëhet fjalë për shpenzimet telefonike, për transportin dhe dietat, që përfitojnë mbi bazën e kritereve për zonat zgjedhore që përfaqësojnë secili prej tyre. Paditësit pretendojnë se vlera që u është mbajtur në mënyrë të padrejtë nga administrata e Kuvendit, shkon në total në 320 mijë lekë të reja për secilin prej tyre. Socialistët shprehen se administrata e Kuvendit nuk u ka dhënë asnjë shpjegim apo arsye ligjore për mbajtjen e përfitimeve, çka cenon direkt përmbushjen e misionit të tyre kushtetues.

  “Vaksina vrasëse” që rrjep shqiptarët

 450 milionë lekë në një sezon mendohet të jetë fitimi i kompanive farmaceutike që importojnë vaksinat antigrip në Shqipëri. Shqiptarët që paguajnë më shtrenjtë se kushdo vaksinat antigrip, janë edhe më të ekspozuarit ndaj rrezikut të jetës për shkak të barnave jocilësore që qarkullojnë në tregun tonë farmaceutik. Ishte Zyra Për Mbrojtjen e Konsumatorëve që ngriti alarmin se vaksina antigrip, që mori jetën e mbi 12 personave në Itali, qarkullon edhe në farmacitë e vendit, duke rrezikuar jetën e shqiptarëve. Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve ka denoncuar rastin e shitjes së vaksinës antigrip Fluard (të prodhuar nga shtëpia farmaceutike NOVARTIS) e cila po shitet në masë në Shqipëri, vaksinë e ndaluar në tregun italian, pas viktimave të shënuar. ZMK-ja ka kërkuar menjëherë reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të jepen shpjegime se pse kjo vaksinë ende qarkullon në farmacitë e vendit. “Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve i kërkon reagim të menjëhershëm Ministrisë së Shëndetësisë! A ka në treg dhe a e kanë përdorur këtë vaksine antigrip shqiptarët dhe sidomos të moshuarit me sëmundje kardiovaskulare, diabet, etj., këtë vaksinë? Çfarë po bën Ministria e Shëndetësisë dhe ministri Ilir Beqja për këtë?” thuhet në njoftimin e ZMK-së. Sipas ZMK-së, kjo vaksinë duhet të hiqet menjëherë nga tregu shqiptar në mënyrë që të parandalohen rastet fatale. Në shtetin fqinj, ministria e shëndetësisë ka dhënë alarmin dhe ka tërhequr nga tregu farmaceutik të gjitha flakonet e kësaj vaksine. Ndërsa Komisioni Europian ka hapur një proces hetimor ndaj firmës.

Grabitja e shqiptarëve me vaksinat antigrip

Çdo vit shqiptarët grabiten në mënyrë skandaloze nga importuesit e vaksinës antigrip në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë. Me gjithë dyshimet në sigurinë e jetës dhe cilësinë e vaksinave antigrip që qarkullojnë në vend, tregtarët e barnave rrisin fitimet e tyre në kurriz të taksapaguesve shqiptarë, të cilët paguajnë dyfish për një vaksinë antigripi. Kështu nëse firmat farmaceutike e marrin rreth 7 dollarë një vaksinë antigrip në vendin e origjinës, ajo vjen në tregun tonë më nju çmim nga 12-15 dollarë. Pra qytetari shqiptar e blen dyfish këtë vaksinë. Çdo vit vaksinohen rreth 40-60 mijë qytetarë shqiptarë, duke futur këtu fëmijët apo pleqtë, si dhe kategoritë që e kanë të detyrueshme si punonjësit e shëndetësisë, arsimit, etj.. Ndërsa fitimi i kompanive farmaceutike që e importojnë këtë produkt llogaritet të jetë rreth 420 mijë dollarë, apo rreth 450 milionë lekë. Kurse qytetarët shqiptarë janë thjesht objekt i babëzisë së njerëzve të pangopur.

Reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë mohon faktin se në tregun tonë farmaceutik qarkullojnë dy shtamet e vaksinës kundër gripit, “Fluad” të prodhuesit farmaceutik “Novartis” në Itali, duke u shprehur se asnjë shtam i kësaj vaksine, prodhim i kësaj kompanie farmaceutike nuk është importuar në Shqipëri. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, aktualisht, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM) ka autorizuar importin e shtameve të tre vaksinave të mëposhtme:

1. Vaxigrip – prodhim i Sanofi Pasteur, importuar nga Imifarma;

2. Fluarix – prodhim i GSK, importuar nga Rejsi Farma dhe Avicena;

3. Influvac – prodhim i Abbott, importuar nga Fufarma, Deltapharma-al dhe Megaparm.

Me kë po i ndan milionat Bankers?

 Bankers Petroleum LTD, është një shoqëri tipike kapitaliste shfrytëzuese deri në shkatërrim të nëntokës shqiptare, por me e keqja e jetës së popullsisë që banon në zonën e Marinzës, Zharrëzës dhe të Kallmit, Fier. Ashtu si në filmin “Gjeneral Gramafoni” ku thuhej “Plasi në Kuçovë!”, e njëta gjë po ndodh edhe me këtë kompani ku herë pas here thuhet “Plasi në Zharrëz!”. Kjo suituatë është bërë shpesh problematike nga mediat dhe ca më rrallë nga ambientalistët, ndërsa qeveria gjithmonë ka heshtur dhe po hesht, edhe pse kjo kompani ka bërë batërdinë në këto zona, duke masakruar në mënyrë skandaloze mjedisin e kësaj zone dhe rrezikuar ardhmërinë e banorëve të saj. Si politika e vjetër, edhe kjo e reja nuk janë prononcuar dhe vazhdojnë të heshtin për këtë masakër ekologjike, ndoshta në emër të ndonjë përfitimi në mënyrë të padrejtë, duke lejuar që maskarada të vijojë. Porse pritet të plasë prapë në Zharrëz.

Maskarada e Bankers Petroleum

-Ka shkatërruar nëntokën e zonës ku operojnë, aq sa mund të mos jetë çudi kur një fshat i tërë të “përpihet” nga dheu.

-Ka shkatërruar shtëpitë e banorëve, që i kanë ngritur me mund e sakrifica dhe nuk mbajnë asnjë përgjegjësi.

-Ka shkatërruar ambientin, duke e ndotur me gazin helmues metan, por edhe me pluhura mekanike që i shpërndajnë nëpër të mbjella e kultura bujqësore, mjetet e rënda që lëvizin ditë e natë. A mund të konsumohen perimet dhe produktet e bulmetit nga kjo zonë?!

-Me dhjetëra hektarë tokë bujqësore, është shkatërruar e ndotur, duke i kthyer në sheshe mbeturinash, inertesh dhe dherash të ndotur me naftë bruto.

-Ka shkatërruar infrastrukturën rrugore, duke bërë të pakalueshme shumicën e rrugëve të këtyre fshatrave.

-Ndërsa përflitet shmangja e pagesës së taksave, qoftë atyre në shtet, apo edhe atyre vendore. Pse ndihen kaq të fortë e të paprekshëm?!

-Përflitet gjithashtu vjedhja masive e solarit dhe e naftës nga njerëz të inkriminuar, të lidhur me policinë dhe me drejtues të kompanisë, me të cilët ndajnë fitimet.

Ç’bën qeveria?

Para se të vinin në pushtet, të majtët, kryesisht në fushatë elektorale kanë premtuar se sa të vinin në pushtet do të detyronin kompaninë që të zbatonte ligjet, të kryente investime në infrastrukture, të paguante taksat, të kontrollonte shfrytëzimin barbar të nëntokës dhe shkatërrimin e tokës bujqësore, etj., etj.. Mirëpo, çuditërisht, sot qeveria hesht… ndërsa banorët e zonës thonë se thesin me dollarë që dikur e merrnin të tjerë, sot e merr dikush në qeverinë e re.

