Dështimi i reformës Territoriale/ Bashkitë, 90 milionë USD borxhe kompanive private

619
Detyrimet e prapambetura të pushtetit vendor kanë arritur në vlerën e 90 milionë dollarëve. Një raport i Ministrisë së Financave ka evidentuar se vetëm gjatë tremujtorit të dytë të këtij viti, ky borxh është rritur me 37 milion dollarë, edhe pse bashkitë kanë nisur pagesat për detyrimet e mbartura në vite. Deri në qershor të këtij viti, pushteti vendor ka shlyer 120 milion dollarë detyrime, ndërsa i mbeten akoma për të dhënë edhe 90 milion të tjera. Në listën e njësive vendore që kanë krijuar borxhe me palët e treta, përjashtim bëjnë vetëm 4 bashki, ndërsa 57 të tjera nuk kanë respektuar afatet për të bërë pagesat ndaj kompanive private.
Raporti citon se detyrimet më të mëdha janë krijuar për investime në infrastukturë, blerjen e mallrave dhe shërbimeve dhe një pjesë kanë lindur nga vendimet gjyqësore të çështjeve që kanë humbur. Televizioni Klan ka mësuar se financat i kanë dërguar të gjitha njësive vendore një plan veprimi për të shlyer pagesat e parapambetura, ndërsa shqetësimin për këto borxhe e ka ngritur edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në takimet që ka zhvilluar me zyrtarët e lartë.
Për vitin 2018-të qeveria do të rritë transfertën nga buxheti për bashkitë në 5% të fondeve që do të miratojë, ndërsa do të fillojë të japë edhe 25% të të ardhurave që mbledh nga taska e qarkullimit të automjeteve dhe 2% nga tatimi i të ardhurave personale. Burimet në këtë institucion thonë se është duke u punuar për modelin e ri të taksës së pasurisë, por ende nuk është finalizuar formula e taksimit. Bashkia e parë që do të nisë këtë metodë të re, është ajo e Tiranës.

Dështimi i reformës Territoriale/ Bashkitë, 90 milionë USD borxhe kompanive private
Sigal