Klodeta Dibra: Sistemi ynë arsimor në krizë, mësuesit me formim kulturor shumë të dobët

642
Sigal

Intervistë/ Flet Klodeta Dibra, Dekania e Gjuhëve të Huaja për problematikat e arsimit

Cilësia e studentëve të vitit të parë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë është shumë e dobët. “Problemi kryesor i Gjuhëve të Huaja është se këtu vijnë studentë që nuk e njohin fare gjuhën e huaj”, shprehet në një intervistë për “Telegraf” Klodeta Dibra, dekane e Gjuhëve të Huaja. Kjo, sipas Dibrës, ndodh për shkak të cilësisë së dobët të mësimdhënies, por edhe të mungesave të laboratorëve të gjuhës së huaj në shkolla të mesme. Ajo mendon se sistemi arsimor duhet të reformohet duke filluar që nga klasa e parë dhe kjo i takon nga pak të gjithëve, por barra i bie ministres së re të Arsimit.

Si paraqitet cilësia e studentëve në fakultetin tuaj?

Duke u nisur nga pikët, jemi pothuajse prej disa vitesh në të njëjtat kuota pikëzimi që do të thotë Anglishtja ka prurjen në pikëzim më të mirë se gjuhët e tjera dhe kjo ka të bëjë me atë që unë prej vitesh po them që Matura Shtetërore, flas të paktën për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja është e dështuar.

Pse e thoni këtë?

E them këtë, sepse kriteri kryesor që një student të vijë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja është që të njohë gjuhët në një nivel të caktuar. Studenti kur shkruan ato 10 preferencat, fut dhe një gjuhë që nuk e njeh, këtë sepse edhe në shkollë të mesme nuk orientohet që nëse do të shkojë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, se aty ka mësues të gjuhëve të huaja, pra, duhet të kesh një nivel gjuhe. Sepse aty nuk fillon të mësosh nga e para, aty fillon e të futesh në degën përkatëse filologjike, ta quajmë angleze, frënge, italiane, turke apo greke e me radhë. Kështu që, ajo që ne kemi problem prej disa vitesh, është mosnjohja e gjuhës, ose njohja keq e gjuhës së huaj. Dhe këtu janë dy probleme: E para kemi nivelin e mësimdhënies në shkollën e mesme, pra nëse kemi studentë që në shkollën e mesme nuk e njohin jo mirë gjuhën e huaj, është niveli i dobët në shkollë të mesme. Kategoria e dytë, që fatkeqësisht është më e madhe, përbëhet nga studentë që nuk e njohin fare gjuhën e huaj. Ne, prej dy tre vitesh kemi bërë një rregullim të planit mësimor për të përmirësuar e për t’i dhënë më shumë mundësi studentit, që në vitin e parë të mësojë gjuhën. Kjo duke spostuar lëndët teorike, formimin teorik të vitit të parë e spostojmë në vitin e dytë, të tretë, apo dhe në master për t’i dhënë mundësi në vitin e parë për të rikuperuar një nivel gjuhe që do ta lejonte atë për të vazhduar më tej. Ne përsëri do ta përshtasim kurrikulin, bazuar në nivelin e  hyrjeve, por e domosdoshme është forcimi në mësimdhënie i gjuhëve të huaja në sistemin parauniversitar dhe në këtë sistem janë 5 gjuhë të huaja që tashmë janë futur, është gjuha angleze, frënge, italiane, gjermane dhe spanjolle; është gjuha turke dhe greke po t’i referoheshim edhe kolegjeve, kështu që, nëse një student vjen me një formim kaq të dobët, mesa duket çalon shumë mësimdhënia në sistemin parauniversitar.

Një tjetër problem  i shoqërisë sonë është se edhe pse fëmijët bëjnë gjuhë të huaja në shkollë, prindi është i detyruar ta çojë fëmijën në kurse për të mësuar gjuhën. Pse ndodh kjo?

