Degradojnë muzeumet e Elbasanit, Ministria e Kulturës asnjë investim

1191
Sigal

Në vitet 2005-2013 objektet u privatizuan, armët trofe përfunduan për skrap

Harresa e Ministrisë së Kulturës në vite për muzetë e Elbasanit, ka “përçudnuar” historia e këtij qyteti me tradita. Ajo që ruhet, është aq sa mund të kujtohet nga brezat. Gjithçka që mund të përftohej nga dokumentet, reliket e ekspozuara në stenda, po shkatërrohen. Ata që përpiqen sot të rikthejnë kulturën e djeshme, nuk mund të ringjallin dot muzetë që po rrënohen, dhe shumë objekte që u shitën apo u hodhën në furrat e uzinës së çelikut si hekurishte për t’u shkrirë. Është tejet e vështirë të rifitohen ato që tashmë kanë humbur. Përballë kësaj situate qëndron neglizhenca e Ministrisë së Kulturës, e cila nuk ka planifikuar asnjë investim për mirëmbajtjen dhe restaurimin e muzeve në Elbasan, duke i lënë ato në mëshirën e fatit, e duke rrezikuar të humbasin vlera të jashtëzakonshme historike.

MUZETË E PRIVATIZUAR

Vitet e para pas ‘90-s do të sillnin një humbje të madhe të vlerave muzeore të qytetit të Elbasanit. Gati të gjithë ish-muzetë e këtij qyteti kanë mbetur vetëm në kujtesën e të moshuarve. Godinat e ish-muzeut të luftës, atij historik, i muzeut të arsimit, si dhe shtëpia-muze e Qemal Stafës, u janë kthyer pronarëve të ligjshëm. Shumëkush në Elbasan e di mirë se ç’pasuri kanë pasur këto muze, por të paktë janë ata që mund ta dinë se ku shkuan këto vlera morale, materiale e historike. Mësohet se të gjitha armët trofe të Muzeut të Luftës i janë dorëzuar Bazës së Armatës në Krastë të Elbasanit 15 vjet më parë. Në atë muze kanë qenë të ekspozuara të gjitha llojet e armëve të përdorura në luftën partizane, prej të cilave nuk ka mbetur asgjë. Çfarë ka pasur nga këto lloj armësh në muzeun e luftës, i janë dhënë repartit ushtarak ku janë demilitarizuar mijëra tonë armë dhe armatime sipas projekteve që kanë aplikuar organizmat ndërkombëtarë të NATO-s. Ka të ngjarë që këto armë me vlera të rralla historike t’u jenë bashkuar stoqeve të armatimeve shqiptare që, pas çaktivizimit të mekanizmave të shkrepjes, kanë përfunduar në furrat e firmës turke “Kurum” për t’u shkrirë. Nuk është mbajtur asnjë inventar dhe askush nuk ka marrë e nuk merr përgjegjësitë për humbjen e vlerave të tilla muzeale. Përgjegjësia së paku u mbetet, ish-kryetarëve të bashkive të asaj periudhe. Të njëjtin fat kanë pësuar edhe Muzeu Historik dhe ai i Arsimit, si dhe shtëpia-muze e heroit të luftës Qemal Stafa. “Ato që më kanë sjellë në muze unë i kam ruajtur me tepër fanatizëm dhe respekt si dokumentet historike ashtu dhe pak relike të periudhës së paraçlirimit“, ka pohuar drejtori i Trashëgimisë Kulturore, Kreshnik Belegu. “Kur jam emëruar në këtë detyrë, nuk kam gjetur në inventarët e asnjë muzeu objektet dhe vlerat e tjera dokumentuese, por në një farë mënyre ne duhet të paguajmë “haraçin” e atyre që duhej t’i kishin ruajtur këto vlera të papërsëritshme”, u shpreh ai. Zoti Belegu mbetet ndër të vetmit që po përpiqet sot në Elbasan për ringjalljen e muzeve, ndërkohë që Ministria e Kulturës duhet të akordojë urgjentisht fonde financiare.

PËRPJEKJET PËR RINGRITJE

Ka një dëshirë të mirë në Bashkinë e Elbasanit dhe konkretisht edhe nga kryetari saj Qazim Sejdini për të ruajtur vlerat historike. Aktualisht ekzistojnë vetëm Muzeu i Etnografisë dhe Shtëpia Muze e Xhuvanit. Falë kujdesit të disa pasionantëve të vlerave tona historike, duket sikur diçka po ringjallet, gjithmonë duke patur ndihmën e Bashkisë. Fonde duhen, por fonde as ka pasur dhe as janë dhënë nga Ministria e Kulturës. Belegu është në përpjekje për pasurimin e pavijoneve të Muzeut Etnografik me veshjet e krahinave të ndryshme të Elbasanit apo objekte etnografike. Për Muzeun e Luftës apo atë Historik, ende nuk ka një mendim të konkretizuar, por pak gjasa ka, pasi nga stendat e tij pothuajse nuk ka mbetur asgjë. Në këto kushte mund të thuhet pa frikë se Elbasani sot nuk flet më gjuhën e historisë.