Festivali i 8–të Ndërkombëtar i Polifonisë “Bylispolifonia -2018”.

840
Albert Z. ZHOLI
Flasin Prof. Piro Miso, Prof. Bardhosh Gaçe, “Mjeshtër i Madh” , Ermir Dizdari 8-9 Qershor, 2018
Ky Festival do të zhvillohet në Teatrin e Qytetit Antik “BYLIS”, i organizuar nga Shoqata “Polifonia Shqiptare”, Shoqata Atdhetare Kulturore “Mallakastra”, “Shoqata Vullnetare për Zhvillim dhe Solidaritet” në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës RSH, Qarkun Fier, Bashkinë Ballsh dhe Fier, në datat 8-9 Qershor 2018 me rastin e 550-vjetorit të rënies së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Prof. Pirro Miso
Aktiviteti i muzikës popullore polifonike që do organizohet këto ditë në qendrën arkeologjike të qytetit antik të Bylisit, pa dyshim, është një ndër ngjarjet më të rëndësishme të trashëgimisë muzikore popullore shekullore të shqiptarëve që banojnë si brenda ashtu edhe jashtë saj. Ky organizim i përvitshëm, i teti për nga radha, organizohet, mbi të gjitha, me kontributin pasionant të një nga bartësit më të shquar të polifonisë shqiptare vokale, të korifeut e solistit të grupit polifonik dhe shoqatës të Polifonisë Shqiptare, z. Yzeir Llanaj. Pikërisht ky përkushtim i veçantë i këtij korifeu mbresëlënës, mbledh çdo vit, të gjitha grupet polifonike të krahinave Jugore të Shqipërisë në qendrën arkeologjike të Bylisit. Edhe këtë vit, me gjithë vështirësitë e krijuara nga institucionet shtetërore, mënyrën refraktare e tyre, organizimi i këtij eventi madhorë, i dedikohet fuqisë kreative, pasionit si dhe përkushtimit të artistëve popullorë të shoqatave të polifonisë popullore të cilët me sakrifica të natyrave të ndryshme përballojnë çdo vit, demonstrimet artistike të vlerave identitare të kulturës muzikore shekullore në qytetin antik të Bylisit. 

Ermir Dizdari, “Mjeshtër i Madh”
Një kontribut shumë të rëndësishëm në përcjelljen origjinale të krijimtarisë folklorike, veç të tjerash kanë edhe tetë Festivalet e Polifonisë në Bylis. Këto festivale ndikojnë fuqishëm në ruajtjen e grupeve polifonike të konsoliduara, ndonëse në kushtet e një tranzicioni të vështirë. Deri më sot janë aktivizuar gupet polifonike të Tepelenës, Vlorës, Gjirokastrës, Delvinës, Sarandës, Përmetit, Skraparit, Librazhdit, Lunxhëria, “Zëri i Bilbilit”, “Jonianët”, “Kaonët”, Himara, Dukati, “Buronjat Labe”, Velça, Trevllaznit, Tërbaçi, “Jehona Labe”, Ura Vajgurore, Çipini, Semani , “Gjergj Araniti”, Mallakastra, Fiershegani, grupi “Bashkia Fier”, Sevasteri, Drashovica, Roshniku, grupi “Demir Zykua”, Kolonja ,Skrapari, grupi “Gratë e Korçës”, Gora, grupi “Bashkimi”, Ansambli i Shtetit, Rrajca, Gramshi, Dropulli, grupi “Çamët e Fierit”, grupi “Bijtë e Tepelenës”, Kalivaçi, grupi “Gratë e Myzeqesë”, grupi i “Qytetit Tepelenë”, Bënça, grupi “Fëmijët e Sarandës”, Fierit, Kutës, Çorovodës dhe grupi “Fëmijët e Kalivaçit”, etj, duke sjellë pasurinë e larmishme dhe stilet e ndryshme të polifonisë shqiptare. Në këto festivale kanë marrë pjesë artistët popullorë të grupmoshave të ndryshme, të afirmuar dhe të rinj, sikundër grupi polifonik i Progonatit, të Tepelenës. Së bashku me grupet e zonave ku këndohet polifonia, në festivale kanë marrë persë edhe grupe polifonike nga Janina, Italia, Bullgaria, Kanadaja, Zvicra, Maqedonia. Prirja e parë e këtyre festivaleve, ishte prezantimi i materialit burimor të polifonisë, në gjendjen siç jeton ende në masat e gjera, pa iu nënshtruar ndonjë përpunimi të veçantë. 

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe 
Festivali “Bylis-polifonia” është risi, ruan traditën. Pavarësisht produktit të madh muzikor, që është i njohur në Labëri, në Shqipërinë e Jugut dhe në mbarë vendin, të polifonisë labe dhe veçmas asaj të Himarës, studimet shkencore për të nuk kanë qenë të plota. Emra të njohur si Ramadan Sokolit, i cili ka trajtuar shumë çështje të strukturës së këngës së polifonisë labe, Hysen Filja dhe studiuesve të njohur Spiro Shetuni e Beniamin Kruta, qoftë dhe etnomuzikologëve të huaj gjermanë Doris dhe Erik Shtokman, polifonia labe, veçmas ajo e Himarës, kërkon akoma studime dhe interpretime shkencore në zhvillimet e reja bashkëkohore. Janë të rëndësishme të studiohen dhe interpretohen tiparet përgjithësuese dhe dalluese të kulturës muzikore polifonike, veçoritë e melodikës, kontrapunkti, harmonia, stilet muzikore dhe shumë çështje të tjera të brendshme të saj. Polifonia labe është një zhvillim i hershëm, por nëpër vijimësinë historike ajo ka pasur zhvillimet e veta në zona dhe treva të ndryshme të Labërisë, kështu që ajo është e rëndësishme të përfshihet shkencërisht në studimet krahasuese me muzikën polifonike të popujve të tjerë etj. Në fund të fundit, polifonia është kulturë muzikore e një krahine të madhe, kështu që nuk ka vend në asnjë mënyrë, krahasimi i polifonisë së Jugut me homofoninë e Veriut. 

Stafi organizator:
– Drejtor organizativ: Prof. Fatos Klosi, Drejtor.Artistik: Ermir Dizdari “Mjeshtër i Madh”
Juria: Zhani Ciko, “Mjeshtër i Madh”, Prof. Pirro Miso, Prof,Kosta Loli, Thanas Caci, Prof. Bardhosh Gaçe.
Grupet ndërkombëtare nga:
Bullgaria, Italia, Greqia, Maqedonia. Kosova.
Sigal