Si e shoh unë këtë problem? Unë sistemin parauniversitar e njoh mirë, se kam qenë dhe autore tekstesh për shkollat e mesme dhe ajo që mendoj është se, ka një farë përgjegjësie shkolla, ku më tepër përparësi u jepet lëndëve të tjera, sesa mësimdhënies në gjuhë të huaj. Pse ndodh kjo? E para, janë tekstet, e dyta, është niveli i mësuesve, e treta, janë kushtet që shkolla i jep klasës së gjuhës së huaj. Unë di vetëm një gjë, që s’mund të bëhet mësim me 40 e ca nxënës në klasë, kur ti do që ai të mësojë gjuhën e huaj, se ka një kriter, se nëse është një klasë me 40 nxënës dhe do të bëjë gjuhën e huaj, kjo klasë duhet të ndahet të paktën në dy grupe, sepse është mjedisi për gjuhën e huaj duhet të jetë ndryshe nga klasa ku nxënësi merr njohuritë në lëndë të tjera. Atëherë, e para gjë që duhet bërë, që nxënësi në orën e mësimit të ketë shansin që të flasë të paktën një herë, me 45 nxënës është e vështirë t’i vijë radha. Atëherë, çfarë ndodh me nxënësin? Ai demotivohet dhe në momentin që nuk përgjigjet, ai nuk e di nëse atë që e ka pasur në mendje është e saktë apo e pasaktë. E dyta, klasat janë të zakonshme, ndërsa për gjuhën e huaj sot ka forma të ndryshme të mësimit, duke pasur parasysh një klasë dixhitale, mjetet e reja teknologjike, por që në Shqipëri mund të ndodhë rrallë që të kesh një auditor të mirëpajisur për gjuhën e huaj, pra laboratorë, këta nuk ekzistojnë. Pra, problemi i parë është ndarja e grupit se  një prind që e çon fëmijën jashtë shkollës në një kurs privat, pyetjen e parë që bën është se me sa veta është kursi. Nuk është më shumë se 10-15 veta. Pra, kjo bën që grupimi me 40 nxënës të bjerë. Edhe mësuesja nuk është në gjendje që ta menaxhojë klasën me aq shumë nxënës në një orë mësimi. Problemi i dytë janë mësuesit. Nëse flasim sot për një sistem arsimor, ky sistem është në krizë e sidomos në krizë të formimit të mësuesve. E them këtë se në kurrikulat e mësuesisë, pothuaj në të gjitha fakultetet, vijnë studentë shumë të dobët. Pra, na kanë ardhur maturantë të dobët, kanë mbaruar bachelor-in dobët dhe kalon në mësuesi, atëherë çfarë pret nga ky mësues? Dhe po ndodh që në provimin e shtetit një pjesë e tyre po ngelin dhe po ngelin mbi çfarë? Po ngelin mbi një program që ata e kanë dhe mund ta konsultojnë për një vit të tërë për ta mësuar. E kanë të pamundur, se kanë një formim kulturor shumë të dobët. Nuk është thjesht lënda që japin, është formimi shumë i dobët që ata marrin në sistemin parauniversitar, që sado të përpiqesh ti në universitet që të formësosh një mësues më kulturë të gjerë, atë që duhet, që e do tregu i punës, është e vështirë, kur ai deri në moshën 18 vjeç ka një formim shumë të dobët kulturor. Plus kësaj është dhe fakti që nuk e kanë me pasion mësimdhënien dhe orën e mësimit e bëjnë thjesht dhe vetëm për të kaluar orën e për të marrë një rrogë.

Çfarë duhet bërë për këtë?

Ajo që duhet bërë për mua, është që shteti duhet ta fuqizojë sistemin arsimor të fushës së mësuesisë, sepse çdo gjë nis nga edukimi. Po themi që jemi një shoqëri në krizë, po themi që kemi një sistem arsimor në krizë, po themi që kemi një zhvillim ekonomik të dobët, po themi që kemi një papunësi në rritje, kemi një shoqëri në depresion, kemi të rinj të cilët frekuentojnë kafenetë, pub-et dhe nuk kanë dëshirë të lexojnë një libër. Kemi të rinj të cilët që rrinë vetëm e gjithë ditën në rrjete sociale duke përdorur thjesht dhe vetëm një celular, por nuk e përdorin atë mjet për zhvillimin e tyre kulturor. I bie barra Qeverisë me masat, me strategjitë që duhet të marrë, i bie barra shoqërisë, i bie barra shkollës, stafit pedagogjik, i bie barra universiteteve që të shkundë nga një përgjumje që ka kapur mbarë shoqërinë, duke filluar që nga klasa e parë fillore. Reforma fillon me sistemin parauniversitar, fillon me shkollën fillore, në sistemin 9-vjeçar, me shkollën e mesme dhe në fund të fundit shkolla e lartë është një majë piramide, e cila ndërtohet kur ka një bazë të shëndoshë dhe baza e shëndoshë për një sistem edukimi është sistemi parauniversitar. Nuk kemi sot studentë që e duan shkollën, është një kontingjent shumë i vogël i tyre, pjesa më e madhe nuk e duan shkollën dhe për këtë, kam përshtypjen, se fajtorë jemi të gjithë, i gjithë sistemi, e gjithë shoqëria, është shkolla, janë mësuesit, janë nxënësit, janë prindërit, pedagogët, është Ministria, pra, e gjithë shoqëria shqiptare ka shumë shumë faj në këtë katandisje lënguese të sistemit arsimor në Shqipëri.

Ju thatë që Matura Shtetërore është e dështuar. Si mendoni ju cila është mënyra më e mirë për të ardhur në universitet?