32 të pandehur për çështjen “Skrapi”. Po Kurumi?!

 Njësia task forcë në Prokurorinë e Tiranës mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim superdosjen e mashtrimit me TVSH-në në industrinë e përpunimit të metaleve që llogaritet t’i ketë shkaktuar shtetit një dëm prej 26 milionë dollarësh. Në total janë 32 të pandehur, prej të cilëve 24 persona dhe tetë subjekte tatimore fantazmë, që akuzohen se janë përfshirë në skemën e mashtrimit me tatimin mbi vlerën e shtuar, për një periudhë të gjatë kohe. Prokurori i çështjes, Ardian Braho pretendon në bazë të provave se, administratorët e 8 shoqërive të regjistruara, veçanërisht në qytetin e Elbasanit, nëpërmjet personave të ndryshëm kanë krijuar shoqëri të tjera me qëllim grumbullimin dhe shitjen e skrapit. Këto subjekte më pas janë regjistruar në mënyrë fiktive jo vetëm në QKR por edhe organet tatimore me qëllim për të tërhequr blloqe dhe fatura TVSH-je, një aktivitet fiktiv ky që vërtetohet – thotë prokuroria – nga lëshimi i faturave tatimore të shitjes për efekt kreditimi të TVSH-së pa dërguar në fakt mallin. Nga të akuzuarit për falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve, 6 prej tyre ndodhen në arrest me burg, 6 në arrest shtëpiak, pesë me detyrim paraqitje, ndërsa 7 të tjerë nuk kanë asnjë mase sigurie.

 A është Kurum pjesë e dosjes hetimore?

Nuk dihet nëse pjesë e dosjes hetimore e dërguar për gjykim ka qenë edhe kompania turke Kurum, duke qenë se është e vetmja kompani në vend që përpunon skrapin. Edhe më parë kompania turke “Kurum” është përfshirë nga skandale me skrapin, madje është përfolur nga mediat edhe për pastrim parash. Kështu sipas një kontrate të disa viteve më parë (2011) mes Kurum International dhe Uzinës së Azotikut bëhej fjalë për sasira modeste (në sasinë 1.4 mijë tonë dhe në një vlerë lekësh rreth 200.000 mijë euro), ndërsa sasia reale e skrapit që shkonte nga Fieri drejt Metalurgjikut ishte shumë herë më e madhe se kaq. Madje dhe autoritetet policore në Fier në atë kohë, kishin prova që tregonin se kontrata po shërbente vetëm si justifikim për një grabitje masive të sasive të skrapit në gjithë Uzinën e Azotikut dhe Uresë në Fier. Tashmë dihet se pikë kyçe në lejimin e zhvillimit të kësaj kontrabande të skrapit mbetet kompania Kurum, pasi vetëm ajo mund të lejonte faturimet modeste dhe realisht të pranonte sasi të tjera të mëdha kundrejt pagesës për sipërmarrësit.

Duke iu rikthyer rastit në fjalë dhe duke pasur parasysh begraundin e kompanisë turke, lind pyetja: A është i përlyer Kurumi në skandalin e radhës? A është kontrolluar burimi fillestar i blerjes, apo i shitjes së skrapit, faturat përkatëse, të cilat janë dhe objekt i një investigimi të gjatë nga “Telegraf”?

