Vepror Hasani: Ujitja e kulturave bujqësore ende e kushtëzuar nga rreshjet e motit

216
Sigal

Uji i nevojshëm gjatë gjithë verës, ujitja nga ujëmbledhësit rrit kostot e prodhimit

Fermerët e Korçës: Jemi të konkuruar nga eksporti i vendeve fqinj, qeveria asnjë masë

Vera e sivjetshme  erdhi me sasi të pakta reshjesh dhe temperatura të larta, gjë që solli rendimente të ulta te prodhimet bujqësore si fasulja, qepa, patatja etj. Për shkak të mungesës së reshjeve, prodhimet bujqësore nuk i përmbushën nevojat e tyre të domosdodhme për ujë dhe lagështirë. Ndërkaq, fermerët e patën të vështirë që mungesën e rreshjeve ta kompensonin me ujitje pasi ujitja me ujin e ujëmbledhësve rrit kostot e prodhimit, pasi këto lloj kulturash bujqësore kanë nevojë për ujë gjatë gjithë stinës së verës, numri i ujitjeve shkon në 5 apo 6 herë.  Veç kostove të ujitjes, prodhimeve bujqësore u shtohet edhe kostoja e trajtimit nga sëmundjet, pasi trajtimi me kimikate tek fasulet në këtë periudhë është i nevojshëm pasi shmang prekjen nga sëmundjet dhe rrit rendimentin e prodhimit. Për këtë arsye, për të mos rënduar kostot e prodhimit, i lejuan vetes një numër ujitjesh të kufizuara.  Fermerët qenë të kufizuar në numrin e ujitjeve edhe për një arsye tjetër, sepse siç shpjegojnë ata, në kohën e vjeljes së prodhimit, në vendin tonë, nëpërmjet eksportit, hyjnë nga vendet fqinjë, të njëjtat prodhime që prodhon fermeri i qarkut Korçë, ndërsa qeveria nuk merr asnjë masë për pezullimin e eksporteve me qëllim që t’u vijë në ndihmë fermerve të vendit të vet, ose në rast se nuk e dëshiron ndaljen e eksporteve, atëherë  të kompensohemi për humbjet që na krijohen për këtë shkak, por edhe pse gjithnjë e kemi ngritur zërin, kërkesat tona nuk janë marrë parasysh.

Çfarë ndodhi?

Ndryshe nga vitet e mëparshme, prodhimi i fasules qe i paktë, kjo, edhe sipas specialistëve të bujqësisë, erdhi si shkak i kushteve të pafavorshme të këtij moti, ku fasulja sapo formonte lulen, e rrëzonte për shkak të temperaturave të larta. Sakrificat e fermerëve për të mos lejuar humbje të mëdha të prodhimit, bënë gjithçka mundën, por humbjet sërish mbetën të konsiderueshme. Sipas specialistëve të bujqësisë humbjet shkojnë në masën 30%. Në gjithë territorin e bashkisë Maliq mbillen deri 680 ha fasule, kryesisht të llojit direkte, krenare ose kokërrvogël, e cila zë peshën kryesore, si dhe fasule kokërrmadhe. Gjithashtu kultivohet edhe fasulja direkte e shkurtër. Gjithnjë sipas specialistëve të bujqësisë:  “Për vitin bujqësor 2021 temperaturat gjatë verës qenë shumë më të larta se mesatarja e viteve të kaluara çka sollën probleme në prodhimin e fasules. Temperaturat rrëzuan lulet, për pasojë u lidhën më pak bishtaja dhe bishtajat patën një numër më të vogël kokrrash. E thënë më qartë, prodhimi qe më i paktë, pasi fasulja është bima më e ndjeshme ndaj temperaturave të larta, ndërsa sasia e ujitjeve të nevojshme ishte e papërballueshme nga fermerët. Për të gjitha arsyet e mësipërme, vitin që vjen do të eksperimentohet mbjellja më e hershme e fasules me qëllim që lidhja e luleve të kryhet pa mbërritur temperaturat e larta; gjithashtu do të provohet edhe me fasulet e shkurtra te të cilat lulëzimi dhe bishtajat bëhen brenda dy-tri javësh dhe janë më pak të ndikuara nga temperaturat e larta të muajit korrik. Megjithatë, pavarësisht nga eksperimentet, ujitja do të vijojë të mbetet e pazëvëndësueshme.

Kultivimi i qepës 2000 ha

Ashtu si prodhuesit e fasules edhe fermerët e qepës këtë vit u gjendën në të njëjtat kushte: në pamundësinë e sigurimit të ujitjeve të nevojshme për kulturat e tyre bujqësore. Megjithatë qepa vijon të eksportohet në Kosovë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi me një çmim, që varion nga 24 deri në 28 lekë për kilogram. Sigurisht një pjesë e mirë e saj, tregtohet brenda vendit. Qepa kultivohet masivisht në fushën e Maliqit pasi tokat e saj janë të përshtatshme. Rendimentet më të larta të kësaj kulture janë shënuar në fushat e Libonikut, Drithasit, Pirgut dhe Pojanit. Në këto zona këto kultura zënë një sipërfaqe prej 800 ha, si qark, rreth 2000 ha, me një rendiment nga 400 deri 700 kv për ha, kurse çmimi i saj shkon nga 25-30 lekë kg, por shpesh çmimi pëson rënie të konsiderueshme. Fshatrat e njohura për prodhimin e qepës janë: Ormani, Sovjani, Drithasi, Vashmia etj

Patatja, ende pa një eksport të konsoliduar                 

Patatja e qarkut Korçë, kryesisht tregtohet në tregun vendas: Vlorë, Durrës, Tiranë e gjetkë, cmimi shkon nga 33-38 lekë për kg. Sipërfaqet më të mëdha të mbjella me këto kultura bujqësore janë fshatrat Pojan, Pirg dhe Orman. Sipas fermerëve të bashkisë Maliq, këtë vit prodhimi ka qenë i kënaqshëm, por në ras se do të kishte ujitjen e nevojshme, prodhimi do të ishte më i lartë, në total janë mbjellë gati 900 ha patate. Në bashkinë e Maliqit zonat më të njohura të prodhimit të patates janë: Pojani, Drithas dhe Sovjani ku prodhimi i patates shkon në kufirin maksimal, deri në 500 kv për hektar, ndërsa eksportet janë më të vogla, pasi deri më tani  nuk ka krijuar bazën e një tregu të eksportit.