Xhindi: Ditët e energjisë së gjelbërt Sensibilizim për uljen e ndotjes

297
TIRANË – Datat 1-3 Prill janë përcaktuar nga Bashkia e Tiranës si ditë ku do të mbahen një sërë aktivitetesh për të ndërgjegjësuar të gjithë qytetarët për rëndësinë e Energjisë së Gjelbër në Tiranë.
Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me GIZ GmbH, zhvilloi një konferecën me tematikë “Ditët e Energjisë së Gjelbër në Tiranë”. Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, znj. Nevila Xhindi në fjalën e saj në këtë konferencë, theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit për të ulur nivelet e ndotjes në kryeqytet, teksa përmendi projektet madhore të Bashkisë Tiranë, që synojnë në mënyrë të qendrueshme arritjen e një objektivi kaq madhor.
Ditët e Energjisë se Gjelbër në Tiranë do të jenë nga data 1-3 prill dhe realizohen nga Bashkia e Tiranës me mbështetjen e Qeverisë Gjermane, nëpërmjet “Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH” në kuadër të projektit “Rritja e Ndërgjegjësimit për zbutjen e ndryshimeve klimatike në Europën Juglindore”.
Më poshtë, fjala e plotë e nënkryetares znj. Nevila Xhindi: 
“I nderuar Prof. Dr. Haag, Kryetar i Bashkisë së Freiburgut për Ndërtimin, Departamenti i Zhvillimit Urban dhe Transportit, 
I nderuar z. Ahmeti, kryetar i Bashkisë së Prishtinës,
I nderuar zoti Elle, Drejtues i GIZ Fondi i Hapur Rajonal – Efiçenca në Energji,
Të nderuar kolegë të rrjetit te eficiencës së energjisë nga Bashkia e Zagrebit, Podgoricës, Shkupit, Prishtinës, Sarajevës,
Të nderuar ekspertë, profesorë të Universiteteve, 
Të nderuar pjesëmarrës,
Mirëserdhët në Tiranë!
Është nder për mua të hap sot këtë konferencë si përfaqësuese e Bashkisë Tiranë dhe të hap zyrtarisht ditët e energjisë së gjelbërt në Tiranë per datat 1-3 Prill që organizohen në kuadër të zhvillimit të projekteve strategjike të Bashkisë Tiranë me mbështetjen e Qeverisë Gjermane, Fondit Rajonal të Hapur të GIZ-it për Efiçencën e Energjisë.
Kryeqytetet sot përfaqësojnë një forcë shtytëse për veprimin politik që nevojitet për t’u përballur me çështjet globale të mbrojtjes së mjedisit dhe të krijimit të një të ardhme të re energjetike për vendet e Evropës Juglindore. Qyteti i Tiranës ka përjetuar një urbanizim të shpejtë dhe rritje të popullsisë në dy dekadat e fundit, e cila ka ndikuar drejtpërdrejt në konsumin vjetor të energjisë së qytetit. 
Reduktimi i konsumit të energjisë së qytetit përbën një temë aktuale e cila kërkon përgjigje efektive në nivel lokal dhe kombëtar, si dhe bashkëpunimin intensiv në planin ndërkombëtar. Në dy vitet e fundit, Bashkia e Tiranës ka marrë një qëndrim proaktiv që mbështet zhvillimin e qendrueshëm të qytetit. Më 29 maj 2013 nënshkroi modulin aderues të Marrëveshjes së Konventës së Kryetarëve të Bashkisë. Me nënshkrimin e Marrëveshjes, Kryetari i Bashkisë, z. Basha u angazhua për zhvillimin e Planit të Veprimeve për Energjinë e Qendrueshme.
Në kuadër të zhvillimit të projekteve strategjike të Bashkisë Tiranë, Bashkia e Tiranës me mbështetjen e Qeverisë Gjermane nëpërmjet GIZ Fondeve të Hapura Rajonale për Efiçencën e Energjisë dhe mbështetjen e CIM-it (Centre for International Migration and Development), ka përgatitur dokumentin “Plani i Veprimeve për Energjinë e Qëndrueshme të Tiranës” (Sustainable Energy Action Plan of the City of Tirana).“Plani i Veprimeve për Energjinë e Qëndrueshme”- është dokumenti kryesor, i cili, në bazë të të dhënave të mbledhura për situatën aktuale, identifikon dhe jep udhëzime të sakta dhe të qarta për zbatimin e projekteve dhe masave për efiçencën e energjisë dhe përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë në nivel bashkie, gjë e cila rezulton në reduktimin e emëtimeve të CO2 me të paktën 20% deri në vitin 2020 në sektorët e ndërtimit, transportit, dhe ndriçimit publik nëpërmjet zbatimit të masave për efiçencën e energjisë.
Qyteti i Tiranës, si kryeqytet i Republikës së Shqipërisë dhe nënshkrues i Konventës së Bashkiakëve, ka për obligim dhe përgjegjësi për të siguruar mbështetje maksimale dhe për të ndërmarrë masat e duhura për të realizuar kursimin e energjisë, të zbatojë masat për efikasitet energjetik, të inkurajojë përdorimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, si dhe për të ofruar mbështetje profesionale dhe ndihmë për të gjitha shoqatat lokale dhe rajonale që tregojnë interes për temat në fjalë, nëpërmjet përfshirjes aktive dhe bashkëpunimin e punonjësve të qytetit dhe të shtetit, grupet e shumta të interesit, subjektet ekonomike, institucionet arsimore dhe shkencore, organizatat joqeveritare dhe qytetarët.
Planifikimi i energjisë së qendrueshme në projektet strategjike te Bashkisë Tiranë, si: Bulevardi Verior i Tiranës dhe Projekti i Lumit, Projekti i Terminalit, tranport publik; Projekti i sistemit hekurudhor , TRAM; Projekti i Ndriçimit, Tirana Tekno Parku, çon gjithashtu drejt përfitimeve të ndryshme indirekte, duke përfshirë cilësi jete të përmirësuar, shpërndarje më të mirë të shërbimeve publike, siguri më e lartë energjetike, zhvillim të ekonomisë lokale, krijimin e vendeve të punës dhe vlerë të shtuar rajonale.
Ndaj për të gjitha sa më sipër organizohen ditët e energjisë së gjelbërt në Tiranë, brenda qëllimit për të promovuar aktivitete mbi eficensën e energjisë (EE) por gjithashtu edhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi Efiçiencës së energjisë tek qytetarët. Për më tepër, të gjithë partnerët tanë europian do të përdorin Rrjetin e eficencës së energjisë për të ftuar dhe mbështetur njeri – tjetrin në këto lloj aktivitetesh ku transferimi i njohurive do të jetë një nga pikat kyçe.
Të ndërtojmë qytetin e së ardhmes dhe ai nuk bëhet vetë, detyra jonë në këtë moment është që të sigurojmë që qyteti jo vetëm të zgjerohet nëpërmjet projekteve strategjike, por të rritet i shëndetshëm dhe i qendrueshëm ekologjikisht! Ju faleminderit dhe punë të mbarë konferencës!”,- përfundoi zonja Xhindi”.