SHBA, REFUZON MBI 170 VIZA ZYRTARËVE SHQIPTARË

514
Sigal

Zëri i Amerikës: Refuzimi i vizave amerikane ndaj 170 zyrtarëve shqiptarë

Pozicioni i Ambasadës së SHBA kundër korrupsionit dhe synimi i saj për t’iu mohuar hyrjen në SHBA, zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar, mbetet i pandryshuar

Janë mbi 170 zyrtarë dhe ish-zyrtarë shqiptarë, së bashku me familjet e tyre, të cilëve, që prej vitit 2017 e deri më sot, u është mohuar ose revokuar viza për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky fakt u bë i ditur dje nga Ambasada Amerikane në Tiranë.

Ambasada amerikane në Tiranë: Kontroll çdo vize të zyrtarëve

“Ambasada e SHBA vazhdon të ushtrojë autoritetin e vet të gjerë për të mohuar dhe revokuar viza bazuar në informacione që tregojnë se një individ mund të jetë i papranueshëm në Shtetet e Bashkuara dhe do të vazhdojë ta përdorë këtë autoritet për të çuar përpara përpjekjet antikorrupsion në Shqipëri”, shpjegon selia diplomatike amerikane, ndërsa thekson më tej, se ajo i merr “shumë seriozisht pretendimet për korrupsion dhe do të vazhdojë të shqyrtojë vizat dhe aplikimet për vizë të zyrtarëve publikë me kontroll shtesë”.Në fillim të vitit 2017, ambasada amerikane njoftoi se i kishte refuzuar vizën një grupi të përbërë prej disa gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë të nivelit të lartë, mes të cilëve dhe Prokurorit të Përgjithshëm të kohës, Adriatik Llalla. Në 2018-n, me vendim të Sekretarit amerikan të Shtetit, zotit Llalla dhe familjes së tij, iu ndalua përgjithmonë hyrja në Shtetet e Bashkuara. Ndaj zotit Llalla që prej vitit të shkuar ka nisur një hetim, nën dyshimin për disa vepra penale, që nga korrupsioni te pastrimi i parave. Një vendim i ngjashëm me atë ndaj ish-kryeprokurorit është marrë dhe ndaj deputetit Tom Doshi, i rreshtuar në krah të shumicës aktuale.

Pozicioni i Ambasadës së SHBA kundër korrupsionit mbetet i pandryshuar

“Pozicioni i Ambasadës së SHBA kundër korrupsionit dhe synimi i saj për t’iu mohuar hyrjen në Shtetet e Bashkuara zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar mbetet i pandryshuar”, përfundon deklarata e djeshme e selisë diplomatike amerikane në Tiranë.

Në Shqipëri Fenomeni i Korrupsionit i përhapur dhe shqetësues

Në Shqipëri fenomeni i korrupsionit vlerësohet të jetë gjerësisht i përhapur dhe në nivele shqetësuese. Raporti i fundit i Trasparency International, e renditi Shqipërinë në vendin e 99-të, ndryshe nga një vit më parë kur ajo ishte e 91-ta. Raporti që përfshin 180 vende të botës përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zero tregon për një vend shumë të korruptuar. Sipas Trasparency International “duke qenë vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Shqipëria ishte përmirësuar gjatë pesë viteve të fundit me pesë pikë. Por, krahasuar me një vit më parë ajo ka shënuar rënie për dy pikë, nga 38 në 36 në krahasim me vitin e kaluar. Kjo mund të jetë për shkak të një ngërçi politik që bllokoi disa reforma anti-korrupsion të ecin përpara. Me një proces të ri të vettingut dhe kuadrin institucional të kundër korrupsionit pothuajse të plotë, mbetet për t’u parë nëse Shqipëria do të përmirësojë rezultatin e saj në të ardhmen”, vlerësonte raporti.