Zef Preçi: Mësimet që vijnë nga Franca demokratike

640
Askush nuk mund dhe nuk duhet të gëzohet kur mëson se një qytetar i thjeshtë, cilido qoftë ai/ajo apo një personalitet i njohur ndërkombëtarisht si ish-Presidenti francez Sarkozi, ndalohet apo më keq akoma arrestohet nga policia e vendit të vet… Por ndërkaq, mësimet që nxirren nga ky rast, e që mendoj se vlejnë edhe për “fshatin tonë politiko-mediatik”, në të cilin “udhëheqësit” vetëm flasin e flasin dhe monologojnë 24/24, por pa respektuar, as Kushtetutë dhe as ligjet vendit, janë disa. 

E para, shkeljet e ligjit që lidhen me ndikimet apo blerjet e votuesve (fenomeni përcaktues i rezultatit në të ashtuquajturat zgjedhje në “gubernën” tonë) si pjesë e korrupsionit politik, nuk parashkruhen. Sarkozi është ndaluar dhe me shumë gjasa edhe mund të dënohet penalisht për financimet e paligjshme në zgjedhjet e vitit 2007, d m th përpara 11 vjetësh…

E dyta, sado që të monologojnë “udhëheqësit” tanë në pushtet dhe në opozitë, ata nuk mund të fshehin pasurimin e tyre të paligjshëm, përdorimin e pushtetit vetëm për t’u pasuruar vetë dhe entourazhi i tyre i biznesit në qendër dhe në periferi, e për rrjedhojë edhe ndërtimi i mekanizmit korruptiv që deformon dhe tjetërson vullnetin e qytetarit të shkretë. Në emisionin “Ilva Tare Tonight”, analisti i njohur politik Afrim Krasniqi deklaroi në ligjëratë të drejtë se mbasi kishte shqyrtuar vetëm 4 deklarata pasurie të “baballarëve të kombit” të depozituara në ILDKP, kishte mësuar se “…njëri kishte 13 milionë euro dhe tjetri 14 milionë euro (pasuri te deklaruar- ZP) dhe nuk kishte punuar tërë jetën dhe shkon i kërkon qytetarit nëse ka paguar dritat në periferi…. Kërkojuni që të japin burimet e pasurive dhe shihni se si bëhet pastrimi. Këto janë reformat e mëdha.” Pyetja e natyrshme që i lind çdo “qytetari mesatar”, çdo taksapaguesi dhe zgjedhësi të këtij vendi mbas kësaj është: A do të fillojë hetimet kryesisht Prokuroria e reformuar apo thjesht “ishte loja”?! Kjo është sfida e vërtetë e reformave që do të mundësonin, jo vetëm penalizimin e shkelësve të ligjit dhe dhunuesve të vullnetit të qytetarëve të të gjitha ngjyrave, por edhe rikthimin në buxhetin e shtetit të qindra miliona eurove të grabitura nga pasuritë e vendit dhe tenderët me fondet e buxhetit… Në fakt kjo është edhe pritshmëria kryesore e reformës në drejtësi, e cila deri tani duket se tenton thjesht ndërrimin e “kuajve të karrocës”, por jo rrugën e saj, por rezultatet janë ende larg dhe besimi publik ndaj kësaj reforme po venitet krahas me deklarimet e “udhëheqësve” se “kemi bërë detyrat e shtëpisë”, thua se ca paragrafë të ngatërruara ligjesh e rregulloresh për sytë e diplomatëve kryesorë të akredituar në Tiranë janë vetë reforma e pretenduar.

E meqë pashë në TV se po mbahet “Forumi i parë Konsultativ për Anti-korrupsionin”, nën kujdesin e Ministrisë së Drejtësisë dhe Koordinatorit Kombëtar për Anti-korrupsionin, me mbështetjen e Projektit të Binjakëzimit të financuar nga BE-ja “Mbështetje në formulimin, bashkërendimin dhe zbatimin e politikave kundër korrupsionit” dhe Projektit të financuar nga BE-ja “Studimi Bazë i Matjes: Kontrata e Reformës Sektoriale për luftën kundër korrupsionit”, ndoshta dikush do t’ju bëjë me dije organizatorëve dhe autoriteteve përgjegjëse apo edhe asistencës së huaj që të lënë leksionet boshe dhe retorikën rreth anti-korrupsionit dhe duke falënderuar denoncuesin publik dhe mas-median, të deklarojnë mbështetjen e tyre institucionale për hetimin e rasteve të denoncuara nga politologu Krasniqi, si dhe angazhimin e qeverisë e Kuvendit për të mos i kthyer këto institucione në çadrën atomike të mbrojtjes së korruptuesve të votës, të të korruptuarve të dyshuar si pjesë e entourazhit politik e më keq akoma të uzurpatorëve të ulur dhunshëm në ndenjëset e “altarit të Kombit” – Kuvendit të Shqipërisë. Kjo dhe vetëm kjo rrugë mbetet krye-reforma që do të kthente gradualisht besimin e qytetarëve se ky vend mund dhe do të bëhet dhe se është përgjegjësi e secilit për të kontribuar, jo duke ikur pa kthim drejt Evropës, por duke u përballur me abuzuesit e pushtetit të të gjitha qeverive. 

Ky është mësimi i madh që na jep Franca demokratike me ndalimin e ish-Presidentit Sarkozi në prag të marrjes së ftesës për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Sigal