Festohet 92-vjetori i krijimit të Forcës Detare Shqiptare

73
Nga Shefqet Kërcelli

Më 22 dhjetor, në Komandën e Forcës Detare, Plepa, Durrës, u festua 92 vjetori i Krijimit të Flotës sonë Luftarake Detare. Në këtë festë të detarëve tanë me uniformë morën pjesë krahas kuadrove dhe detarëve të Forcës Detare dhe ish kuadro të Flotës Luftarake, që kanë shërbyer në vite, në anije dhe baza të rëndësishme të Flotës, përgjatë gjithë bregdetit shqiptar. Gjithashtu për të nderuar fetën e detarëve dhe kontributin e tyre, në vite mori pjesë dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, kuadro të Ministrisë së Mbrojtjes, përfaqësues të medias, etj. Mbas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, Komandanti i Forcës Detare, Gjeneral brigade Ylber Dogjani bëri një përshkrim të historisë së Flotës Luftarake, tani Forcë Detare nga krijimi i saj më 25 dhjetor 1925. Në fjalën e tij përshëndetëse zoti Dogjani evidentoi dhe rolin e ekuipazheve të anijes “Oriku” në operacionin “Sea Guardian” të Detit Egje, ku detarët tanë kryejnë detyra bashkë me anijet e NATO-s. Populli shqiptar ka një traditë të spikatur të detarisë, përgjatë gjithë historisë shekullore, të vërtetuar e dokumentuar nga mjaft studiues vendas e të huaj. Në çdo periudhë, epokë apo ngjarje historike, roli i detarëve shqiptarë në Adriatik e Jon, ka qenë prezent, për vetë pozicionin gjeografik të vendit tonë. Sigurisht, në këtë histori të ndritur periudha mbas krijimit të shtetit shqiptar zë vend kryesor. Gjatë kësaj rruge shekullore, ku bashkohet kontributi i disa brezave, përfshihet dhe roli i pazëvendësueshëm i detarëve me uniformë, të cilët në vite, me sakrifica, vështirësi, guxim e heroizëm, duke u përballur me dallgët e detit, gjatë lundrimeve pa fund, ditë e natë, në mot të qetë e të trazuar, kanë shkruar historinë e tyre të lavdishme, si pjesë integrale e Historisë së Popullit Shqiptar. Sot ne nderojmë dhe respektojmë aktin heroik të dy ekuipazheve të anijeve “Shqiponja” dhe “Skënderbeg”, të cilët me përvojën e tyre si detarë, më 25 dhjetor 1925, filluan patrullimin në ujërat tona, në emër të një qëllimi të madh, ruajtjes së kufirit detar të shtetit shqiptar. Në shtypin e asaj kohe shkruhet se dy anijet e bregëzuara në Currila u përshëndetën nga qytetarët e Durrësit dhe pasi u larguan një milje nga bregu, bënë tre të shtëna me topa. Nga ajo ditë e shënuar, Flota jonë Luftarake ka njohur transformime dhe zhvillime të rëndësishme, me uljet e ngritjet e saj, por duke ruajtur çdo kohë substancën e popullit tonë, si popull detar”. Ndërkohë Shefi i Shtabit të FA, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku, në përshëndetjen drejtuar detarëve theksoi se, mundi, sakrificat dhe vështirësitë e kaluara në qindra lundrime, stërvitje apo operacione në hapësirën tonë detare nuk harrohen kurrë nga populli ynë dhe do përcillen nga brezi në brez. “Flota jonë Luftarake Detare, në këto 92 vite ka pasur zhvillime të rëndësishme në varësi të strategjisë dhe politikave të sigurisë të ndjekura nga shteti ynë. Efektivat e Flotës sonë Luftarake Detare në këto 92 vite janë dalluar për profesionalizmin, kulturën, vullnetin e përkushtimin në kryerjen e misionit fisnik për mbrojtjen e kufijve dhe zbatimin e