Fshati Radë i Bashkisë së Durrësit mbi 10 vite pa ujë

164

“Uji është jetë”. Nëse do i referoheshim kësaj shprehje, jeta në fshatra të tërë do shuhej. Por në Shqipëri mungesa e ujit të pijshëm nuk përbën habi.

I tillë është fshati Radë i Bashkisë së Durrësit me 1700 banorë. I ndodhur vetëm 10 km larg qytetit bregdetar, në të gjitha shtëpitë dallohen lehtë depozitat e ujit, ku në shumicën e rasteve janë bosh.

Pamjet brenda oborrit të shtëpive, me shishe, bidona dhe kova, tregojnë se furnizimi me ujë të pijshëm mbetet problemi kryesor. Në rubinetat e çezmave nuk rrjedh ujë. Banorët e fshatit janë të detyruar ta blejnë atë.

“Nuk ka ujë mbi 10 vite e ca, asnjë pike, a rrihet pa ujë”.

Vetëm 15 minuta larg qytetit të Durrësit, fshati Radë prej 15 vitesh vuan mungesën e ujit të pijshëm. E vetmja zgjidhje mbeten puse të tilla të cilat ekzistojnë gati në të gjitha shtëpitë.

Si të mos mjaftonte kjo, banorët duhet të përballen me faturat e ujësjellësit dhe t’i likujdojnë ato për një shërbim që u mungon prej vitesh.

Kryeinxhinieri i Ujësjellës Kanalizimeve në Durrës, Gerald Dautaj na thotë se ka djeni për këtë problem pa dhënë ndonjë shpjegim për pagesat që kryejnë banorët. Zgjidhja sipas tij do të vijë më ujësjellësin e ri që do të futet në punë brenda 2-3 muajsh.

“Si fshati Radë ka edhe fshatra të tjerë në Durrës që nuk kanë ujë, kemi djeni për këtë problem, ujësjellësi i ri i cili pritet të vihet në punë brenda 2-3 muajsh”.

Ajo që mbetet për t’u parë, është nëse pas dy muajsh këta banorë do të kenë ujë në çezmat e tyre. Edhe pse prej dhjetra vitesh institucionet përkatëse kanë thënë se do të gjendet zgjidhja, e cila nuk erdhi kurrë.