Fusha, Gjoka dhe 10 oligarkë përfitojnë 5 miliardë euro me PPP-të. Ja lista

504

Fusha dhe Gjoka kryesojnë listën e kontraktorëve më të mëdhenj të shtetit më 2019-N

Një analizë e të dhënave të shpenzimeve të thesarit të shtetit kryer nga BIRN zbulon kompanitë më të mëdha të kontraktuara nga shteti për projekte investimesh publike si dhe projektet për të cilat këto kompani kanë marrë pagesat.

Kompania Fusha nën pronësinë e biznesmenit Shkëlqim Fusha arkëtoi 3.9 miliardë lekë (rreth 32.5 milionë euro), duke u renditur i pari në listën e kontraktorëve më të mëdhenj të shtetit shqiptar gjatë vitit 2019. Fusha mban këtë pozicion për vitin e dytë radhazi, pasi pati arkëtuar 3.5 miliardë lekë më 2018 ndërsa në vitin 2017 ishte kontraktori i pestë më i madh me 2.8 miliardë lekë të arkëtuara. Fusha ishte e angazhuar gjatë vitit të kaluar në një mori projektesh ndërtimore si dhe në shërbime pastrimi, ndërsa Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Tiranë ishin punëdhënësit kryesorë të kësaj kompanie. Sipas të dhënave të analizuara nga BIRN, Fusha ka arkëtuar nga Bashkia Tiranë dhe institucionet nën varësi të saj, të tilla si Tirana Parking, rreth 1.4 miliardë lekë gjatë vitit të kaluar ndërsa ka arkëtuar edhe rreth 2.2 miliardë lekë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Fusha u vu nën vëmendjen e publikuar në vitin 2018 kur qeveria e Kryeministrit Edi Rama propozoi një ligj special të shumëdebatuar në Kuvendin e Shqipërisë në të cilin kjo kompani paracaktohej si fituese pa garë e një koncesioni përmes të cilit qeveria jep tokë publike për pallate në shkëmbim të një ndërtese të re të teatrit kombëtar. Por më vonë në vitin e kaluar, Fusha u ekspozua në publik si financues i një udhëtimi në Barcelonë të nënkryetarit të Bashkisë Tiranë Arbjan Mazniku, gjë që u shoqërua me regjistrimin e një kallëzimi penal për shpërdorim detyre dhe korrupsion.

Fusha rezulton kontraktori më i madh i punëve publike përgjatë katër viteve të fundit me pagesa totale prej 12.3 miliardë lekësh për periudhën 2016-2019 (rreth 100 milionë euro).

Gjatë vitit 2019, në vend të dytë u rendit kompania Gjoka 87, një kompani e krijuar nga Gjoka Konstruksion pë zbatimin e kontratës së koncesionit për ndërtimin e rrugës së Arbrit. Gjoka 87 ka marrë dy pagesa nga buxheti i shtetit, e para në janar 2019 me vlerë 2.5 miliardë lekë ndërsa e dyta më 2 dhjetor 2019 me vlerë 630 milionë lekë.

Gjoka fitoi tenderin në vitin 2018, hapi kantierin në korrik të atij viti ndërsa rezultoi se në janar 2019 ka realizuar 25% të punimeve. Kompania, hodhi një propozim të pakërkuar për koncesion në prill të vitit 2017 dhe qeveria e pranoi ofertën duke i dhënë 10 pikë bonus. Në garën e zhvilluar në tetor të atij viti, vetëm kompania Gjoka u paraqit me një ofertë për ndërtimin e rrugës me vlerë 33.6 miliardë lekë dhe rrjedhimisht fitoi koncesionin. Në shtator të vitit 2019, Autoriteti Rrugor Shqiptar akuzoi Gjokën për mashtrim, ndërsa Gjoka akuzoi drejtoreshën e asaj kohe të ARRSH për manipulim tenderi.

