Ish-Majori Ibrahim Torba: Mimi Kodhelit i kontrollohet e seleksionohet korrespodenca

616
Sigal

Denoncon ish-Majori Ibrahim Torba: Ministres i fshehin skandalet. Banditët me uniformë nuk ja kanë treguar letrën për vjedhjet në Kuçovë. Më dhunuan dhe kërcënuan. U detyrova të braktis Shqipërinë familjarisht!

“Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli i kontrollohet korrespodenca, i seleksionohet dhe i fshihen skandalet dhe grabitjet nga zyrtarë të lartë me uniformë që ende bëjnë ligjin në këtë institucion. Për më tepër, letrat që i dërgohen Kodhelit, janë po këta persona që jo vetëm i marrin letrat e nuk i çojnë në destinacion, por personat që denoncojnë, i dhunojnë dhe i kërcënojnë dhe familjarisht?”. Kështu denoncon në dy letra të firmosura nga ish-majori Ibrahim Torba, njërën drejtuar ministres Mimi Kodheli (të cilën ai thotë se, banditët me uniformë nuk ja kanë dhënë) dhe tjetra e dërguar zyrtarisht në redaksi të gazetës dy ditë më parë nga një vend europian (ishte në detyrën e Administratorit të VvAN-LAN në Bazën Ajrore të Kuçovës), ku siç konfirmon ai, ka ikur familjarisht “pas dhunës psikologjike e fizike ndaj meje pas denoncimit dhe kërcënimit që bënë në familje”. Pas publikimit të letrës së parë, redaksia e “Telegraf”, qe e hapur për përgjigjen e personave të akuzuar nga Torba. Por fatkeqësisht, asnjë reagim zyrtar nuk pati, me përjashtim të një ish-drejtuesi në Bazën e Kuçovës, ku nuk merrej me thelbin e akuzave, por në të shumtën, me figurën dhe personalitetin. Nuk është detyra e gazetës të provojë akuzat e ish-majorit për grabitjet në Kuçovë dhe për personat konkret mbi të cilët ai vë gishtin. U takon organeve kompetente, strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes e ministres Mimi Kodheli. Por kur akuzat bëhen nga një ushtarak në rezervë, nga një punonjës aktual në Kuçovë, e kur këta akuza lidhen me ‘kontrollin e korrespodencës së ministres së Mbrojtjes’, është për të reaguar dhe jo për të heshtur.

LETRA E ISH-MAJORIT

“Pas botimit të datës 5 shkurt në gazetën “Telegraf”, të letrës së dërguar ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, mua më kanë ndodhur shumë gjëra të rëndësishme. Unë e prisja një reagim nga ana e të “prekurve” në denoncimin tim, por nuk kisha parashikuar se deri ku mund të shkonte poshtërsia e tyre. Në datën 07.02.2014, në zyrat e Policisë ushtarake është ushtruar dhunë ndaj meje, dhunë fizike. Jam kërcënuar me eliminim fizik nga A. M., bashkë me një oficer tjetër, i policisë kriminale. Më nxorën para syve një letër që unë i kisha dërguar zonjës Mimi Kodheli në dt.13.01.2014. Letrat që i dërgohen asaj kontrollohen më parë nga këta, pasi dikush që merret me shqyrtimin e tyre ua jep ato policëve. Në datën 13.02.2014 janë thirrur në Policinë Ushtarake tre punonjës civilë, G.Q., V.D., dhe E. V. Ndaj tyre është ushtruar presion, janë kërcënuar me largim nga puna. Ndaj këtyre punonjësve A. M., u soll si pengmarrës duke i mbajtur të izoluar për disa orë. Në datën 17.02.2014 unë u largova nga Shqipëria. U largova për t’i shpëtuar egërsisë të njerëzve me pushtet. E vetmja gjë që më ka ngelur është të shpresoj se një ditë do të vendoset drejtësi. Unë kam besim sepse vuajtjet e mia, vuajtjet dhe lotët e fëmijëve të mi nuk do të humbasin kurrë. Në këto momente ata po vazhdojnë të qetë vjedhjen e magazinave të lëndës së parë të Bazës Ajrore Kuçovë. Rrugën e fundit, domethënë të pestën, e kanë bërë në dt.12.03.2014. Materialet merren pa dokument, pra vidhen…”.

Ibrahim Torba

Ç’i SHKRUANTE MINISTES KODHELI?

