Bulqizë, 66 punonjës në ditën e 2 të protestës: ACR po shkel marrëveshjen!

    362
    Sigal

    Minatorët, punonjës të firmës turke “Turkalba”, të nënkontraktuar nga kompania ACR dhe që prej tre muajsh merreshin me rikonstruksionin e galerive, nuk u lejuan nga policia private për të vijuar normalisht punën. Të indinjuar nga shkelja e marrëveshjes, ata vazhdojnë dhe sot tubimin, ndërsa kërcënojnë se do të hidhen në grevë urie. “Sipas një marrëveshjeje të bërë kohë më parë mes ACR-së e kompanisë Nënkontraktuese “Turkalba”, e cila është firmosur dhe nga METE, ne duhej të vazhdonim punën në Zonën D të minierës. Marrëveshja parashikonte që puna në këtë zonë, të konsideruar problematike për sa i përket sigurisë, duhej të niste pas rikonstruksionit të galerive. Ne kemi punuar 3 muaj radhazi për rikonstruksionin e galerive, ndaj jemi shumë të revoltuar që drejtuesit e kompanisë ACR nuk na lejuan të nisim punën normalisht”, – pohuan minatorët protestues për Gazetën Shqiptare. Ata deklaruan se në momentin që shkuan për të marrë uniformat e punës, u kthyen mbrapsht nga policia private. Ndërkaq, specialistë të minierës së kromit në Bulqizë bënë me dije se, pavarësisht investimeve dhe punës së bërë gjatë tre muajve, Zona D e kësaj miniere, në shumicën e galerive të saj, vazhdon të mbetet problematike për sa u përket kushteve të sigurisë në punë. Ndërsa, mbetet problematike dhe përplasja mes të “fortëve” për zaptimin dhe shfrytëzimin e paligjshëm të galerive. Pas protestave dhe dy grevave të urisë të zhvilluara një vit më parë, u vendos që, në Zonën D të minierës së Bulqizës të ndërpritej puna dhe të bëheshin investime në galeritë e saj.