Prapaskenat e vjedhjes së zyrtares, nisin telashe të reja për Klosin, nis verifikimi për pasurinë e xhaxhait

102
Sigal

Kur Alda Klosi raportoi në polici vjedhjen e 120 mijë eurove në shtëpinë e saj, duket se rasti do të merrte përmasa që e rëndojnë pozitën e saj. Prokuroria e Tiranës tashmë ka nisur verifikimet mbi pasurinë e saj, për të zbuluar burimin e shumës së vjedhur nga pastruesja Rozeta Dobi.

Por hetimet duket se nuk do të ndalen këtu.

Burime nga prokuroria e kryeqytetit deklarojnë për “Syri Televizion” se kanë nisur verifikimet edhe për pasurinë e xhaxhait të saj. Sipas dokumenteve të administruara deri më tani, prokurorët kanë evidentuar se xhaxhai i ka dhuruar Alda Klosit, dy apartamente në Shëngjin.

Ish-bashkëpunëtorja e ngushtë e Arben Ahmetajt ka shënuar në deklaratat e saj të pasurisë se është bërë pronare e dy shtëpive në zonën bregdetare të Lezhës, njëra me sipërfaqe 94.86 metra katrorë dhe tjetra me sipërfaqe 42.35 metra katrorë, nëpërmjet kontratave të dhurimit që datojnë në tetor 2021.

Alda Klosi ka deklaruar para grupit hetimor se shuma prej 120 mijë eurosh e vjedhur në kasafortën e saj personale, ishte shumë e mbledhur nga familjarët për kurimin e xhaxhait të saj të sëmurë, rezident në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është ende e paqartë nëse xhaxhai i sëmurë është i njëjti person me atë që i dhuroi Alda Klosit dy shtëpitë në Shëngjin.

Megjithatë, diçka duket qartë që Alda Klosi do të ketë shumë punë për të sqaruar pozitën e saj gjatë hetimit penal.

Formularët e pasurisë së saj treguan se kur Alda Klosi u emërua për herë në administratën e lartë shtetërore, në vitin 2017, ishte vetëm me një shtëpi modeste, me sipërfaqe 47 metra katrorë. Katër vjet më pas ajo rezulton pronare ose bashkëpronare në katër apartamente.

Deri më tani, zonja Klosi është në pozicionin e viktimës së vjedhjes, por prokurorët besojnë se kjo histori mund të ketë një përfundim tjetër të papritur.