Përurohet biblioteka “Vexhi Buharaja”

1263
Sot paradite u rihapën sërish dyert e Bibliotekës Publike “Vexhi Buharaja”. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin përfaqësues të Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) dhe Bashkisë së Beratit, përfaqësues të institucioneve vendore, mësues dhe nxënës të shkollave të Beratit, qytetarë etj. Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP), në kuadër të programit të Investimeve Sociale dhe Mjedisore, mundësoi mobilimin e Bibliotekës Publike “Vexhi Buaharaja” dhe pajisjen e saj me sistem mbrojtës ndaj zjarrit. Investimi i TAP në mobilimin e bibliotekës u krye në shumën 100 mijë euro, ndërsa Bashkia e Beratit ka bashkë-financuar nëpërmjet vendosjes së sistemit të kondicionimit. Biblioteka “Vexhi Buharaja” pas rikonstruksionit të vitit 2016 nuk mundi të hapej për shkak të mungesës së mobilimit të përshtatshëm të sallave të leximit dhe të arkivit. Mungesa e mobilieve e bënte të pamundur përdorimin e sallave nga lexuesit dhe studiuesit, ndërsa në arkivin e bibliotekës vetëm një pjesë e rreth 35 000 librave ishin vendosur nëpër rafte, pjesa tjetër ndodhej në dysheme. Falë investimit të TAP, janë mobiluar krejtësisht nga e para tri salla leximi dhe arkivi i bibliotekës “Vexhi Buharaja”, duke shënuar edhe rihapjen e bibliotekës pas disa vitesh. Gjithashtu, TAP ka dhuruar 400 libra (tituj të rinj) duke e pasuruar më tej fondin e bibliotekës. Pas hapjes së Bibliotekës për publikun, të parët që u regjistruan ishin një grup nxënësish nga gjimnazi i Beratit. Kartelat e lexuesit iu dorëzuan atyre nga Menaxheri i përkohshëm i TAP për Shqipërinë dhe Kryetari i Bashkisë së Beratit. Në prononcimin e tij për mediat Kryetari i Bashkisë së Beratit, z. Petrit Sinaj u shpreh: “Falënderojmë Kompaninë TAP për bashkëpunimin e vazhdueshëm në realizimin e disa projekteve sociale, një prej të cilëve është edhe ky që po përurojmë sot. Biblioteka e Beratit është një nga bibliotekat më të mira në Shqipëri, pas Bibliotekës Kombëtare, me rreth 75 mijë tituj librash, me salla leximi për kategori të ndryshme lexuesish, me një arkiv të pasur librash, disa prej të cilëve nuk gjenden në biblioteka të tjera. Ne kishim gati një vit që e kishim mbaruar restaurimin e plotë të bibliotekës dhe mobilimi i saj ishte gjëja e fundit që kishte mbetur për ta sjellë atë në kushtet e sotme, për t’i ofruar lexuesve mjedise moderne, por edhe një mori librash sipas preferencave të tyre. Në emër të gjithë lexuesve falënderojmë Kompaninë TAP për investimin e kryer te libri, te dija, sepse çdokush tani e tutje do të ketë mundësi të lexojë e të studiojë, duke u përgatitur për çdo sfidë që mund të ofrojë jeta. Edhe njëherë faleminderit!”Ndërsa Menaxheri i Përkohshëm i TAP për Shqipërinë, z. Michele Elia, u shpreh: “Vetë TAP është një projekt që do të mundësojë zhvillimin e vendeve nga ku do të kalojë. Ne besojmë që një e ardhme e qëndrueshme mund të krijohet nëpërmjet edukimit cilësor, përkujdesjes ndaj mjedisit dhe vëmendjes karshi sigurisë teknike. Prandaj dhe TAP po investon kryesisht në këto tri fusha në Shqipëri. Ne ndihemi krenar që mundëm të ndihmonim Bashkinë e Beratit për mobilimin e bibliotekës dhe vendosjen e sistemit mbrojtës ndaj zjarrit. Tani biblioteka është funksionale dhe e sigurt.”
Sigal