Ja kompanitë që do të përballen sot me drejtësinë

  Albtelekom, kërcënim për punët publike

 “Albtelekom” përbën një kërcënim për punët e kryera publike në vend (rrugë në këtë rast), duke shkaktuar dëme të pallogaritshme dhe duke rrezikuar që paratë e taksapaguesve shqiptarë të përfundojnë në tym. Kështu Shoqëria ‘Salillari’ shpk ka vendosur ta padisë “Albtelekom” për shkaktim dëmi në Gjykatën e shkallës së parë Tiranë, me objekt “Detyrimin e të paditurit për shpërblimin e dëmit pasuror, të shkaktuar në mënyrë të paligjshme dhe me faj prej një punimi të ri, të kryer prej tij”. Në seancën e sotme eksperti Elian Kote do të paraqesë përfundimet e aktit të ekspertimit të punimeve, me anë të të cilit do të provohet dhe dëmi që ka shkaktuar “Albtelekom” në një vepër publike të sapo përfunduar.

 Kisha Ortodokse në gjyq për pushim nga puna më të padrejtë të punonjësve

 Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfundon në gjykatë pas padisë për marrëdhënie pune nga Andi Koroveshi. Sot Gjykata e Tiranës, pas provave të paraqitura do të shpallë vendimin në lidhje me padinë e ish punonjësit të Kishës me objekt “Detyrimin e Kishës Ortodokse Autoqefaletë Shqipërisë të dëmshpërbleje paditësin me:1. Pagën e 7 muajve e 10 ditë pune, (që nga 20.06.2014- 01.02.2015), për zgjidhjen e kontratës së punës në mënyrë të menjëhershme të pajustifikuar e përpara afatit të përcaktuar në kontratë. 2. Pagën e 2 muajve pune për moszbatim të procedurës për zgjidhjen e kontratës. 3. Pagën e dy muajve pune për moszbatim të afatit të njoftimit. 4. Pagën e një viti pune për zgjidhjen e kontratës së punës në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar.

 “Iliria Minerals Industry” nuk respekton kontratën e shfrytëzimit

 Është bërë rutinë tashmë babëzia nga ana e shoqërive minerare, duke shfrytëzuar edhe zona të cilat nuk janë të përfshira në kontratën e shfrytëzimit. Madje shoqëritë nuk respektojnë edhe njëra-tjetrën duke hyrë në territoret e njëra-tjetrës. Kjo ka qenë arsyeja që Shoqëria “Elidon-06” Sh.p.k ka paditur Shoqërinë “Iliria Minerals Industry” (IMI) sh.a. me objekt “1. Sigurimin e padisë duke detyruar të paditurin të pezullojë shfrytëzimin e mineralit të kromit në objektin, ku paditësi ka kontratën e shfrytëzimit dhe mos përsëritjen më në të ardhmen. 2. Rivendosjen në posedim të zonës së shfrytëzimit të mineralit të kromit në objektin ku paditësi ka kontratën e shfrytëzimit. 3. Detyrimi i palës së paditur t’i shpërblejë demin material të shkaktuar si pasojë e shfrytëzimit të kromit në objektin ku paditësi ka kontratën e shfrytëzimit dhe detyrimin e të paditurit të paguajë fitimin e munguar deri në ditën e kthimit të zonës së shfrytëzimit”.

Posta Shqiptare ndërmerr “fshesën” me punonjësit e saj

Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë pothuaj çdo ditë do të ketë një gjykim për marrëdhënie punë me të paditur Postën Shqiptare. “Fshesa politike” që kanë përdorur drejtuesit e këtij institucioni ndaj punonjësve, sikur të ishte biznesi i tyre privat, llogarit miliona lekë në dëm të buxhetit të shtetit, si rrjedhim të taksapaguesve shqiptarë. Kështu ish punonjësja Ermira Tosku ka paditur drejtorinë e Postës Shqiptare, duke kërkuar “detyrim të palës së paditur t’i paguajë palës paditëse 3 muaj page për mosrespektim afati; t’i paguajë palës paditëse 2 muaj pagë për mosrespektim procedure për zgjidhjen e marrëdhënies së punës; detyrim palës së paditur t’i paguajë palës paditëse 12 muaj pagë për zgjidhje të menjëhershme të kontratës si dhe 8 paga vjetërsi pune”.