Në vend të tretë për vitin e kaluar u rendit kompania ALB – STAR, e cila arkëtoi 2.3 miliardë lekë ose afërsisht 19 milionë euro. Kjo është gjithashtu një kompani ndërtimi rrugësh ndërsa paguesit kryesorë janë Autoriteti Rrugor Shqiptar, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Tiranë, e cila ka paguar një kontratë prej 347 milionë lekësh për ndërtimin e një parkingu nëntokësor në Sheshin Italia në Tiranë. Alb – Star është një kompani nën pronësinë e tërthortë të biznesmenëve Sadik dhe Idajet Ismailaj.

Përfituesi i katërt më i madh i vitit 2019 është kompania me emrin 4 A-M. Kjo kompani, arkëtoi 2.1 miliardë lekë ose afro 18 milionë euro nga një numër i madh institucionesh, nga Bashkia Tiranë te Bashkia Kamëz apo Autoriteti Rrugor Shqiptar. Kjo kompani është themeluar në vitin 2009 dhe është nën pronësinë e Ardit Metaliaj. E njëjta kompani ka arkëtuar nga buxheti i shtetit 1.5 miliardë lekë më 2018 dhe 1.7 miliardë të tjera më 2017.

Përfituesi i pestë, Alba Konstruksion, është një kompani e themeluar në vitin 1994 dhe është nën pronësinë e Xhavit Ismaili. Gjatë vitit 2019 kompania arkëtoi afro 1.9 miliardë lekë për punime të kryera rrugë, ndërtesa publike apo ujësjellës e kanalizime. Kjo kompani pati arkëtuar 1.2 miliardë lekë në vitin 2018 dhe 944 milionë më 2017 nga buxheti i shtetit.

Kompania D&E me pronar të vetëm Ismail Kadiu ishte furnitori kryesor i ushtrisë shqiptare me materiale ushtarake dhe veshmbathje me një vlerë të përgjithshme prej 1.7 miliardë lekësh vetëm për vitin 2019. Kjo kompani realizoi të ardhura nga buxheti i shtetit prej 334 milionë lekësh në vitin 2018 dhe 225 milionë lekësh më 2017. Ajo ka fituar kontratën e furnizimit të ushtrisë me veshje në bashkëofertë me kompaninë “ALFREDO GRASSI” S.p.A, në maj të vitit 2013. Kontrata shtatëvjeçare me vlerë afro 1.6 miliardë lekë vijon edhe sot. Në tenderin e zhvilluar në atë kohë, katër konkurrentë me oferta më të ulëta u skualifikuan për mosplotësim kriteresh teknike. D&E është përfituesi i gjashtë më i madh i fondeve publike për vitin e kaluar.

Kompania Gjikuria, nën pronësinë e Milo dhe Florenc Gjikuria renditet e shtata në listën e kompanive të kontraktuara nga institucionet e ndryshme publike për punë publike. Ajo arkëtoi më 2019 afro 1.6 miliardë lekë, pasi kishte arkëtuar 2.8 miliardë më 2018 dhe 1.9 miliardë më 2017. Në fund të vitit 2018, kompania Gjikuria u shpall fituese e tenderit të koncesionit për ndërtimin e një segmenti rrugor nga Orikumi në Dukat, oferta e së cilës ishte e barabartë me 99.96% të fondit limit.

Në vendin e tetë renditet kompania Kastrati, e cila është furnizuesja kryesore e qeverisë me karburant. Kastrati dhe Kastrati SHA arkëtuan nga buxheti i shtetit afro 2 miliardë lekë së bashku gjatë vitit të kaluar dhe pothuajse po kaq kanë arkëtuar edhe gjatë vitit 2018. Nafta nuk është shërbimi i vetëm që kompanitë e grupit nën pronësinë apo drejtimin e Shefqet Kastratit i shesin qeverisë. Një kompani tjetër, Albsig, e cila vepron në fushën e sigurimeve, arkëtoi 48 milionë lekë nga institucionet publike më 2019 pasi pati arkëtuar 205 milionë më 2018.

