Studentët nuk regjistrohen dot, shkak kaosi në Qytetin Studenti
Studentët nga rrethe të ndryshme të vendit nuk kanë arritur të regjistrohen në Qytetin Studenti në Tiranë. Gjithashtu edhe studentët e vitit të parë nëpër rrethe, pasi kanë marrë konfirmimin se tashmë janë fitues në një nga degët e universiteteve të Tiranës, janë nisur drejt kryeqytetit me qëllimin për t’u regjistruar në konviktet e Qytetit Studenti. Të rinjtë janë drejtuar pranë drejtorisë për t’u sqaruar, por informacioni që kanë marrë ka qenë kaotik.
Duhet të kthehen sërish për t’u regjistruar
Studentët e nisur nga rrethet nuk u regjistruan dot në Qytetin Studenti. Në drejtori i kanë dhënë data të ndryshme, pavarësisht se mund të jenë në të njëjtin vit dhe në të njëjtën degë. E gjithë kjo bëhet për të dorëzuar dokumentacionin e vërtetuar se kanë shlyer detyrimet në bankë, por jo për të mësuar numrin e godinës e dhomën ku do të sistemohen. Për të gjithë ata që kanë kërkuar ta sqarojnë këtë me drejtoreshën e Qytetit Studenti, Anila Shehu, ajo ka refuzuar të përgjigjet. Ndërsa nga burime jo zyrtare thuhet se regjistrimet po zvarriten me qëllim nisjen e tyre bashkë me administratën e re.