Durrësi, nën pushtetin e përmbytjeve

560
Sigal

LAGJET PERIFERIKE/ CEZ-i iu ndërpret energjinë elektrike, duke lënë 100 mijë banorë pa drita dhe pa ujë për 24 orë

E si të mos mjaftonte përmbytja një gjëmë tjetër u ka rënë banorëve të zonave informale në qytetin e Durrësit. Ata gjenden pa energji elektrike prej 24 orësh, e si rrjedhojë edhe pa ujë të pijshëm në shtëpitë e tyre. Me nisjen e reshjeve të shiut që kanë shkaktuar përmbytje u është ndërprerë edhe energjia elektrike në të gjitha banesat. Pa energji elektrike janë zonat ish-Kënetë, Shkozet e Spitallë, ndërsa pa energji prej dy ditësh është Komuna e Rrashbullit pranë nënstacionit elektrik, Xhafzotaj e komuna të tjera. 80 mijë banorë në zonën e ish-Kënetës në Durrës dhe zonën e plazhit gjenden nën ujë, për shkak të përmbytjeve të tre ditëve të fundit. Reshjet e dendura të shiut të nisura tre ditë më parë, kanë përmbytur me qindra familje në këtë zonë informale. Uji ka hyrë deri në katet e para të banesave ndërsa rrugët kanë kthyer në ujëmbledhës, duke bllokuar banorët, të cilët kanë deklaruar se nëse nuk do të merren masa urgjente ata do të bllokojnë rrugën. E njëjta situatë është edhe në zonën e plazhit të Durrësit nga Ura e Dajlanit deri tek Rrota e Kuqe, ku banorët qëndrojnë të përmbytur dhe uji në rrugë ka shkuar deri në 40 cm. Janë me qindra banesa të përmbytur nga uji, si pasojë e bllokimit të sistemit të kanalizimeve.

Banorët

Banorët shprehen të revoltuar për shkak të indiferencës së treguar nga strukturat lokale. Në një pjesë të konsiderueshme e shtëpive uji ka shkaktuar mjaft dëme material, duke nxjerrë jashtë përdorimit orenditë shtëpiake. “Jam nën ujë më kanë dalë të gjitha orenditë shtëpiake jashtë përdorimi, ka marrë fund gjithçka ju bëj thirrje për ndihmë në të kundërt, do të bllokojmë rrugën nacionale në autostradë, sepse asnjë prej pushtetarëve nuk ka ardhur të shikojë situatën”, deklaroi Xhevdet Jançe një banor i mbërritur nga Gramshi. Me një fëmijë në krah rreth dy vjeç, Entel Gidri përpiqet të dalë në rrugë ndërsa uji i mbuloj kupat e gjurit. “Na janë bërë fëmijët për në spital, janë përmbytur. Të dy fëmijët janë me temperaturë, do t’i çoj të rrinë në spital, sepse shtëpia është përmbytur e gjitha”, shprehet ajo. Të njëjtin shqetësim ndajnë Gani Hasmeta, Tonin Gjonaj e familjarë të tjerë, të cilët problem të madh kanë ujin që u ka mbërritur në shtëpi prej tre ditësh.