“Zgjedhjet parlamentare të 2013-s, do të jenë referendumi më i madh i politikës”

434
Sigal

INTERVISTA/ Flet deputetja e PS-së, Vasilika Hysa: “Ndryshimi i Kushtetutës lidhur me imunitetin nuk mjafton për të luftuar korrupsionin”

 

Nga Kryeministri, është hedhur ideja e një referendumi, që mund të kapërcejë ngërçin politik të mosvotimit në Parlament, në 6 gusht, të reformës të heqje/kufizimit të imunitetit. PS-ja, sërish nuk është kundër, por e kushtëzon këtë referendum me kërkesa të tjera, sikurse kushtëzoi edhe draftin e reformës, edhe pse ai ishte i përbashkët. Deputetja e PS-së, Valentina Hysi, njëkohësisht edhe anëtare e Komisionit të Ligjeve, është eksperte në çështjet ligjore, në intervistën për “Telegraf”, pikërisht hedh dritë çfarë është nisma e Kryeministrit për referendumin. Deputetja Hysi, ka bindjen se ndryshimet për Kushtetutë, që pranon PD-ja nuk mjaftojnë për të luftuar korrupsionin, ndaj PS-ja ka propozuar ndryshime të tjera, që rritin pavarësinë e organeve të drejtësisë e gjyqësorit.  

– Zonja Hysi, sa duhet të besojmë që maxhoranca e ka vullnetin politik  për kufizimin e imunitetit?

– Kjo maxhorancë nuk ka sjell në Parlament asnjëherë nismën për të ndryshuar Kushtetutën me qëllim për të zhveshur veten nga imuniteti. Ndërkohë që, maxhoranca ka nën kontroll të plotë administratën publike dhe zyrtarët, menaxhon pasuritë dhe fondet publike, pa asnjë transparencë dhe kur asnjë nga tre ministrat e saj,  të cilëve Parlamenti i hoqi imunitetin, nuk u dënua, ndërkohë që qytetarët e thjeshtë dënohen edhe një vjedhje  deleje  me 10 muaj burgim. Qeveria bërtet dhe i kërkon opozitës që t’i heqë kësaj qeverie dhe zyrtarëve të saj imunitetin , ndërsa zyrtarët e saj nuk po përmbahen nga vjedhjet dhe aferat korruptive. Maxhoranca dhe deputetë të saj në Kuvend janë shprehur publikisht se nuk janë për ndryshime kushtetuese, por pretendojnë se nuk kanë imunitet pasi paskan firmosur një deklaratë që heqin dorë vullnetarisht nga imuniteti,

– Derisa PD-PS kanë rënë dakord për draftin e përbashkët të reformës të heqje/kufizimit të imunitetit, përse duhet  referendumi? Mos vallë Berisha do të kapërcejë kërkesat e PS-së, për ndryshimet në Kushtetutë?

– Referendum për kufizimin e imunitetit, mund të bëhet kur palët kanë mendime të ndryshme për të. Por, palët në fakt kanë qëndrime të njëjta për të. Por, në kulmin e krizës ekonomike dhe të rritjes së kriminalitetit, Kryeministri Berisha hedh në treg propozimin për referendum lidhur me kufizimin e imunitetit, sikur palët të mos kenë rënë dakord dhe për një çështje që Kushtetuta nuk ja mundëson, pa u shprehur Kuvendi me 2 të tretat e votave të gjithë anëtarëve të tij, pra pozitë dhe opozitë së bashku. Berisha nuk e njeh dhe nuk e respekton Kushtetutën, ndaj edhe e lexon së prapthi atë.

– Sipas jush, përse nuk mjaftojnë vetëm ato  ndryshimet në Kushtetutë për reformën e heqje/kufizimit të imunitetit, që pranon PD-ja?

– Ndryshimi i Kushtetutës lidhur me imunitetit nuk mjafton për të luftuar korrupsionin. Ajo që ka rëndësi është reforma në drejtësi, procedura jopolitike në zgjedhjen e anëtarëve dhe Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, një prokurori e pavarur dhe e pashantazhuar, barazi i gjithë zyrtarëve, deputetëve dhe ministrave me çdo qytetar në rastet e  gjykimit penal të tyre.  Politika nuk duhet t’i hapë rrugë reformës së drejtësisë, sistem, i cili është kapur prej fyti dhe  ka nevojë për frymëmarrje dhe pavarësi.

– Përveç një tryeze, me ekspertë juristë të zgjedhur, debati për ndryshimet në Kushtetutë  për reformën në fjalë, u kufizua, si përherë, në mes PD-PS. Kësisoj, ju keni përshtypjen që u pasurua ky debat nga të gjithë të interesuarit?

– Jo, prandaj, PS-ja nuk pranoi që të votohej nxitimthi në 6 gusht reforma e imunitetit. Kërkojmë një pjesëmarrje më të gjithë, të të gjithë të interesuarve, Ndaj sot i bëjmë thirrje Kryeministrit Berisha të mundësojë debatin publik me angazhimin e gjerë të ekspertëve, konstitucionalistëve, të vetë gjyqtarëve të fillojnë reformën në drejtësi, që është teje e nevojshme për qytetarët shqiptarë, për demokracinë dhe mirëqenien në vend dhe një nga kërkesat për të rrëzuar murin që pengon shqiptarët të hyjnë në Europë.

