Emigrantët me dy nënshtetësi dhe kushtet për pension, si procedohet për kontributet vullnetare dhe vitet e punës në emigrim

2527
A vlejnë vitet e punës të siguruara jashtë vendit për pensionin në Shqipëri?
Pyetje
Z.Gjin Zyziu në bisedë telefonike nga Italia tha: Jam nga Rrësheni. Kam linduë më 3 maj të 1952. Në Shqipëri kam punuar i siguruar 30 vjet dhe 5 vjet kam bërë sigurime vullnetare. Në Itali punoj prej disa vitesh i siguruar. Pyes, kur e plotësoj moshën e pensionit sa vite punë të siguruara duhen për pension të plotë dhe a janë të vlefshme vitet e punës që kam punuar i siguruar në Itali për pension në Shqipëri?
Përgjigje 
Ju në vendin tonë dilni në pension 65 vjeç më 3 maj të këtij viti dhe për pension të plotë duhen 36 vjet të siguruara në Shqipëri. Me 35 vjet punë që keni do të përfitoni pension të pjesshëm. Para plotësimit të moshës së pensionit nëse bëni një vit sigurime vullnetare në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Rrëshen duke paguar 57.024 lekë do të merrni pension të plotë. Dokumentet që duhen plotësuar janë: kërkesa për pension që merret e gatëshme në sigurimet shoqërore Rrëshen,libreza e punës, vërtetimi i degës ushtarake që keni qenë ushtar, dokumenti që vërteton se keni bërë sigurime vullnetare, fotokopje e kartës së idenditetit, certifikatë e gjendjes familjare dhe vërtetimi i pagës bruto që keni marrë nga 1 janri i vitit 1994 deri ditën që keni ndërprerë marrëdhëniet financiare me qëndrën e fundit të punës.Vitet e punës të siguruara në Itali janë të vlefshme vetëm për të përfituar pension sipas legjislacionit Italian. Dokumentet për pension mund ti dorëzoni në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore Rrëshen para plotësimit të moshës 65 vjet ose deri në fund të këtij viti dhe pensioni ju fillon nga data 02.05.2017.
Kontributet vullnetare për plotësimin e viteve
Pyetje 
Zonja Hëna nga Kavaja shkruan: prej 10 vjetësh banoj në emigracion në Breshia të Italisë. Më 28 mars të këtij viti plotësova moshën e pensionit 60 vjece e 6 muaj. Në fillim të marsit u paraqita në agjencinë e sigurimeve shoqërore në Kavajë dhe paraqita librezën e punës ku gjithsej kisha 14 vjet e 10 muaj, pjesërisht kam punuar në ish kooperativën bujqësore dhe pjesërisht kam bërë sigurime si e vetpunësuar në bujqësi. Sigurimet shoqërore në Kavajë nuk mi pranuan dokumentet e pensionit sepse nuk plotësoja minimumin e viteve të punës që sipas ligjit të sigurimeve shoqërore duheshin 15 vjet. Meqenëse unë prej 10 vjetësh kam qenë në emigracion dhe nuk jam informuar mirë për ligjin e pensioneve, pyes, a ka mundësi të bëj edhe 2 muaj sigurime vullnetare që të plotësoj 15 vjet punë për pension të pjesshëm ?
Përgjigje, 
Sipas ligjit të sigurimeve shoqërore nr.104/2014, datë 31 korrik të vitit 2014, kushtet për të përfituar pension shtetasit shqiptarë deri më 31 dhjetor të këtij viti, pavarësisht se ku banojnë janë dy: plotësimi i moshës së pensionit për gratë 60 vjece e 6 muaj dhe burrat 65 vjec dhe secili të ketë 15 deri 36 vjet punë të siguruara në vëndin tonë. Ju para plotësimit të moshës së pensionit keni patur të drejtë të bënit sigurime vullnetare duke paguar 4.752 lekë në muaj, kur keni qenë me leje në Shqipëri, ose të autorizonit pjestarë të familjes apo të afërmit tuaj të bënin sigurime vullnetare për ju. Nga data e plotësimit të moshës së pensionit 60 vjece e 6 muaj nuk keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare, duke ju shkuar kot kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për 14 vjet e 10 muaj. Vetëm në moshën 70 vjece sipas nenit 5/1 të ligjit të mësipërm, ju keni të drejtë të perfitoni pension social i cili nga 1 marsi i këtij viti pensioni i plotë social është 7.064 lekë në muaj nëse 5 vitet e fundit do të banoni në Shqipëri. Sa herë rriten pensionet me vendim të qeverisë shtohen dhe pensionet sociale. 
