Dule sulmon Ramën: Reformat e qeverisë pa fillim, pa mes dhe pa fund

422
Sigal

GJIROKASTËR:– Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, pjesë e koalicionit qeverisës dhe Nënkryetar i Parlamentit, ka hedhur akuza të forta ndaj Qeverisë “Rama”. Ai ka apeluar Kryeministrin, që të heqë dorë nga kauzat e kompromentuara nga klientelizmi dhe reformat e fragmentarizuara. “Edhe vetë shumica parlamentare, është ende duke shpresuar se ekzekutivido të dalë nga rrethi i ngushtë dhe shpesh herë vicioz i reformave të fragmentarizuara, që nuk kanë fillim, mes dhe fund apo i kauzave në moral të humbur për shkak të klientelizmit dhe do të hyjë në rrugën e implementimit të atyre aspekteve reformuese të domosdoshme për të sjellë një realitet krejt të ndryshëm”-tha Dule.

Kreu i PBDNJ-së ka shigjetuar edhe reformën administrative territoriale, si një nismë që prek të drejtat e minoriteteve në Shqipëri. “Qeveria me atë reformë, por edhe më një sërë veprimesh të tjera të rëndësisë, jo të nivelit të Reformës Administrative, – theksoi Dule, – dëshmon mungesë vullneti dhe ka shënuar hapa mbrapa në respektimin e të drejtave pjesëtarëve të minoriteteve etnike. Nuk është ky vizioni që na kishte bashkuar, veçanërisht me z. Rama gjatë viteve të opozitës. E kundërta! Na kishte bashkuar vizioni për shtetin e së drejtës, respektimin e të drejtave të çdo qytetari në përgjithësi. Në veçanti, respektimi i të drejtave të pjesëtarëve të minoriteteve.” Këto deklarata, kreu i PBDNJ-së i bëri pas konferencës zgjedhore të degës së OMONIA-s në Gjirokastër