Ekzekutohet me armë zjarri 40-vjeçari, me ‘arrest shtëpie’, vdes nga tmerri i ati

621
Sigal

Reagon KSHH: Rast flagrant. Ministri i Brendshëm s’jep dorëheqjen, hesht Kryeministri!

Skandali, policia shkak për krimin e dyfishtë, nuk zbatoi masën e sigurisë

Dje ka ndodhur një nga ngjarjet më tronditëse që kemi dëgjuar ndonjëherë. Ekzekutohet në banesën e tij në Elbasan 40-vjeçari me masë sigurie ‘arrest shtëpie’, pasi policët roje që përgjigjen për zbatimin e kësaj mase, nuk bënë detyrën. Sheh krimin makabër i ati, e nga infarkti ndërron jetë. Më përpara, thuajse çdo ditë kanë ndodhur e ndodhin krime nga më të shëmtuarat. Para ndonjë viti u vra në mes të Vlorës gjyqtari Konomi, ndërsa edhe sot e kësaj dite nuk janë gjetur autorët. U vra në Durrës punonjësi i SHISH-it, dhe prapë faji ka mbetur jetim. Çdo ditë rrugët e Shqipërisë përgjaken nga aksidentetet dhe viktimat janë të panumërta. Policia vetëm sa numëron viktimat. Krimi në familje bën kërdinë. Dhe prapë policia numëron “sukseset”. E pabesueshme, por realitet i dhimbshëm në Shqipërinë e sotme, kur mund të ekzekutojnë dhe kur je në ‘besë’ e në ruajtje të policisë.  Policia, në një komunikatë të ‘thatë’ deklaroi se ‘u shoqëruan dy policët që duhet të ruanin viktimën’, dhe pohon se po punon për identifikimin e gjetjen e autorëve! Skandal dhe paradoks! Ndërsa Ministri i Brendshëm Flamur Noka që minimalisht, qoftë dhe për këtë rast, duhet të jepte urgjent dorëheqjen, nuk bëhet ‘i gjallë’. Dhe Kryeministri Berisha që është i ‘zënë’ me ‘heqjen e imuniteteve’, nuk ndjehet… Pak të thuhet që krimi ka pushtuar vendin e askush nuk e ka jetën të sigurt… Para 10 ditësh, po nën ‘ruajtjen e policisë’, u ekzekutua me thikë një i ri në burgun e Lezhës… Kurse në zemër të kryeqytetit 5 ditë më parë u ekzekutua një 37-vjeçare për një varëse floriri. Frikë, panik dhe pasiguri për jetën… Të vrasin në shtëpi, të vrasin në xhiro me fëmijët, të vrasin dhe kur je në burg… E policia jonë, drejtuesit e saj, numërojnë ‘sukseset kundër krimit!” dhe… numërojnë viktimat!

KRIMI NË ELBASAN

Krimi ndodhi në orën 10:00 të ditës së mërkurë në lagjen ‘Çlirimi’ të qytetit të Elbasanit. Viktimë e armës automatike është 40-vjeçari Gentian Beqiri, i cili ishte me masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’, i akuzuar si autor i vrasjes së pronarit të një resorti turistik në vitin 2005. Viktima Beqiri (që njihej ndryshe me emrin Ardian Metaj), ishte i paralizuar prej dy vjetësh, pasi ishte hedhur nga një lartësi për t’iu shmangur policisë që e kërkonte. Dy persona kanë trokitur në derë. Derën e ka hapur babai i viktimës, i moshuari Nezir Beqiri. Ka qenë dëshmitar por i pa fuqishëm në krimin makabër. Dy atentatorët (mbrëmë vonë policia tha se i ka identifikuar) kanë qëlluar disa herë me pistoletë mbi 40 -vjeçarin dhe e kanë lënë të vdekur në krevatin ku ndodhej. Më pas kanë ikur të qetë, pasi e ‘dinin’ (përflitet se ka qenë një skenar i përgatitur) se nuk i ndalonte kush! Por atentatorët, kanë parë të shtrirë nga skena e llahtarshme dhe të moshuarin… “Ai ka pësuar infarkt miokardi, e ndonëse e sollën në spital, kishte ndërruar jetë që në vend. Vdekja e të moshuarit është regjistruar një orë pas vrasjes së të birit” -pohuan mjekët.

