Francë, instalohen 4 oficerët shqiptarë

754
Ministri i Brendshëm francez, Gerard Kollomb, ka pritur në një takim zv/ministren e Brendshme të Shqipërisë, Romina Kuko, e cila e njohu me rezultatet e deritanishme në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, ecurinë e procesit të vetingut në Policinë e Shtetit dhe arritjet falë masave të marra në luftën kundër migracionit të paligjshëm. Ministri Kollomb vlerësoi rezultatet e arritura nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe shprehu mbështetjen e plotë të qeverisë franceze. Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve dhe përpjekjet e përbashkëta në mbështetje të objektivave të afërta të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Gjithashtu u prezantuan 4 oficerët shqiptarë të atashuar pranë Policisë franceze në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, parandalimit të fenomenit të azil kërkimit, për një shkëmbim më të mirë të informacionit, analizë të thelluar të tij dhe përsosjen e formave të bashkëpunimit. Marrëveshja u nënshkrua nga dy ministrat e Brendshëm në Tiranë, gjatë vizitës së Kollomb në mesin e dhjetorit 2017. Ajo i hap rrugë një faze të re bashkëpunimi, ndërtuar mbi punën e skuadrave të përbashkëta të policisë franceze dhe asaj shqiptare për grupet kriminale që kryejnë aktivitet në dy vendet.
Sigal