Ferit SHQEFNI/ Kur kanalet private bllokojnë TVSH

878
Në shumë fshatra të vendit, prej më shumë se dy vjet mungon sinjali televiziv. Në fshatrat e rrethit Mat, Bulqizë, Peshkopi, Mirditë, Kukës, Pukë, Tropojë, Skrapar etj., nuk kap asnjë kanal televizori, madje as RTVSH, nuk ka sinjal, edhe pse taksën e këtij televizioni e paguajnë rregullisht. Më shqetësuese është në fshatrat e Matit, Bulqizës e Peshkopisë. Kështu në fshatrat Shëlli, Shqefën, Urxallë, Barbullej, Dërjan, Vinjollë, Vig, Selishtë, Qafë-Murrë, Lurë, Kalaja e Dodës etj. Në këto fshatra nuk kap as kanali i RTVSH se për kanalet e tjera, as që bëhet fjalë. Në fakt, jo vetëm ky televizion duhet ta shtrijë sinjalin e tij në të gjithë territorin e vendit, por edhe të gjithë televizione me licencë kombëtare, duhet që valët dhe sinjali i tyre të shtrihen dhe të mbulojnë mbarë territorin e Shqipërisë, pasi edhe licenca e tyre e ka të përcaktuar. Nëse një televizion pretendon se është me licencë kombëtare, atëherë ai duhet të mbulojë me sinjal jo vetëm qytetet por dhe të gjithë fshatrat e vendit. Nëse një televizion nuk i plotëson kushtet e përcaktuara në licencë, atëherë ai padyshim duhet të mbyllet. Në këto kushte, banorët e këtyre fshatrave, duke mos pasur mundësi që të shohin ndonjë kanal televiziv, janë në një terr të plotë informativ, ku edhe për të mësuar mbi parashikimin e motit, atyre iu duhet të drejtojnë sytë nga qielli, për të pa nëse ka ndonjë re në qiell për ditë me shi, apo është qielli i pastër për një ditë me diell! Për të mësuar më konkretisht rreth këtij shqetësimi, iu drejtuam disa banorëve të fshatit Shqefën të komunës së Macukullit në rrethin e Matit. Shpëtim Suçi, banor i fshatit Shqefën, na tha se “e kemi tepër shqetësuese këtë problem, pasi nuk shohim asnjë kanal apo stacion televizori, madje edhe RTVSH, që e paguajmë rregullisht faturën prej 100 lekësh në muaj”. Më tej ai shtoi se ka edhe një problem tjetër, që të shohim vetëm dy kanale: TV- publik dhe TV- Mati (lokal) duhet të blejmë një kartë abonimi prej 600 lekësh në muaj. Ose nëse duam që të shohim më shumë kanale të tjera, duhet të blejmë një kartë abonimi mujore prej 1200 lekësh në muaj. Ky problem duket disi i ngatërruar, pasi kanali i RTVSH, jo vetëm në fshatin tonë por në të gjitha fshatrat e rrethit të Matit, deri para dy vitesh ka pasur sinjal të rregullt. Me këtë problem mendoj se duhet të merren organet përkatëse dhe kompetente, përfundon pohimin e tij banori në fjalë. Edhe Qemal Mëcuku, banor i këtij fshati, na tha të njëjtin shqetësim, duke shtuar se përderisa faturën e RTVSH e paguajmë rregullisht, është detyrë dhe përgjegjësi e drejtuesve të saj që të rregullojnë sinjalin, pasi antenat janë po ata që kanë qenë të instaluara vite më parë. Ndërsa Shkëlqim Metuku, banor po i këtij fshati, na tha se, ai, shumicën e kohës qëndron në tarracën e shtëpisë së tij duke lëvizur herë pas here antenën e televizorit, me shpresën se do të kap ndonjë kanal televiziv, por më kot lodhem, thotë ai, pasi nuk ndryshon asgjë në këtë punë. “Në vend që të merrem me një punë tjetër, që aq shumë kam për të bërë, merrem me antenën e televizorit, me shpresën se mbase e rregulloj, që të paktën të shohim lajmet për të mësuar se çfarë ndodh në vend, por e konsideroj punë boshe, pasi pa u rregullua sinjali televiziv, nuk kemi gjë në vijë”, e përfundon rrëfimin e tij ky banor. Ndërsa Fatmir Suçi, lindur në këtë fshat dhe larguar pas ‘90-ës, por që shkon shpesh në vendlindjen e tij, thotë se, “ai mban mend se në ato vite, kur banonte atje, TVSH kapte shumë mirë, madje edhe pa antenë, ndërsa pas asaj kohe, ky kanal televiziv kap me shumë vështirësi ose në shumicën e rasteve, nuk kap fare”. “Apeloj që të na rregullohet sinjali televiziv, që kur të hyjmë brenda në shtëpi të shohim lajmet, pasi kur jemi jashtë shtëpisë, shohim vetëm kope ujqërish”, shprehet Hysen Zaimi, nga një fshat i Skraparit. Ndërsa disa banorë të tjerë nga një fshat i Bulqizës, që nuk duan të identifikohen, thonë se sinjali apo valët e RTVSH, mund të jenë bllokuar qëllimisht nga ndonjë TV tjetër, që banorët të detyrohen të blejnë kartat e abonimit. Jo vetëm banorët e këtyre fshatrave në rrethin e Matit, por dhe shumë banorë të fshatrave të tjerë, që përfshihen në mbarë qarkun e Dibrës, shprehin të njëjtin shqetësim. Lidhur me këtë problem, madje ata shprehin edhe indinjatën e tyre se këtë shqetësim do ta dërgojnë deri në instancat më të larta të shtetit, duke shtuar se ky shkrim në këtë gazetë, le të shërbejë edhe si apel për qeverinë dhe institucionet përkatëse. Tek sa dëgjon rrëfimet e këtyre banorëve, është me të vërtetë për të ardhur keq, se si ka mundësi që në këto zona nuk ka sinjal televiziv, e aq më keq akoma ku mungon edhe sinjali i RTVSH, ku edhe televizionin lokal, iu duhet ta shohin vetëm nëse do të blejnë kartën e abonimit. Pse kjo verbëri dhe shurdhëri në këto fshatra? Pse ky terr informativ për banorët e këtyre zonave të thella? A mos vallë këto zona dhe fshatra nuk janë pjesë administrative e RSH? Është tepër absurde kur mësojmë apo dëgjojmë për këtë realitet të hidhur, që me të drejtë bëjmë edhe një paralele: Në të gjitha qytetet e Shqipërisë, jo vetëm që nuk bëhet fjalë për mungesë të sinjalit televiziv dhe të kanaleve të shumta televizive, por pretendohet tashmë për një shpejtësi të lartë interneti, ndërsa në fshatra, nuk kap as RTVSH, e jo më të bëhet fjalë për shpejtësi të lartë interneti! Padyshim që qeveria, sapo të mësojë dhe të njihet me këtë situatë, duhet të ndërhyjë. Është urgjente, që qeveria të ndërmarrë një veprim të tillë, që banorët e fshatrave në fjalë dhe jo vetëm, të mos vazhdojnë të qëndrojnë në terr informativ, pasi duke qenë në këtë situatë, ata jo vetëm që nuk janë të informuar se çfarë ndodh në vend, por edhe për të mësuar mbi parashikimin e motit, atyre iu duhet t’i drejtojnë sytë nga… qielli! Banorët e këtyre zonave, në fakt, nuk i drejtojnë sytë vetëm nga qielli, por ata, i drejtojnë edhe nga “qeveria”!
Sigal