SKANDALI

Teksa versionet zyrtare, (ato më sipër), janë të thata e rutinë, burime nga vendi i ngjarjes (jo zyrtare), hedhin dritë mbi skandalin e rëndë. “Dy shtetas, janë ngjitur në katin e pestë, ku banonte viktima dhe kanë nisur bisedë miqësore me dy policët roje, duke u prezantuar si djemtë e tezes së viktimës… Njëri nga autorët ka pyetur policin roje nëse ishte tezja në shtëpi apo jo. Një nga policët i ka thënë se sapo doli në treg për të bërë pazaret. Në këtë çast, njëri nga autorët i ka thënë policit roje se po shkonin të takonin Gentjanin për të pirë një kafe pasi kishin kohë pa e takuar. Policët i kanë lejuar. Në këto çaste ndodhi ajo që ndodhi… U vra djali në krevat, po iku dhe babai i shkretë pasi i pushoi zemra”,- shton një nga fëmijët e viktimave, i cili nuk pranon të identifikohet.

AKUZAT E NËNËS

Hajrije Beqirit, i vranë djalin në banesë, e njëkohësisht, për këtë i vdiq dhe bashkëshorti. Ajo akuzon policinë për krimin e dyfishtë si dhe premton hakmarrje. “E lashë në gjumë djalin dhe kisha vetëm 30 minuta që isha larguar për të blerë bukë se do të nisja të bëja drekën. Kush ma ka vrarë djalin tim, do të marr hak për të, se djali im nuk ishte vrasës… Kisha më shumë se një vit që e mbaja djalin me paketa, me bukë, nuk ikja në asnjë vend, rrija tërë ditën me të dhe në një moment që ai akoma nuk ishte zgjuar nga gjumi vendosa të bëj disa pazare, në këtë moment djali im u vra. E kam rritur me 100 mundime. Ku ishin policët, pse nuk më ruajtën djalin tim, për faj të tyre u vra djali im. Më vranë në gjumë djalin, ai ishte i pafajshëm dhe do të marr hak për vrasjen e tij”,- akuzon Hajrije Beqiri.

ARRESTIMET

Pas ekzekutimit të 40-vjeçarit Gentian Beqiri, drejtues të Policisë së Elbasanit konfirmuan se kanë marrë masa ndaj policëve që përgjigjeshin për ruajtjen e viktimës që ishte me masë sigurie ‘Arrest me burgim’. Sipas saj, policët Sami Dërstila dhe Reshat Budani janë arrestuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

VIKTIMA

Viktima Gentian Beqiri ishte arrestuar para disa muajsh si i akuzuar për vrasjen e një biznesmeni 7 vjet më parë. Sipas policisë, ai akuzohet se në muajin dhjetor të vitit 2005, ka vrarë biznesmenin Sokol Capja, i cili ishte i shoqëruar me dy mike të tij, duke pirë kafe në lokalin “Acuario” shumë pranë universitetit të Elbasanit.

——————————————————————————————-

Reagim i KSHH: Vrasje me pasoja të rënda që duhej parandaluar!