ligjshmërisë detare, duke bashkëvepruar me strukturat e tjera të shtetit shqiptar. Detarët tanë shkruan me mund, djersë, gjak e sakrifica të panumërta, historinë e ndritur të Forcës Detare Shqiptare. Ndaj ju uroj përzemërsisht: Gëzuar 92 vjetorin, ditën e krijimit të Forcës Detare! Respekt dhe mirënjohje për të gjithë detarët shqiptarë, me dhe pa uniformë, të cilët në shekuj janë hedhur mbi valët e detit, me të drejtën që i jep pozicioni gjeografik i vendit të shqiponjave! Është gjë e bukur që festa e detarëve përkon dhe me festat e fundvitit! Gëzuar Krishtlindjet dhe Festën e Vitit të Ri 2018! Në fund të ceremonisë festive, për mjaft kuadro të Flotës sonë Luftarake u shpërndanë certifikata mirënjohje bazuar në kontributin e tyre profesional dhe shumëvjeçar në Flotën Luftarake, sot Forca Detare. Theksojmë se data 25 dhjetor 1925, u caktua si dita e krijimit të Flotës Luftarake, në një Vendim të Qeverisë Meksi, në Korrik të vitit 1992. Kjo erdhi si rezultat i një punë kërkimore, hulumtuese dhe shkencore në arkivat e shtetit shqiptar nga kryesia e Historianëve Ushtarakë, nën drejtimin e të ndjerit. Prof. Dr. Gjergj Titani. Pjesë e këtij komisioni isha dhe unë, (Sh. K), ku ne si grup, me kujdes, bazuar në dokumente autentike, propozuam të gjitha Festat e Forcave, Armëve e Shërbimeve, të shtrira në afate kohore që nga themelimi i Ushtrisë Shqiptare më 4 dhjetor 1912. Në përkujtim të këtij jubileu të detarëve shqiptarë, le të hedhim një vështrim të shkurtër të historisë së Flotës sonë Luftarake, bashkë me lexuesit tanë. Nga “Elco-ot” Amerikanë të Luftës I Botërore, tek “ARChangel-at” e 2010, Dhuratë e Departamentit të Shtetit të SHBA. Në arkivat e Mbretit Zog shkruhet se, më 24.06.1928, u krijua Komanda e Marinës në Durrës, me komandant, kapedan Ahmet Kapidani, dhe u mblodhën rekrutët e parë për këtë armë. Po këtë vit në bazë të një marrëveshje ndërmjet qeverisë së asaj kohe dhe qeverisë italiane u sollën nga Venecia 5 (pesë) MV “Antisomergibile” të tipit “Elco” Amerikan, të cilat ishin përdorur gjatë Luftës së I-rë Botërore. Gjatë periudhës së Luftës së 2-të Botërore, pothuajse u rrënua gjithçka nga këto anije. Ndaj, çlirimi i vendit e gjeti Flotën Shqiptare në gjendje të mjerueshme, me pothuajse të gjitha anijet të mbytura në portet, bregdetin shqiptar, italian dhe dalmat. Ndërkohë fillimi i vitit 1945, shënoi përpjekjet e para për riorganizimin dhe ringritjen e Forcave Detare. Kështu më 23 shkurt 1945, pranë Komandës së Përgjithshme të UNÇLSH, u krijua Seksioni i Marinës Luftarake me shef seksioni, Kapiten 1 Abdi Mati. Nga dokumentacioni i kësaj komande vlejnë për t’u përmendur urdhrat për thirrjen e oficerëve të marinës në detyrë, urdhër nr. 44, dt. 30.03.45, për riorganizimin e kantiereve të riparimit dhe funksionimin e kapitenerive të porteve nën kujdestarinë e seksionit të marinës, urdhri nr. 82, dt. 04.05, “Për rikthimin e barkave shqiptare që ndodheshin në Itali”, etj. -Më 15 gusht 1945, u bë përurimi i hedhjes në ujë të dy motoskafëve trofe me numër MS-10 dhe MS-12. Këto motoskafë u armatosën me mitraloz të lehtë dhe filluan patrullimin në ujërat tona bregdetare. -Mbas viteve 60, u shënua fillimi i një etape të re zhvillimi të FLD, me pajisjen e tyre me silurhedhës