‘Frroku’, Gjykata liron dy zyrtarët e Interpol Tirana, arrestimi jo i ligjshëm

492
Gjykata ka caktuar sot masën e sigurise “detyrim paraqitje’ për ish-drejtorin e Interpolit të Tiranës, Artan Bajraktari, arrestuar për mosdërgimin e urdhërit të interpol Brukselit për arrestimin e deputetit Mark Frroku.
Sigal

Vendimi është dhënë nga trupa gjyqësore, pasi ka dëgjuar edhe pretendimin e akuzës, e cila për llogari të hetimeve kishte kërkuar të njejtën mase sigurie. Pas kësaj, Bajraktari le qeline ku ka qendruar qe pas arrestimit dhe detyrohet te paraqitet ne vijimesi, nderkohe qe vazhdojne hetimet per ceshtjen ne fjale.

Mësohet se në seancën e sotme akuza ka kërkuar “detyrim paraqitje” për specialisten Alla, ndërkohë që procesi është duke vijuar.

Dy ditë me parë, prokuroria urdhëroi arrestimin e drejtorit të Interpol Tirana Artan Bajraktari dhe specialistes së kësaj zyre, shtetases Loreta Alla.

Ata akuzohen për veprën penale “shpërdorim detyre”, pasi me mosveprimet e tyre kanë penguar ekzekutimin e urdhrit të arrestit ndaj deputetit shqiptar që akuzohet se ka kryer vrasje në shtetin belg në vitin 1999.

Urdhëri i arrestit i Interpolit të Brukselit për akuzën e vrasjes ndaj deputetit shqiptar Mark Frroku është mbajtur pa u zbatuar nga Shqipëria që prej datës 8 janar 2015 deri më 27 mars të këtij viti.

Ish drejtori i Interpolit, Artan Bajraktari dhe ish-specialistja e zyrës nuk kanë njoftuar sipas ligjit Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme për dosjen e përcjellë nga Interpol Brukseli.

Bëhet fjalë për materialin njoftues të ardhur nga Belgjika në lidhje me shpalljen në kërkim ndërkombëtar të shtetasit Mark Frroku, i akuzuar për veprën penale të “vrasjes me paramendim në bashkëpunim”.

Dy zyrtarët e arrestuar akuzohen se kanë shkelur nenin 38/1 të ligjit nr.10193, datë 03.12.2009 “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”, ku parashikohet se: “Zyra e Interpolit, me marrjen e një urdhri ndërkombëtar arrest, nga një shtet i huaj kundër një shtetasi shqiptar, në të cilën deklarohet qëllimi i shtetit kërkues për ekstradimin e personit, menjëherë dhe gjithsesi, brenda 5 ditëve, ia përcjell Ministrisë së Drejtësisë”.

Për këtë u ndaluan Bajraktari dhe Alla, ndërkohë që vetëm një ditë më parë dha dorëheqjen kryepolici Artan Didi, duke njohur përgjegjësinë morale që nuk mundi të parandalojë ate që ndodhi në zyrat e Interpol për çështjen “Frroku”.