Fiks Fare/ Çudia në Gjirokastër, shteti uzurpon prej 6 vitesh pronën private

195

“Fiks Fare” denoncoi uzurpimin e një prone private nga vetë institucionet shtetërore. Godina e Shërbimit Social Shtetëror dhe Inspektorati i Punës në Gjirokastër është pronë private. Dhe, prej 6 vitesh, këto institucione e kanë uzurpuar, ndërkohë që nuk paguajnë asnjë detyrim ndaj pronarëve, të cilët kanë edhe certifikatë pronësie. Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” u ankua z. Dritan Sako, i cili është përfaqësues i familjes. Ai thotë se ka një pronë dykatëshe në lagjen “Pazari” në Gjirokastër dhe, pasi ka marrë certifikatën e pronësisë, ka shkuar te prona. Por, çuditërisht në atë pronë ka parë punonjës të vetë shtetit, të cilët e kishin zënë. “Pronën e kemi përfituar nga Kthimi i Pronave, ku shkruhet se “pronësia i njihet dhe rikthehet ish-pronarit për të dyja katet e kësaj godine’. Më pas ka dalë edhe urdhri i ekzekutimit dhe më vonë kemi nxjerrë edhe certifikatën e pronësisë. Por, çuditërisht, kemi ardhur në pronën tonë dhe këtu ushtron aktivitet një zyrë shtetërore. I kemi pyetur dhe na kanë thënë se është shtet. Prandaj jemi drejtuar emisionit “Fiks Fare”, thotë Sako. Gazetarët e “Fiksit” shkojnë në pronën në fjalë, e cila është një godinë karakteristike gjirokastrite. Dykatëshe me sipërfaqe 107 metër katror, njollë trualli. Bashkë me qytetarin, gazetarët shkojnë brenda godinës, ku rezulton se godina kishte ndryshuar. Por, brenda këtyre zyrave kishte punonjës të Shërbimit Social Shtetëror dhe të Inspektoratit të Punës. “Fiksi” bisedon me shefin e Inspektoratit, i cili thotë se ata janë futur në ambientet e SHSSH-së dhe se juristja e atij institucioni e di për gjendjen juridike të godinës. Më pas, gazetarët dhe qytetari bisedojnë me juristen e SHSSH-së, e cila thotë se janë prej disa vitesh në këto zyrë. “Kështu i kemi gjetur ndërsa na thotë se kështu i kanë gjetur” thotë ajo. Juristja tregon se i ka dërguar një kërkesë Hipotekës së Gjirokastrës për statusin e pronës dhe Hipoteka i ka kthyer përgjigje se ambientet janë shtetërore. Megjithatë, sipas juristes, përgjigja zyrtare duhet të merret nga drejtoresha e SHSSH-së, Magdalena Margariti. Në pritje të përgjigjes, “Fiksi” shkon hipotekë dhe pyet drejtorin, Florjan Taçi për statusin juridik të pronës. Ai thotë se godina në fjalë është në pronësi të familjes Sako etj., ndërsa shton se është regjistruar në vitin 2016, ku është lëshuar edhe një certifikatë pronësie. “Fiks” pyet sërish në SHSSH, ku në një bisedë telefonike drejtoresha Margariti thotë, se ashtu e ka gjetur zyrën. “Unë kam 1 vit në detyrë dhe ashtu i gjeta zyrat. Për më tepër, nuk ju ndihmoj dot” thotë ajo. Pra, megjithëse institucionet shtetërore kanë uzurpuar një pronë private prej 6 vitesh, ato nuk i paguajnë asnjë detyrim pronarëve, të cilët janë sorollatur për vite me radhë.