Dhuna, fillon atje ku mbaron arsyeja…!

248
Nga Evdal NURI 

Flitet shumë për dhunën. Flitet, por bëhet pak, edhe pse tek ne është prezent kudo e kurdo. Ne bëjmë zhurmë vetëm kur ndodhin fenomenet negative të dhunshme, duke mos bërë asnjë punë për edukimin e njerëzve për parandalimin e tyre. Flitet më shumë vetëm për dhunën fizike. Ajo është më e dukshme dhe më e mundshme për t’u regjistruar. 

1- Kuptimi dhe llojet e dhunës 
Ka dhunë sa herë një individ ose grup njerëzish përdorin mënyra nga më të ndryshme për të robëruar , për të bërë të vuajnë , për të zhdukur një individ ose një grup tjetër. Kjo haset kur një njeri dëmton një tjetër ose e eliminon atë. Kemi dhunë fizike, psikologjike, seksuale , policore , shtetërore, etnike, fetare, morale etj. Dhunë kemi më tepër tek adoleshentët se sa tek të moshuarit .Midis meshkujve se sa femrave, psikologjike se sa fizike, morale se sa policore. E dhunon fëmijën ose nxënësin kur e godet fizikisht e nuk përfill personalitetin e tij, duke e fyer ose duke përdorur notën si mjet për ta nënshtruar atë. E dhunon gruan në qoftë se nuk e respekton atë si të barabartë me veten. Është për të ardhur keq, por tek ne në 5 gra 2 dhunohen. 52 % e grave të dhunuara janë të papuna. Kjo tregon se një nga arsyet e ushtrimit të dhunës është niveli i ulet ekonomik , problemet në familje , xhelozia , puna e dobët psikologjike , depresioni në rritje etj. Ky fenomen vazhdon të trajtohet nga shumica e popullsisë si një problem privat, që i përket vetëm familjes, dhe jo shoqërisë. Vështirësia e studimit të fenomenit rritet edhe më shumë po të kemi parasysh se fenomeni ndodh “prapa dyerve të mbyllura”. Si i tillë, ai është i vështirë për t’u vëzhguar dhe studiuar nga afër. Vetëm rreth 5 % e grave të dhunuara në gjirin e familjes denoncojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre. I vetmi burim informacioni mbetet në shumicën e rasteve vetë viktima, e cila në çdo rast nuk është e çliruar nga paragjykimet dhe stereotipat që ekzistojnë në shoqëri apo në komunitetin ku ajo bën pjesë. Dhuna në familje vetëm në raste të rralla përcaktohet dhe penalizohet si krim brenda familjes duke mos u paraqitur kështu në statistikat zyrtare. Dhuna ndaj gruas është një problem kompleks që përfshin më shumë se sa një akt në vetvete në marrëdhëniet personale mes burrit dhe gruas. Është një problem social me përmasa të gjera që i ka rrënjët në qëndrimet historike ndaj gruas dhe marrëdhënie martesore. Dhuna në familje është një problem që prek të gjitha shtresat dhe grupet e shoqërisë, pa dallim race, etnie, niveli ekonomik, zone gjeografike, besimi fetar, moshe etj. Është dhunë e mirëfilltë kur përdoret ndëshkim fizik tek te burgosurit . Dhuna seksuale është dhuna më e egër dhe më e dëmshme. Dhuna ekziston, për deri sa funksionon , kjo duhet pranuar. Fëmijët e dhunuar, kontingjent për trafikim dhe e akteve kriminale. Dhuna në familje nuk prek vetëm njërin prej partnerëve, por në të shumtën e rasteve janë edhe fëmijët ata që bien viktimë e ushtrimit të saj. Në studimin e kryer në vendin tonë për vitin që lamë pas, rezulton se 58% e fëmijëve rrihen nga një anëtar i familjes, si dhe një numër i lartë prej 86% e fëmijëve bëhen dëshmitarë të dhunës në familje. Kjo “dhunë e dyfishtë” te fëmijët sigurisht që sjell edhe pasoja negative në jetën sociale të tyre apo dhe në integrimin e tyre në shoqëri. Përveçse traumave psikologjike që mbeten në mendjen , kjo dhunë reflekton negativisht në arsimin e tyre, duke bërë që 43% e fëmijëve të hasin vështirësi në shkollë, 31% e fëmijëve të jetojnë me frikë, për shkak të dhunës në familje, 6% e fëmijëve të largohen nga shtëpia për të jetuar me të afërmit. Referuar këtij studimi, një në dy fëmijë në 86% të rasteve kërkon më shumë ndihmë ndaj dhunës së ushtruar ndaj tij te njëri nga prindërit, si dhe në asnjë rast të vetëm nuk është kërkuar nga fëmijët e dhunuar ndihmë nga mjekët ose policia. Fëmijët që rriten në një ambient të dhunshëm ,kur rriten bëhen të dhunshëm . Ata shpesh bien pre e trafikimit dhe e grupeve kriminale. Njeriu që nuk ngrihet për asgjë, do të dështoi për çdo gjë . Një arsye tjetër është stresi tek te rriturit . Pamundësia ekonomike për t’i plotësuar kërkesat në rritje të fëmijëve të çojnë në dhunë . Një nga format që nxit dhunën është papunësia ose niveli i ulët i pagave . Si rrjedhojë i tyre janë dhunimet e tjera me pasoja më të rënda. Mohimi i të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare është dhunë etnike. Qëndrimi përçmues e nënvlerësues ndaj popullsisë së një feje tjetër vlerësohet si dhunë fetare. Nuk do të ishte ekzagjerim po të përkufizohet dhuna si forcë e dobësisë . Dhuna është mënyra më e gabuar për zgjidhjen e një problem jashtë arsyes. Të besh thirrje për thyerje xhamash, shpim gomash, tërheqje zvarrë është “forcë e dobësisë”, është dhunë e mirëfilltë. Por i dhunuar quhet dhe një votues që i bëhet presion psikologjik e fizik për të votuar jo në përputhje me dëshirën e tij. Tek ne dhuna është prezent kudo, në kopshte e shkolla, në shtëpi, rrugë apo ambientet publike, aty dhe në parlament. Atje gjejmë një ndërthurje te dhunës psikologjike, morale deri tek ajo fizike. Shembull negativ për ata që e dëgjojnë dhe e shohin. Ai është kthyer në një “pasqyrë” të shëmtuar dhune e jo për edukuese për të cilin është krijuar. S’ka më keq!