Emigrantët me dy nënshtetësi dhe kushtet për pension
Pyetje 
Në bisedë telefonike me Z. Hamid Bushi nga Ravena e Italisë tha: Jam i datëlindjes 18.2.1960 dhe kam punuar gjithsej 42 vjet punë i siguruar, nga të cilat 22 vjet në Shqipëri dhe 20 vjet në Itali. Aktualisht kam dy nënshtetësi, Pyes, kur i plotësoj kushtet për të përfituar pension në vendin tonë. 
Përgjigje 
Në Shqipëri do të përfitoni pension të plotë në moshën 65 vjeç në vitin 2021 dhe për pension të plotë do t’ju kërkohen 37 vjet e 4 muaj punë përfshi dhe periudhën që keni qenë ushtar. Me vitet e mësipërme të punës do të përfitoni pension të pjesshëm. Nëse dëshironi të merrni pension të plotë keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare para moshës së pensionit në agjencinë e sigurimeve shoqërore ku banoni në vendin tonë duke paguar 57.024 lekë në vit, ose 4.752 lekë në muaj. Për vitet e punës që keni punuar në Itali do të merrni pension sipas legjislacionit Italian të sigurimeve shoqërore. Pra kur të plotësoni kushtet merrni dy pensione.
Kushtet për përfitimin e pensionit 
Pyetje 
Në letrën që na ka dërguar Ana Jorgji nga Amerika lexojmë: jam e datëlindjes 29 janar 1969. Mbasi mbarova fakultetin ekonomik në Universitetin e Tiranës ditën, punova 20 vjet dhe aktualisht punoj e siguruar në SHBA. Jam e interesuar të di për kushtet e përfitimit të pensionit në Shqipëri sipas ndryshimeve të fundit që i janë bërë ligjit të sigurimeve shoqërore, sa vite pune të siguruara duhen për pension të plotë dhe cilat janë procedurat që duhet të ndjek për të përfituar pension në Shqipëri ?
Përgjigje 
Ju do të dilni në pension në moshën 63 vjeçe më 29 janar 2032. Për pension të plotë do t’ju kërkohen 40 vjet punë të siguruara përfshi dhe periudhën e studimeve të larta ditën të vërtetuar me kopjen e diplomës së noterizuar. Ju keni të drejtë të bëni sigurime duke paguar kontributet vullnetare nëse keni nënshtetësi shqiptare ose dy nënshtetësi që janë 62.208 lekë në vit ose 5.134 lekë në muaj. Po të siguroheni duke paguar paradhënie kontributet këtë vit për 2018, në vitin e ardhshëm për vitin 2019 e kështu me radhë, në vitin 2031 për vitin 2032 shumës së mësipërme vjetore i bëhet ulje 6%. Procedura e sigurimeve vullnetare është kjo: fillimisht ju ose një e afërmja juaj duhet të paraqiteni në agjencinë e sigurimeve shoqërore Tiranë të bëni një aktmarrëveshje për periudhën që dëshironi të siguroheni. Pastaj bëni pagesën në një nga bankat e nivelit të dytë, e cila ju pajis me një mandat arkëtimi dhe një kopje të këtij mandati banka ia dërgon sigurimeve shoqërore. Vitet e punës që punoni jashtë vendit nuk njihen për të marrë pension në vendin tonë, por do të merrni pension sipas ligjit të sigurimeve shoqërore të vendit ku banoni.