Duhet mik të takosh drejtorin

123
Sigal

Hermetizimi dhe kodi i heshtjes paralizon Portin Detar të Durrësit

 Prej  afro 4 muajsh, APD (Autoriteti Portual Durrës) ka një drejtues të ri, të propozuar nga kreu i Ministrisë së Transporteve, Edmond Haxhinasto dhe zgjedhur me shumicë votash nga Bordi Ekzekutiv i kësaj shoqërie. Ndryshe nga çfarë pritej, pasi Rama kishte propozuar emrin e Andrea Miçit për drejtor porti (ish-kryetar i PDNJ Korçë), emri i Selim Belortasë, ish-ministrit të viteve 1992-1993, si dhe ish-zv/ministrit të viteve 2009-2013, të qeverisë Berisha, ka fituar shumicën e votave të anëtarëve të bordit. Ardhja e zotit Belortaja në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të APD, u vlerësua nga specialistët si “një risi që duhej të shoqërohej me ndryshime radikale” në portin më të madh të vendit. Por ndoshta, nga ajo çfarë pritej, ardhja e z.Belortaja, u shoqërua në APD me disa  ndryshime të panevojshme, siç ishte edhe ajo e mbylljes hermetike ndaj mediave. Ashtu si edhe Rama për ministrat, edhe Belortaja për administratën, duket se, ka urdhëruar “kodin e heshtjes”. Pra, drejtorin e APD nuk mund ta takosh, nuk mund t’i gjesh as numrin e celularit, me të cilin një gazetar ka nevojë pune të bisedojë, pasi e ka të ndaluar ta japë çdo zyrtar i administratës tij. Hermetizmi  sidomos nga media, nuk i shërben për asnjë arsye detyrës dhe punës në APD. Një gazetar, i kujtdo  organi mediatik, qoftë lokal apo kombëtar, e ka të për detyrë dhe të nevojshme të trokasë në çdo institucion, të marrë kontakte telefonike dhe fizike me drejtuesin dhe me zyrtarë të administratës, të vjelë informacionin, që do t’i shërbente informimit të publikut. Pavarësisht zyrës së shtypit dhe  informacioneve të pakta që ajo servir në komunikata shtypi, një gazetar duhet të mos pengohet për të  kryer detyrën e tij. Porti Detar i Durrësit është porta kryesore e burimeve ekonomike të vendit, porta  kryesore nga ku hyjnë e dalin mbi 80 për qind të mallrave dhe pasagjerëve nga Shqipëria, një kuartet  gjigand, i cili ka lajme plot,dhe ato duhet të bëhen publike me anë të mediave. Personalisht, kam kërkuar disa herë të gjej numrin e celularit të Drejtorit të APD, zotit Belortaja, nga i cili kërkoja të merrja informacione të detajuara për problematikat e portit, por në të gjitha rastet, zyrtarët e administratës janë shprehur se: “nuk e kemi, nuk e japim, kemi urdhër”. Frika dhe hezitimi i zyrtarëve të administratës, më krijoi një ndjesi të keqe, e cila mendoj se, nuk i shërben  vijueshmërisë dhe bashkëpunimit mes APD dhe mediave. Një institucion shtetëror e ka detyrë t’i hapë dyert një organi mediatik, dhe të mos ndalojë takimet edhe me titullarin, por shpesh ndodh e  kundërta. Duke u gjendur përballë një situate të tillë, të pakuptimtë, kam dështuar të gjej një mik, për  të mësuar numrin e celularit dhe për të takuar Drejtorin e Përgjithshëm të APD.  Gjithçka duhet të  jetë transparente, pasi në të kundërtën, hermetizimi krijon hamendësi, të cilat janë të justifikueshme në raste të tilla. Transparenca duhet të ndodhë, duke nisur nga reformat në administratë, emërimet e punësimet e reja, format e marrjes në punë, kriteret, por edhe motivimet e largimeve. Një gjë e tillë duhet të ndodhë edhe me investimet portuale, problematikat, privatizimet etj.. Opinioni publik ka nevojë të informohet nga mediat, që e kanë detyrim ligjor të jenë transparente për gjithçka shkruajnë.  Por ndryshe nga çfarë ndodhte 4 muaj më parë, kur ish-drejtori APD, jo vetëm u jepte gazetarëve numrin e tij të celularit, por edhe komunikonte me ata për çfarë kishte porti në axhendë, problematikat dhe denoncimet që bëheshin nga firma dhe kompani private. Por sot, mediat janë  totalisht të painformuara, pasi atyre nuk u jepet akses, për ta bërë një gjë të tillë, duke u mjaftuar vetëm tek ndonjë komunikatë e vakët shtypi, për të cilën ka nevojë vetëm ATSH. Është e pakonceptueshme t’i refuzohet një gazetari mundësia e komunikimit me drejtuesin e një institucioni dhe t’i serviren atij forma dhe metoda aspak të pranueshme për të siguruar dhe konfirmuar  informacionet e marra në rrugë të tjera. Media është e lirë, dhe sot ka një ligj kushtetues, që detyron institucionet e shtetit t’i hapin dyert asaj, për të përmbushur misionin e informimit publik, duke ofruar transparencën dhe bashkëpunimin reciprok. Duket sikur hermetizimi  dhe kodi i heshtjes kanë një lidhje midis tyre. Por nuk është ashtu, pasi një institucion apo edhe një individ, mund të mbyllet në vetvete, por nuk do të thotë që ai të mos flasë, pra të përdorë kodin e heshtjes. Pothuajse të gjithë ministrat e Ramës, si dhe drejtorët e nivelit të dytë e me radhë, kanë  urdhër të ecin sipas një kodi që quhet i heshtjes, dhe do të flasin vetëm kur ata të kenë folur më parë para tij dhe pasi të kenë marrë edhe miratimin e tij. Asnjë ministër, asnjë zv/ministër dhe asnjë drejtor drejtorie nuk guxon të thyejë kodin e heshtjes. Por i pari që nisi zbatimin e heshtjes hermetike, ishte  Kryeministri Rama, me armët kimike. Pas tij, nxituan ta zbatojnë  me fanatizëm edhe ministrat e deri drejtorët në rrethe. Kjo duket ishte shpikja e fundit e Ramës, pas 23 Qershorit 2013, pasi deri para asaj date, ai premtonte “transparencë, komunikim me çdo shqiptar për hallet dhe problemet e qeverisë, investimet dhe gabimet e  aj”. E gjitha kjo ndoshta bëhet për të fshehur babëzinë që ka mbërthyer portin dhe miliardat që klani i “Belortasë”, së bashku me atë të Zemunit, duhet t’i bllokonin. Droga që po lëviz dhe qarkullon nga porti është oguri më i zi i mafies që ka lulëzuar dhe që ka venë nën tutelë institucionin dhe në shërbim të sajë, pikën më nevlargjike dhe pasurinë e shqiptarëve, që vuajnë për bukën e gojës.