2- Cila nuk është dhunë ? 
Edhe pse çdo ndërhyrje kirurgjikale quhet agresion ndaj trupit, ajo nuk konsiderohet dhunë, sepse këtu është respektuar vullneti i të dy palëve. Përdorimi i forcës në përputhje me ligjin, quhet dhunë e lejuar. Nuk mund të quhet dhunë fakti që, pas një qëndrese të gjatë paqësore të rezistohet për të mbrojtur lirinë, dinjitetin dhe nderin e një populli. Nuk do të quajmë dhunë vetë dhunimin , por që shpesh përfundon tragjikisht edhe pse kjo është rrjedhojë e disa dhunimeve të mëparshme. E si mund të quhet dhunë ndërhyrja, reagimi, në qoftë se në sytë e mi një nxënës i imi, miku im sulmohet nga banditet. Natyrisht që unë do të shkoj ne ndihmë, qoftë edhe me dhunë. Kjo është mbrojtje e të dhunuarit ndaj dhunuesve dhe si e tillë nuk ka të bëjë me dhunën. Dhuna i bën njerëzit me stres që shpesh herë ka çuar edhe në vetëvrasje që tek ne janë të shpeshta. 

3-Stresi thonë, është kripa e jetës, por dhe puthja e vdekjes
-Përdorimi i gjithanshëm i dhunës, çon nga pala e dhunuar në hakmarrje, gjë që ka sjellë tek ne fenomenin negativ të gjakmarrjes, shoqëruar me qindra të vrarë e mijëra të ngujuar. Ky fenomen është vetëm shqiptar. Kur shtetit i mungon forca apo dëshira për të ndëshkuar dhunën i lë vend vetëgjyqësisë. Arsyeja e vetme është se, shteti nuk po zgjidh drejt e me forcën e ligjit problemin, si ai i pronësisë mbi tokën, korrupsionin, ndëshkimin e krimit etj.

Rrugë dalja nga atmosfera e dhunës vjen me vetë përsosje dhe edukim qytetar: Bëhu paqësor, bëhu i sjellshëm, iu nënshtro ligjit, respekto secilin, mos dhuno askënd që të mos ketë dhunë. Fuqia në mbrojtje të lirisë është më e madhe se fuqia në të mirë të tiranisë dhe shtypjes, sepse fuqia e vërtetë, vjen nga bindja. Por ja që tek ne ndodh e kundërta! 

Një gjë është e sigurt: Sido që të jetë, e të paraqitet, dhuna është forcë shkatërrimtare .