Matura Shtetërore mbyll një cikël, që është cikli i shkollës së mesme. Ciklin e shkollës së lartë është një institucion tjetër që duhet ta menaxhojë. Universitetet, bazuar në Kushtetutë kanë autonomi akademike, që dot thotë janë vetë universitetet që duhet të përzgjedhin studentët më të mirë.

Si e vlerësoni ju tregun e arsimit të lartë?

Universitetet shqiptare, fatkeqësisht operojnë në një treg shumë informal universitetesh, askush nuk di të thotë edhe vetë Ministria e Arsimit se sa është numri i universiteteve në Shqipëri, publikë dhe privatë. Çdo ditë sheh reklama universitetesh që nuk i ke parë ndonjëherë, sesi akreditohen, sesi vlerësohen, sesi hidhen në tregun e arsimit këto universitete, kjo është një pikëpyetje e madhe që do ndërhyrje të menjëhershme. Hapi i parë që duhet të bëjë Ministria e Arsimit dhe ministria e re është vlerësimi nga e para e gjithë institucioneve të arsimit të lartë publik dhe privat. Vendosja e disa kritereve dhe standardeve që tashmë janë, nëse i referohemi një strategjie, ne jemi në zonën europiane të arsimit të lartë, pra, standardet që duam për sa kohë duam të hyjmë në BE, në BE do hysh edhe nëpërmjet realizimit të standardeve të sistemit arsimor. Pra nuk shpikim asgjë, kemi disa standarde që i ka bërë BE. Hajde, që shkollën dhe universitetin ta fusim brenda këtyre standardeve, brenda kësaj kornize duke pasur parasysh standardizimin. Nëse kemi standarde të reja, atëherë të gjitha universitetet publike dhe private të rivlerësohen, nuk do ta quaja akreditim, sepse ato përsa kohë lëshojnë diploma prej kaq vitesh e dekadash janë të akredituara, por t’i fusim në një rivlerësim duke pasur parasysh që ato standarde që Europa i kërkon dhe nuk i plotëson, t’u jepet një kohë për plotësimin e këtyre standardeve. Ato universitete që nuk plotësojnë dhe nuk kanë asnjë lloj standardi, le të largohen urgjentisht dhe të mbyllen, sepse po gënjehen studentët për diplomat që marrin, po gënjehen prindërit që paguajnë para, po gënjehet tregu i punës. Kështu që, tregu i punës nuk di se çfarë studenti do të përzgjedhë, përsa kohë ka shumë ndryshime në lidhje me llojet e diplomave që janë lëshuar, cilësinë e këtyre diplomave. Vetë mediat e kanë bërë problem kritik disa herë këtë dhe mediat nuk duhet të rreshtin së kërkuari, se unë mendoj se nga edukimi nis çdo gjë. Duam inxhinierë të mirë, duam mjekë të mirë, mësues të mirë, duam arkitektë të mirë, politikanë të mirë, duam njerëz më të mirë, duam shkrimtarë të mirë. Çdo gjë nis nga arsimi, çdo gjë nis nga edukimi, duke filluar që në klasën e parë fillore. Në qoftë se unë do i referohesha një politike gjuhësore që do të duhej të ndiqej, jo se unë jam e Gjuhëve të Huaja, por duke parë rajonin, duke parë gjeografinë e Shqipërisë, duke parë dhe tendencën e zhvillimit që ky vend duhet të ketë, gjuhët e huaja janë shumë të rëndësishme për të rinjtë shqiptarë. Them janë shumë të rëndësishme, se ne jemi një vend me popullsi të vogël, me një gjuhë të mrekullueshme që duhet ta ruajmë si sytë e ballit, që është gjuha shqipe dhe që është një perlë e pazëvendësueshme, por që ne të kemi mundësi që ky komunitet shqiptar të mund të punësohen brenda në rajon dhe më tej dhe flas në kontinent, atëherë, ne duhet të kemi atë që sot BE e thotë me forcë, pasaportën gjuhësore. Dhe kjo pasaportë gjuhësore presupozon, që një i ri shqiptar përveç pasaportës shtetërore për kalimin e kufirit, të pajiset me një pasaportë gjuhësore që presupozon gjuhën amtare plus dy gjuhë të BE-së, të cilat duhet të futen në sistemin parauniversitar, se në universitet duhet që studenti të ndjekë në lëndën e gjuhës së huaj jo më mësimin e gjuhës, por të marrë një terminologji të caktuar për fushën që ai punon, të marrë gjuhën e specialitetit, flasim për gjuhën e biznesit, për gjuhën e turizmit, juridike, të matematikës, mjekësore të cilat duhet t’i marrë, pasi nga shkolla vjen me një formim gjuhësor të përgjithshëm të kënaqshëm.