Punonjësi i Bazës së Kuçovës, ish-majori Ibrahim Torba, në letrën e dërguar Mimi Kodhelit, të cilën ai pretendon se personat e mësipërm nuk ja kanë dërguar ministres, ai akuzon për disa shpërdorime në Bazën Ajrore të Kuçovës. Ja çfarë thuhet mes të tjerave në letrën dërguar Kodhelit: “… Unë kam 27 vite punë të pandërprerë në këtë bazë si oficer dhe si civil dhe jam krenar që kam kontribuar sadopak për këtë bazë… Ju zonjë erdhët në Bazën e Kuçovës në një moment të vështirë për ‘të. Ju vizituat tunelin e avionëve në Kuçovë, por aty nuk patë avionë, por materiale të magazinuara dhe material për skrap. Ky tunel madhështor që tani është në ditët e tij më të zymta, në fund të vitit 2012 u hap dhe që aty u vodhën materiale ushtarake si: motorë avioni, krahë avioni dhe pjesë të tjera. Kjo nuk kishte ndodhur kurrë, as në vitin 1997. Theksoj se, për motorët e vjedhur detyrimisht duhet të përdorej vinç. Kjo tregon se ishte një vjedhje e organizuar mirë.

Ju zonjë ndaluat dhe para hangarit, ku dikur montoheshin avionët pas riparimit në Uzinën e Aviacionit. Ju aty patë 3 avionë AN-2 të pastruar e të mirëmbajtur. Ju zonjë nuk e dini që këta avionë janë shitur që në dhjetor 2012 dhe më 28 dhjetor 2012 është bërë dorëzimi i tyre tek kompania private që i ka blerë. Ka më shumë se një vit që kjo hapësirë e Bazës Ajrore Kuçovë rri e bllokuar në kundërshtim me ligjin. Kjo është e paligjshme, edhe sikur kompania private të paguante qira e ta arkëtonte në arkën e repartit, sepse një hapësirë prej 1400 m2 nuk mund ta japë me qira një komandant reparti. Por asnjë lekë nuk arkëtohet në arkën e repartit. A paguan dhe kë paguan ky subjekt privat për këtë nder që i bëhet? Pak më poshtë këtij hangari ndodhet një hangar i papërfunduar, brenda, të cilit ndodhen disa avionë AN-2. Ju zonjë hodhët një shikim andej, por nuk e dinit se aty mungon një avion. Është nxjerrë nga reparti një avion AN-2 që ishte dhe aktualisht është në inventarin e repartit. Ky avion është nxjerrë në Nëntor 2012, është nxjerrë pa asnjë lloj dokumenti dhe i është dhënë një subjekti privat. Avioni është tjetërsuar: I është ndryshuar ngjyra, i është fshirë numri, nuk ka asnjë logo të Forcave Ajrore, madje, dhe flamuri është jashtë standardit që përdoret në Forcat Ajrore. U fal apo u shit ky avion duhet pyetur ish-komandanti i Bazës Ajrore…:. Pasi denoncon me emra konkret shkaktarët, kërcënimet e dhunimin ndaj tij, Torba i shkruan më tej Kodhelit:”… Grupit të njerëzve që merren  me veprimtari të paligjshme u thonë bandë. Pas denoncimeve, këta banditë me uniformë ushtarake kanë kryer një akt banditesk, të poshtër dhe primitiv ndaj meje. Më kanë kërcënuar dhe me fëmijët… Në datën  02.12.2013 në Rinas, pranë aeroportit, dy persona kanë ushtruar dhunë fizike ndaj meje më dhanë një mesazh: Mbylle gojën! Si dhe më kujtuan që kam dhe fëmijë!…”

PËRTEJ DENONCIMIT

Siç e theksuam dhe në hyrje të shkrimit, e vërteta e vjedhjeve dhe shpërdorimeve në Bazën Ajrore të Kuçovës (sipas ish-ushtarakut Torba), apo dhe e kundërta (mund të mos qëndrojnë akuzat), u takon organeve kompetente shtetërore. Por nisur nga denoncimet e ish-majorit të Aviacionit të Kuçovës janë disa pyetje që kërkojnë qartësi. A ka persona, ushtarakë të lartë që në një formë apo në një tjetër e kontrollojnë korrespodencën, informacionin që të shkoj tek titullaria e Ministrisë së Mbrojtjes, të njihet me situatën reale e të operojë!? A ushtrohet dhunë e terror psikologjik nga persona të veçantë në këtë institucion ndaj atyre që denoncojnë vjedhjet e abuzimet në Ministrinë e Mbrojtjes?, etj… Në përputhje me misionin e medies dhe në praktikën tonë, gazeta “Telegraf”, që dhe sot emrat e të denoncuarve nga ish-majori në letër, i ka dhënë vetëm me iniciale, është e hapur për reagimin e palëve.