U “denoncuan” për lidhje me Manastirliun, “Distrimed”-“Biometric”, 35 mln USD në 4 vjet

574
Sigal

Një denoncim i mbërritur në adresë të disa mediave, riktheu në vëmendje të publikut dyshimet mbi mënyrën se si realizohen tenderat multi-milionësh në sektorin e Shëndetësisë.

Denoncuesi publik, megjithëse ka preferuar të mbetet anonim, pretendon se një tender që po përgatitet nga Ministria e Shëndetësisë, me vlerë rreth 10 milionë dollarë, është paracaktuar të ndahet mes dy kompanive; “O.ES Distrimed” dhe “Biometrik”.

Denoncuesi publik, i kontaktuar nga “Boldnews.al” nëpërmjet adresës elektronike nga kishte dërguar informacionin, nuk pranoi të jepte detaje të tjera se mbi të cilat e mbështeste pretendimin e tij.

Ky denoncues rikthesonte se gjithçka që ai kishte deklaruar në informacionin e tij, do të konfirmohej shumë shpejt, pasi Ministria e Shëndetësisë të shpallë fituesin e tenderit, ku do të marrin pjesë vetëm këto dy kompani.

Informacioni që shoqëronte këtë denoncim publik është vështirë të konfirmohet momentalisht, pasi procedura e tenderimit për të cilin ka dyshime, ai për “Blerjen e materialeve të mjekimit për spitalet në Shqipëri” ende nuk është përfunduar.

Gjithësesi, “Boldnews.al” konsultoi të dhënat publike mbi historikun tenderave spitalorë, në të cilët “O.ES Distrimed” dhe ‘Biometric” kanë rezultuar me oferta të suksesshme.

Kompania “O.ES Distrimed”, sipas të dhënave të publikuara në portalin informativ të specializuar për procedurat e prukurimit publik, “spendingdata.al”, rezulton se ka përfituar në total 17 milionë dollarë amerikanë gjatë periudhës 2015-2019.

“O.ES Distrimed” ka fituar kontrata publike në një numër të lartë operatorësh shëndetësorë publike. Por, gjithësesi, pjesën më të madhe të fondeve publike, kjo kompani i ka marrë pasi shpalljes fituese në tenderat e zhvilluar nga Qendra Spitalore më e madhe në Shqipëri, “Nënë Tereza”, në Tiranës. Sipas të dhënave të “spendingdata.al”, “O.ES Distrimed”, për periudhën 2015-2019, ka fituar tendera në QSUT, me vlerë totale thuajse 1 milionë dollarë.

Kompania tjetër, “Biometric Albania” është gjithashtu një prej operatorëve ekonomikë që ka pasur sukses në procedurat e prokurimit publik të zhvilluar nga institucionet shëndetësore.

Sipas të dhënave të portalit “spendingdata.al”, kompania “Biometric Albania”, në harkun kohor 2015-2019 është shpallur fituese në procedura të prokurimit publik, me vlerë totale rreth 18 milionë dollarë.

Gjithashtu, edhe “Biometric Albania” ka përfituar fonde publike në tenderat e zhvilluar nga QSUT, si qendra më e madhe shëndetësore në vend. Të dhënat e “spendingdata.al” referojnë se, për periudhën 2015-2019, “Biometric..” është shpallur fitues në tenderat e QSUT, për një vlerë prej rreth 10 milionë dollarë.

Të dhënat e këtij shkrimi janë vetëm informative. ‘Boldnews.al” i rezervon vetes të drejtën që të mos ngrejë pikëpyetje mbi mënyrën se si “O.ES Distrimed” dhe “Biometric Albania” janë shpallur fitues të tenderave publikë, për aq kohë sa redaksia nuk ka në dispozicion të dhëna konkrete për praktika abuzive në zhvillimin e procedurave të prokurimit publik, ku ofertat e dy kompanive kanë rezultuar të suksesshme.

“Boldnews.al” kontaktoi nëpërmjet adresës elektronike kompanitë “O.ES. Distrimed” dhe “Biometric Albania” lidhur me akuzat publike në adresë të tyre. Asnjë prej kompanive nuk iu përgjigj kërkesës për prononcim.