Në vendin e nëntë është kompania ALB TIEFBAU, e cila është nën pronësinë e biznesmenit Flamur Hoxha. Kjo kompani arkëtoi 1.4 miliardë lekë nga buxheti në vitin 2019 pasi kishte arkëtuar 1.1 miliardë më 2018 dhe 658 milionë më 2017. Fondi Shqiptar i Zhvillimit është pala kryesore kontraktuese e kësaj kompanie krahas Bashkisë së Vaut të Dejës.

Në vendin e dhjetë është kompania INFOSOFT SYSTEMS, e cila punon në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të kancelarisë. Kjo kompani arkëtoi 1.4 miliardë lekë nga institucionet publike më 2019, pasi kishte arkëtuar afro 600 milionë lekë më 2018 dhe 1.1 miliardë të tjera më 2017. Pagesat kryesore drejt kësaj kompanie janë nga Agjencia Kombëtare e Teknologjisë së Informacionit (AKSHI) për një kontratë të njohur si “Marrëveshja mes Këshillit të Ministrave dhe Microsoft Corporation për partneritet strategjik”.

Kontraktorë të tjerë të rëndësishëm, kompanitë Integrated Energy BV SPV dhe Integrated Technology Waste Treatment Fier, të cilat kanë fituar secila nga një koncesion për ndërtim inceneratori, arkëtuan së bashku 1.75 miliardë lekë ose 14.5 milionë euro gjatë vitit të kaluar.

Integrated Energy BV SPV është nën pronësinë e Integrated Energy BV, përfituesit finalë të së cilët nuk njihen. Kompania ka një kapital themeltar prej 100 mijë lekësh (800 euro), por sipas bilancit të publikuar në qendrën kombëtare të biznesit, pati 1.16 miliardë lekë të ardhura (9.6 milionë euro) gjatë vitit 2018 dhe 39 milionë lekë fitime neto. Link: Lista e kontraktorëve më të mëdhenj të qeverisë për vitin 2019

Kontraktorët më të mëdhenj 2018 e 2017

Të dhënat e buxhetit të shtetit të vitit 2018 mbartin pak ndryshime në krahasim me vitin 2019. Në këtë vit, Fusha vijon të jetë përfituesi kryesor ndërsa në vend të dytë renditet kompania A. N. K. me 3.3 miliardë lekë pagesa buxhetore. Kjo e fundit, ndërsa ka qenë në vend të 19 në listën e vitit të kaluar, ka qenë në vend të parë me të ardhura në masën 4.2 miliardë lekë në vitin 2017. Përgjatë katër viteve të fundit, A. N. K. është paguar nga institucionet publike në masën 10 miliardë lekë.

Në vitin e kaluar kjo kompani fitoi një nga koncesionet më të mëdha të qeverisë “Rama”, atë për ndërtimin e 17 kilometrave autostradë nga Miloti për në Balldre me një kosto të përgjithshme prej 32 miliardë lekësh. Siç është tipike për qeverinë, edhe kjo kontratë iu dha kësaj kompanie fillimisht si propozim i pakërkuar para se të hidhej formalisht në tender më vonë. Link: Lista e kontraktorëve më të mëdhenj të qeverisë për vitin 2018

Në vitin 2017, kompania e ndërtimit të rrugëve Salillari ishte kontraktori i dytë më i madh pas ANK-së me 3.6 miliardë lekë të ardhura. Në vend të tretë renditej G. P. G. COMPANY, e cila ishte kompania e parapëlqyer e qeverisë për punimet e projektit Rilindja Urbane. Në vitin 2019, administratori i kësaj kompanie, Paqsor Buzi ishte një nga 15 të arrestuarit nga policia nën dyshimin se kanë krijuar skema mashtruese në fushën e taksaveLista e kontraktorëve më të mëdhenj të qeverisë për vitin 2017

Në vitin 2016, Salillari ishte në vend të parë pasuar nga Fusha dhe kompania NDERTIM MONTIMI PATOS. Kjo e fundit është nën pronësinë e Flamur Kollozit. Kjo kompani është edhe aksionere në kompaninë e incineratorit të Fierit. Lista e kontraktorëve më të mëdhenj të qeverisë për vitin 2016./Gjergj Erebara