Durrësi, arenë hajdutësh të importuar nga Greqia dhe Anglia

49

VËSHTIRËSIA NË ZBULIM/ Policia e alarmuar: Grabitësit nuk janë të skeduar dhe janë mjaft profesionistë

Policia e Durrësit jep çdo ditë njoftime mbi arrestime të shumta, por ndërkohë vihet re se një pjesë e vjedhjeve nuk zbardhen pasi personat që i kanë realizuar këto vjedhje nuk janë të skeduar. Në lagjen Nr. 11 të këtij qyteti janë bërë rreth 8 vjedhje të shpejta dhe gjatë ditës, ndërkohë që ka pasur edhe raste që janë paraqitur në banesa dhe kanë përvetësuar shuma parash nëpërmjet mashtrimit, duke u paraqitur si shokë të fëmijëve të pensionistëve që ndodhen në emigracion dhe u kanë kërkuar në emër të fëmijëve sasi lekësh. Madje, ka pasur raste kur duke ditur emrin dhe vendin, ku punojnë emigrantët, dhe duke ditur se nuk dëgjojnë mirë të moshuarit, “janë lidhur me telefon” në prezencë të prindit dhe u kanë thënë që jepja lekët që të kërkojnë se do t’i sjellin përsëri. Ndërsa megjithëse nuk janë bërë publike, në Durrës gjatë një jave është konstatuar se kanë ndodhur dy grabitje të armatosura kazinosh me mjaft emër në këtë qytet. Grabitja e tyre ka mbetur e pazbardhur. Shumë nga këto grabitje janë të kryera nga vjedhës profesionistë, të cilët, sipas ekspertëve të policisë, janë produkt i importuar nga burgjet e Anglisë dhe të Greqisë. Por ka dhe raste kur ato konstatohen se janë të ardhur edhe nga shteti fqinje i Italisë.

Situata

Ekzistenca e tyre në Shqipëri pas daljes nga burgjet angleze, greke e italiane ka vënë në vështirësi policinë shqiptare, sepse për këta persona është problem se nuk kanë gjurmë të gishtave në databeisin e Policisë së Shtetit. Burimet policore kanë bërë të ditur se, muajt e fundit, po përballen me një rritje të kriminalitetit kryesisht në fushën e vjedhjeve, të cilat kryhen nga persona profesionistë, të cilët kanë mbërritur kryesisht nga dy shtetet e mësipërme, si të ekstraduar, apo edhe me ekspulse nga policitë e vendeve fqinjë. Kryesisht këta persona kryejnë grabitje në drejtim të kambistëve, kazinove, karburanteve dhe banesave, për të cilat kanë dijeni se ka shuma të konsiderueshme parash. Burimet policore nënvizojnë faktin se këto janë krimet më të shpeshta të tyre, të cilat deri tani kanë mbetur pa autorë, siç janë grabitja e tre kambistëve në qytetin e Durrësit, gjatë tre muajve të fundit, ku një prej të cilëve mbeti i vrarë prej tyre. Krahas rastit të dy kazinove të vjedhura brenda një jave, është bërë me tej edhe grabitja e një kazinoje në lagjen numër një të Durrësit, ku janë vjedhur herën e parë 2 milionë lekë të vjetra dhe herën e dytë 5 milionë lekë të vjetra, gjatë harkut kohor të tre javëve, por edhe grabitjet e shumave të parave në disa banesa, ku nuk janë gjendur asnjë gjurmë gishti. Duke analizuar këto raste vjedhjesh, konstatohet se këto fenomene në vitet ‘97 e deri në vitin 2000, kryheshin nga persona nën presionin e dhunës e të pakamufluar, ndërsa nga mesi i vitit 2012, e në vijim, kemi të bëjmë me përvojë të re, për policinë e shtetit dhe për inspektorët e krimeve. Sfida më e madhe për policinë është që këta persona t’i shoqërojë një herë të vetme, për t’ju marrë gjurmët e gishtave, të cilat do të jenë në databaisin e policisë.

Specialistët

“Tani të gjitha krimet në këtë drejtim janë të kryera nga profesionistë, të cilët nuk lënë gjurmë në vendngjarje, të kamufluar, të shpejtë, gjakftohtë dhe ky fenomen është importuar nga jashtë. Mësohet se ky kontigjent vjedhësish profesionistë nuk janë nga qyteti i Durrësit, por nga qytete të tjera dhe në këtë qytet organizojnë grabitjet dhe largohen më pas”, thonë specialistët.

Dyshimet

“Dyshimet janë se grabitësit e importuar nga vendet e rajonit, të kthyer me ekspulse apo të ekstraduar në Shqipëri, kanë ikur në moshë të vogël prej Shqipërisë dhe tani që janë kthyer, si pasojë e krizës në këto vende, po mësynë subjektet, ku ka shkëmbime të konsiderueshme parash, por që është shumë e vështirë për t’u kapur, pasi nuk lënë gjurmë”, pohojnë specialistët.