Atentati ndaj Çapjave dhe djegia e dy makinave në Elbasan, zbulohet pronari

527
Detaje të reja janë zbardhur nga djegia e dy makinave në Elbasan. Njëra prej tyre u dogj rreth orës 23:00 të së shtunës, në Lagjen “Kala”. Ishte makinë tip “Benz” me targa AA 663GF në pronësi të Xhevahir Hoxha me banim në Tiranë.
Ky mjet në momentin që i është vënë zjarri është gjetur pa targa dhe ishte denoncuar i vjedhur në Tiranë.
Gjatë fundjavës është automjeti i dytë në pak orë që iu vu flaka në lagje të ndryshme në Elbasanit dhe që rezultojnë të vjedhur në Tiranë.
Policia nuk ka dhënë detaje por po hetohet për t’u zbuluar se kush janë personat që i kanë vjedhur këto mjete dhe nga kush janë përdorur.
Për njërin prej tyre policia ka konfirmuar zyrtarisht se u përdor gjatë një atentati të dështuar në lagjen “Emin Matraxhiu” ndaj fisit Çapja ku objektiv ishte ekzekutimi i Ardian Çapjes i cili iu ka shpëtuar dy atentateve deri tani.
Ardian Çapja është vëllai i Sokol Çapjes, ish-pronari i Hotel “Univers” i ekzekutuar në vitin 2005, vrasje e cila shërbeu si pikënisje për një sërë atentatesh të përgjakshme në qytetin e Elbasanit. 
Ndërsa për rastin e makinës që u gjet e djegur rreth orës 23.00 të së shtunës, policia po heton dhe dyshimet e para janë që edhe ky mjet të jetë përdorur nga ndonjë person ose grup me aktivitet kriminal.
Sigal