– Edhe pse përditë, PD-ja bën fjalë për domosdoshmërinë e votimit, qoftë me referendum, qoftë në Parlament, të reformës së imunitetit, veçse deri tani hesht për ndryshimet kushtetuese që synojnë pavarësinë e gjyqësorit e organeve të akuzës. Cila do të ishte zgjidhja?

– Nëse PD-ja vazhdon të këmbëngulë se nuk ka nevoja për reforma në drejtësi dhe për pavarësi të sistemin gjyqësor, nëse nuk është gati të diskutojë dhe të votojë në parlament  amendamentet kushtetuese që kufizojnë imunitetit dhe forcojnë pavarësinë e sistemit gjyqësor, atëherë  lë të vendosim me votë në Kuvend për të shkuar në referendum popullor dhe për drejtësinë të vendosë vota popullore.

– Duke qenë se është në pritje një vendim për referendumin e çështjeve të plehrave, mundet të organizohen referendume të ndryshme në ndërkohën një viti?

– Duke qenë se Kushtetuta kërkon që kur ka më shumë se një referendum të votohet në një ditë, e ftojmë kryeministrin Berisha të  shkojmë në referendum së bashku me atë kundër importimit të plehrave, kufizimin e imunitetit dhe ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi. Le ta thërrasim popullin te votojë për President të zgjedhur nga populli apo President të emëruar nga partia në pushtet; për Prokuror të Përgjithshëm të zgjedhur me shumicë të cilësuar 3/5 në Parlament apo për prokuror të partisë në pushtet; për gjykatës të zgjedhur po ashtu me 3/5 nga Parlamenti apo të imponuar nga partia ne pushtet. Le ta pyesim popullin për drejtësinë që kërkon me plot të drejtë dhe le të shohim si do përgjigjet ai!

– Drafti i kësaj reforme i është dorëzuar maxhorancës një vit më parë nga ndërkombëtarët, e megjithatë ndenji në sirtar. Sa realë është argumenti i maxhorancës, që kjo reformë duhet votuar sa më shpejt, para tetorit?

– Kjo maxhorancë vrapon të diskutojë ndryshimet kushtetuese me nxitim dhe jashtë vëmendjes së publikut,  për të mos lejuar një proces gjithëpërfshirës të ekspertëve dhe publikut të gjerë për një reformë të plotë anti-korrupsion, përfshirë edhe reformën në drejtësi që është në interes të gjithë qytetarëve dhe që do të bëjë të mundur realisht që zyrtarët të hetohen dhe të dënohen si çdo qytetar tjetër. Ky nxitin për një reformë të pjesshme dhe jo të plotë në luftën kundër korrupsionit, tregon se maxhoranca nuk do dhe nuk mundet të zgjidh problemet që janë të nevojshme për qytetarët dhe nevojën për drejtësi dhe barazi para drejtësi të të gjithë qytetarëve.

– Problemi kryesor i korrupsionit është pandëshkueshmëria. Sa e ndjeshme është kjo reformë e re që përgatitet, në rritjen e ndëshkueshmërisë të korrupsionit?

– Vetëm kufizimi i imunitetit nuk bën të mundur luftimin e korrupsionit.  Korrupsioni ka nevojë të parandalohet dhe të ndëshkohet. Ne votuam në parim dhe nen për nen kufizimin e imunitetit, por kërkojmë që ky kufizim të jetë real, duhet edhe disa ndryshime në kushtetutë lidhur me forcimin e rolit të Gjykatës së Lartë, ndërkohë që, po diskutojmë ligjin për Gjykatën e Lartë; është e nevojshme që si parlament të përmbushim kërkesat për ndryshimet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që vetë gjyqtarët kanë kërkuar që të zgjidhen me votim të cilësuar. Ne kërkojmë të bëhen edhe disa ndryshime në Kodin e procedurës penale, që kufizimi kushtetues i imunitetit të mos mbetet në letër, por të mundësojnë ndjekjen penale realisht në praktikë.

– Faleminderit!


Imuniteti  dhe  lufta kundër korrupsionit

 Thuhet se, zyrtarët nuk dënohen se kanë imunitet. Kush e ka penguar Prokurorinë dhe Gjykatën e Lartë të hetojë dhe të dënojë një zyrtar, që dyshohet për abuzime me pasuritë publike, kush e ka penguar prokurorinë dhe Gjykatën e Lartë të dënojë ministrat e akuzuar për vjedhjen  e Rrugës së Kombit, për viktimat e Gërdecit, për abuzimet me tenderat ndonëse Kuvendi votoi për heqjen e imunitetit të tyre. Disa ministrave në këtë qeveri iu hoq imuniteti për akuza të rënda të korrupsionit, por asnjëri prej tyre, megjithëse nuk kishte imunitet nuk u dënua, madje u promovuan nga kjo qeveri duke u nderuar si kryetar bashkie ose duke e promovuar në qeveri. Kërkesat e opozitës për reforma në drejtësi dhe pavarësi të sistemit gjyqësor nuk janë sundim i pakicës, por nevoja reale për demokracinë dhe garanci për të mbrojtur ose rivendosur të drejtat e shkelura të qytetarëve.