Deputetët socialistë të Fierit mbrojnë shkatërruesit e rrugës Levan -Tepelenë

534
Sigal

Vetëm  protestat dhe  drejtësia do e detyrojnë firmën italiane “Todini” sh.p.k të likuidojë pagesat për firmat shqiptare

Nënkontraktorët që kanë punuar në ndërtimin e rrugës Levan-Tepelenë do të vazhdojnë të mbeten peng i bankave për shkak të kredive të marra. Kjo vjen prej mungesës së pagesës nga ana e firmës italiane “Todini” sh.p.k, e cila megjithëse ka kaluar një vit nuk po i likuidon kontraktorët dhe këta të fundit, të shpërndajnë rrogat për 250 punëtorët e firmës. Aksi më i ri në vend, të cilin Kryeministri Berisha e trumbetoi si pasaporta e aksit të Jugut tregoi se ishte fataliteti më i madh dhe zhgënjimi i vetë qeverisë prej punës shumë të dobët të firmës italiane “Todini” sh.p.k. Megjithëse shteti shqiptar tregohet zemërgjerë duke ofruar firma të huaja, ku një pjesë janë me problem sikurse është edhe “Todini” sh.p.k, të cilës iu besua autostrada që do shërbente si pasaportë për këtë qeveri për raportet e përfolura me Jugun e vendit. Fakti që shteti, organet e hetimit dhe vetë qeveria heshtin përsa i përket rrëshqitjes së malit në rrugën  Levan-Damës, pranë fshatit Kremenarë të Komunës Fratar tregon implikimin ose moskokëçarjen për rrugën e kësaj zone. Kjo bëhet edhe më bindëse kur mendon që përveç shkatërrimit të rrugës, banorët e kësaj zone do të përballohen edhe me moslikuidimin e parave nga hajdutët e veshur me kollare. Deputetët socialistë të zonës janë kthyer në vëzhgues të rëndomtë ndërkohë që, duhej të kishin kontaktuar me kompanitë nënkontraktore shqiptare duke i orientuar ata që të bënin denoncimin pranë organeve të drejtësisë. Gjithashtu, këta deputetë të mos shkojnë në zona kur duan votat, por të organizojnë dhe të  jenë në krye të protestave të qindra punëtorëve të zonës që kanë një vit pa marrë rrogat dhe marrin bukë me listë. Fakti që firma po ngre plaçkat për të ikur tregon se, duhet dhënë alarmi dhe rruga e vetme që duhet ndjekur për të marrë paratë është ajo e protestave, të cilat po bëhen anembanë Shqipërisë kundër batakçinjve të CEZ-it.