Drejtori i Spitalit të Librazhdit, Veiz Boja: Akuzat nuk janë të vërteta!

1398
Sigal

Një shqetësim i mbërritur në adresë të gazetës nga një qytetar i Librazhdit, i cili tregonte se deri ku arrinte skema e korrupsionit në spitalin e këtij qytet nga strukturat drejtuese ka sjell edhe reagimin e drejtorit të spitalit, z. Veiz Boja. Qytetari ndër të tjera, në letrën e tij ngrinte si problem mungesën e ilaçeve, të cilat çdo pacient duhet t’i blinte në një farmaci aty pranë, farmaci në të cilën mjekët merrnin përqindjet e tyre në bazë të ilaçeve të shitura, por përveç kësaj në spital nuk ishte në funksion as laboratori i analizave pasi nuk kishte solucion. Dhe për t’i ardhur në “ndihmë” pacientëve në katin e dytë të spitalit ishte ndërtuar një laborator privat, ku për çdo analizë të bërë duhet të paguaje. Gjithashtu, edhe për një vizitë apo një ezhe të kokës doktori të kërkonte lekë, pasi pajisjet që ndodheshin në dhomën e tij (brenda spitali) i kishte blerë vetë, pra me pak fjalë aty ishte bërë një vend strehimi, pasi për çdo shërbim të ofruar duhet të paguaje. Por në një intervistë për “Telegraf”, drejtori i spitalit, z. Boja i kundërshton të gjitha këto, duke thënë se Spitali i Librazhdit është një spital model në Qarkun e Elbasanit.

Z. Boja, si do t’i komentonit akuzat për korrupsion që janë bërë ndaj jush nga një pacient, i cili pretendon se ju e keni shndërruar spitalin në një qendër strehimi?

Absolutisht që s’është e vërtetë. Pacienti në fjalë është një pacient imagjinarë, sepse nëse vërtetë këto akuza do të ekzistonin personi në fjalë duhet të identifikohej dhe të ballafaqohej me faktet që ai pretendon dhe më akuzon mua, gjë për të cilën unë jam i gatshëm të ballafaqohem në çdo moment që ai të dëshirojë. Këto sajesa kërkojnë të dëmtojnë punën e mirë që është bërë në spitalin e Librazhdit,  por unë nuk përjashtoj mundësinë e ndonjë dashakeqësi që ka zilinë për punë tonë të mirë.

Cilat janë problemet aktuale të Spitalit të Librazhdit?

Aktualisht Spitali i Librazhdit nuk ka asnjë problem. Këtu prej tre javësh operon kontrolli i ISKSH me përfaqësues nga Tirana. Procesi i kontrollit deri tani nuk ka evidentuar asnjë shkelje. Kontrolli do të vazhdojë deri më datë 28 dhjetor.

Ky spital i ka të gjithë mjekët specialistë?

Pothuajse tek ne mbulohen të gjithë specialistët e nevojshëm. Është një ndër spitalet më efikas përsa i përket shtretërve, ku për 10- mujorin e 2012-s numri i shtretërve është 150, nr i shtrimeve është 3390 shfrytëzimi i shtratit 44.1% ditë qëndrimi mesatare 6.3 dhe madje mund të them se është spitali më efikas në qark, ku ofron një shërbim të specializuar. Ku dhe kushtet janë tepër komode pasi spitali është i pajisur me sistem ngrohje 24 orë dhe kushte higjieno-sanitare optimale. Nuk mund të rri pa përmendur edhe gatimin cilësor.

Ka mungesë medikamentesh në këtë spital?

Për fatin tonë të mirë furnizimi i medikamenteve në këtë spital ka qenë i rregullt.