e më vonë me Minaheqëse, Gjuajtës Detarë, Nëndetëse dhe anije ndihmuese të llojeve të ndryshme. Për këtë u shfrytëzuan edhe konjukturat politike të kohës. Bëhet fjalë për lidhjet e bashkëpunimin në shumë fusha me vendet e ish-kampit socialist, që i shërbyen dhe strategjisë e gjeopolitikës të këtij kampi. -Mbas viteve 90, me mbështetjen e partnerëve tanë te NATO-s, veçmas SHBA, si dhe nën kujdesin e qeverisë dhe popullit shqiptar, Forca Detare ka bërë hapa para për realizimin e misionit kushtetues, mbrojtjen dhe zbatimin e ligjshmërisë detare, mbajtjen në kontroll të kësaj hapësire nëpërmjet Sistemit të Ri të Vëzhgimit të saj si dhe krijimin e kapaciteteve te nevojshme operacionale për planifikimin dhe zhvillimin e operacioneve humanitare në ndihmë të komunitetit. Duke mbajtur një prezencë të përhershme dhe aktive në det, Forca Detare është tashmë një aktor i rëndësishëm dhe i vlerësuar nga opinioni, shteti shqiptar dhe partnerët tanë. Ndërkohë anëtarësimi i vendit tonë në NATO, solli nevojën e një teknologjie ndërvepruese e efikase me partnerët e FD dhe hartimin e një plani modernizimi racional, mbështetur në burimet ekonomike që afronte shteti shqiptar. Ky plan transformimi përfshiu modernizimin e FD me sisteme, pajisje e mjete detare, të shtrira në plane afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, ku prioritet ka qenë kompletimi me mjete të reja që kryejnë misionin e Rojës Bregdetare. Në dekadën e fundit pajisja e FD me katër anije patrulluese të mëdha, në kuadër të zbatimit të kontratës me Kompaninë Holandeze “Damen Shipyards”; me Motovedeta të shpejta “Archangel”, Dhuratë e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA dhe anije anti-ndotje që u blenë në Itali, ndërtimi i Sistemit të Vëzhgimit tё Hapësirës Detare nga firma prestigjioze Amerikane “Lockheed-Martin”, pajisja me sisteme tё vëzhgimit natën dhe sistemin AIS të anijeve të Rojës Bregdetare, përmirësimet infrastrukturore të vendbazimeve detare etj. janë hapa konkretë në zbatim të këtyre politikave zhvillimore të Forcës Detare. Në këtë kuadër projekti më i rëndësishëm për modernizimin e FD, ishte nënshkrimi më 13 nëntor 2007, i marrëveshjes për pajisjen e FD me 4 anije Patrulluese STAN PETROL-4207. Ky projekt bëri të mundur që 6 vjet më parë më 5 Shtator 2008, në molin Nr.5 të Portit të Durrësit të bregëzohet anija ”Iliria”, (P-131), një trashëgimtare e denjë e ”Liburnes” dhe ”Lembes” ilire. Në vijim më 14 Maj 2009, filloi ndërtimi i anijes ”Oriku”, (P-132), e cila u lëshua në ujë më 13 shtator 2011 dhe më 3 dhjetor 2012 u lëshua në ujë anija e tretë, (P-133) ”Lissus”. Ndërkohë më 8 prill 2014 u lëshua në ujë anija e katërt, ”Butrinti” (P-134), që shënoi dhe përfundimin e këtij projekti. Modernizimi i FD me pajisje, sisteme dhe anije për të zëvendësuar teknikën e vjetër me teknikë moderne e bashkëkohore, të ndërveprueshme me NATO-n, me qëllim rritjen e kapaciteteve operacionale për realizimin e misionit dhe detyrave të përcaktuara në ligj, janë hapa konkretë në zbatim të këtyre politikave zhvillimore e transformuese të këtyre viteve të fundit. Theksojmë se historikisht, përbërja, struktura dhe mjetet që kanë pasur në dispozicion Forcat Detare kanë ecur paralel me zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit dhe mundësitë financiare të shtetit shqiptar, një mbështetje e cila ka qenë e vazhdueshme në këto 92 vite të ekzistencës. Krahas modernizimit është punuar për arsimimin dhe kualifikimin e kuadrove e personelit të anijeve si brenda dhe jashtë vendit. Gjatë këtyre 27 viteve, vetëm në SHBA, janë kualifikuar në shkolla dhe akademi të ndryshme detarie mbi 100 kuadro detarë të rangjeve të ndryshme, me një kosto miliona dollarë. Sigurisht që anëtarësimi i vendit tonë në NATO, e bëri evident ndryshimin dhe reformimin e Forcës Detare, përmirësimin e legjislacionit detar, konsolidimin e strukturave, modernizmin dhe pajisjen me mjete të kohës, etj. Forca jonë Detare ka pasur një bashkëpunim të frytshëm me Komandën e Komponentit Detar të NATO-s në Napoli dhe Northwod, Angli, me Flotën e 6-të të SHBA në Mesdhe si dhe me Flotat partnere të vendeve anëtare të NATO-s, duke zhvilluar projekte të rëndësishme që kanë shtuar aftësitë dhe kapacitetet e tjera operacionale. Në këto vite FD ka bërë hapa para në realizimin e misionit kushtetues, mbrojtjen dhe zbatimin e ligjshmërisë detare, mbajtjen në kontroll të kësaj hapësire nëpërmjet Sistemit të ri të Vëzhgimit të Hapësirës sonë ujore dhe zhvillimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit. Zhvillimi e transformimi, kjo është simbolika e Forcës sonë Detare në këtë 92 vjetor. Është fakt që ky përvjetor i 92-të i gjen Forcat Detare më të afta, më të pjekura dhe të maturuara, me një personel të motivuar e të aftë profesionalisht, me mjete të reja dhe infrastrukturë moderne. Zhvillimi dhe transformimi është karakteristikë kryesore e Forcës sonë Detare, e cila tashmë është një partnere denjë e Flotave të NATO-s. Vetëm gjatë këtyre viteve të fundit, efektivat tona kanë zhvilluar një sërë stërvitjesh të përbashkëta me vendet e NATO-s, brenda dhe jashtë vendit si:-“Adriatik-Phiblex”, “Adrijon-Livex”, “Albanian-Lion”, si dhe ato për zbatimin e ligjshmërisë detare dhe SAR, në bashkëpunim me Forcat e tjera të Ushtrisë dhe Institucionet tona detare si “Durrës-SAR-Ex”, “Vlora-SAR-Ex”, “Shqiponja e Lumtur”, “Delfini”, “Imponimi”, “Joni”, etj. Moto e detarëve tanë është, gatishmëri, aksion, prezencë dhe kontroll të hapësirës sonë detare gjatë gjithë kohës. Nën këtë moto ekuipazhet e anijeve të gatshme në vite kanë zhvilluar një sërë operacionesh humanitare nga jugu në veri, duke u vlerësuar nga opinioni dhe komuniteti ynë. Në zhvillimin e këtyre operacioneve Forca Detare bashkëpunon ngushtësisht me institucionet e tjera detare me interesa në det, si Kapitaneria e porteve, Policia Kufitare, Anti-kontrabanda Detare, Inspektorati i peshkimit, Inspektorati i mjedisit, Delta Forcë etj, dhe në kuadër të QNOD. (Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare). Natyrisht personeli i kësaj Force është i ndërgjegjshëm se në të ardhmen ka plot sfida e detyra konkrete, që kanë të bëjnë me transformimin dhe modernizimin e Forcës Detare si dhe monitorimin efikas të situatës detare, për të cilat detarët tanë kanë paracaktuar vizionin, objektivat e synime të qarta. 

Shënim:-Të nderuar lexues, Historinë e plotë të Forcës Detare Shqiptare e gjeni tek “Antologjia e Detarisë Shqiptare”, vëllimi i 2-të dhe i 3-të.