Për ngjarjen e rëndë, ka reaguar dje dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit. “Megjithëse Gentian Beqiri, duke qenë në arrest shtëpie, ndodhej në ruajtje të punonjësve të policisë, persona të panjohur kanë mundur të hyjnë brenda shtëpisë dhe ta vrasin atë në krevat. Komiteti Shqiptar i Helsinkit, edhe më parë ka reaguar për nevojën e parandalimit të krimeve dhe, zbatimit sipas rastit të ligjeve në fuqi. Kjo është bërë me qëllimin e ruajtjes në radhë të parë të jetës së personave dhe sigurimit të rendit publik. Për KShH-në, ky është një rast flagrant dhe mjaft negativ, nga i cili duhet të nxirren mësimet përkatëse, duke marrë në të ardhmen edhe masat efektive, veçanërisht ndaj personave që me vendime gjyqësore u është kufizuar liria. Në rastin konkret, duket se janë shkelur ligjet dhe rregullat e caktuara. Si pasojë, është vrarë një person dhe ka vdekur një tjetër”,-thuhet në këtë reagim.

———————————————————————————————————

Zoti Noka! Ç’duhet të ndodhë tjetër që të japësh dorëheqjen si ministër?!

Të vrasin dhe kur ruhesh me policë! Ku e ka jetën të sigurt qytetari sot zoti Ministër i Brendshëm përballë kësaj policie inegzistente, përballë një shteti që ka rënë në gjunjë para krimit, përballë kësaj situate e makthi që nga numri i viktimave, po ia kalon një lufte! Të vrasin në rrugë zoti Noka, për një varëse që ke në qafë, të vrasin në shtëpi kur tek dera të ruajnë dy policë që varen nga ti, po të vrasin dhe në burg ku ka më shumë gardianë roje se sa të burgosur! Ti nuk je specialist, e në këtë pozicion ke ardhur si partiak. Po pyetjen ‘Ku nuk më vrasin zoti ministër” ta bëjnë të majtë e të djathtë, se krimi që ti me vartësit duhet ‘ta bësh zap’ ka pushtuar vendin… Po shton makth, pasiguri e terror! Një pyetje të thjeshtë të bëjnë qytetarët e terrorizuar: ‘Çfarë duhet të ndodhë zoti Ministër që ti të japësh dorëheqjen?! Me këtë ‘bum’ krimi, jo më në Europën e qytetëruar, por dhe në vendet e pa zhvilluara të Afrikës, një homologu juaj do të kishte dhënë dorëheqjen. Ndoshta e gjitha kjo situatë, nuk është vetëm për fajin tënd, por minimalisht, dorëheqja do të tregonte se keni pak dinjitet e përgjegjësi ndaj qytetarëve. Se dhe po të shkosh sot të ngushëllosh nënën e viktimës, nuk ke çfarë t’i thuash, zoti ministër. Po Hysni Burgaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, që prej disa vjetësh është shndërruar në “monument kulture” çfarë pret? Si është e mundur të vazhdojë të jetë ende në krye të Policisë?! Natë ditë po merreni me ‘heqjen e imunitetit’, zotërinj politikanë e qeveritarë, dhe mirë bëni…. Po çfarë imuniteti kanë policët që nuk bëjnë detyrën, eprorët e tyre që më shumë janë kthyer në shërbëtorë partiakë se policë me status në shërbim të qytetarit! Sigurisht, dy policët e Elbasanit, janë përgjegjësit direktë, por janë ‘koka turku’ të një qeverisjeje jo efiçente, të një qeverisjeje që nuk garanton minimalen për ata që e kanë votuar, sigurinë e jetës për qytetarët. Krimi në rrugë po ‘ha’ dhe opozitën. Në ka vend për t’u ngritur në këmbë, më shumë se për gjithçka, është siguria për jetën e qytetarit. Po çuditërisht, dhe ajo është futur në lojën e pushtetit, në lojën  e ‘maces me miun” për probleme interesash e karrigesh… Nuk di se çfarë do të thoni sot në një dalje publike apo konferencë zoti ministër Noka që ende nuk po dorë hiqesh! Do të thuash sigurisht atë që thoni gjithmonë: Policët që nuk bënë detyrën, do të dënohen sipas ligjit!  Nuk u beson më njeri… Se kjo situatë ‘lufte’ nuk mund të mbulohet më…

K. Boriçi