Gati prishja e 190 objekteve pa leje mbi kolektorë

487
Sigal

DURRËS- Banesave të Kodërvilës, të cilat 5 vjet më parë u përjashtuan nga procesi i legalizimeve u janë shtuar edhe disa dhjetëra objekte të tjera që kanë dëmtuar veprat publike sikurse janë kanalet kulluese. Madje, burime nga dega e ALUIZNI në Durrës u shprehën se, “kjo degë nuk është bërë asnjëherë pengesë për organet ligjzbatuese ato mund të ndërhyjnë e të prishin objektet që kanë bllokuar kanalet dhe kolektorët”. ALUIZNI në Durrës ka në organikën e tij inxhinierë, të cilët kanë përfunduar një studim të objekteve që kanë dëmtuar rrjetin kullues. Ky studim i është dërguar jo vetëm Shtabit të Emergjencave në Prefekturë por edhe Bashkisë dhe Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik. Përfaqësues të degës së ALUIZNI-t në Durrës bëjnë të ditur se është kryer një studim të dytë lidhur me objektet që janë ngritur mbi kolektorët e Durrësit, të cilët janë përjashtuar nga procesi i legalizimeve. Ky studim, i cili është e dyti i është dërguar Shtabit të Emergjencave, Bashkisë së Durrësit dhe institucioneve ligjzbatuese sikurse janë Drejtoria e Policisë së Qarkut dhe Inspektorati Ndërtimor Urbanistik. Burimet nga ALUIZNI thanë se “studimi i inxhinierëve u përqendrua në zonën e plazhit të Durrësit, pasi në atë zonë u konstatuan 74 objekte të ndërtuara pa leje, të cilat kryesisht janë mure, betone të derdhura mbi tombino që shërbejnë si bazamente si dhe disa godina që shërbejnë si lokale të llojeve të ndryshme”. ALUIZNI i Durrësit ka përjashtuar nga procesi i legalizimeve të gjitha ato objekte, të cilat kanë dëmtuar veprat kulluese. Konkretisht në plazh janë 45 të tilla, në kodër janë mbi 25 banesa të ndërtuara mbi kolektorë si dhe dhjetëra të tjera që rrezikojnë të shemben për shkak të shkarjeve. ALUIZNI pohon se “në përbërje të agjencisë bëjnë pjesë inxhinierë, të cilët janë afruar për të dhënë kontributin e tyre jo vetëm përsa i përket studimit të objekteve që kanë dëmtuar veprat kulluese, por ata do të japin mendimet e tyre edhe për mënyrën se si dhe ku duhen ndërtuar, duke nisur nga muret mbrojtëse në faqet e kodrave apo për të çliruar kanalet nga ndërtimet pa leje”. Në fakt edhe në fillim të këtij viti, pas shkarjeve të dherave dhe shkatërrimit të 4 objekteve në zonën kodrinore, ALUIZNI kreu studimin e parë të tij dhe sugjeroi braktisjen e mbi 70 banesave, të cilat rrezikojnë të shemben. Por me gjithë këto studime ende mungon ndërhyrja e organeve ligjzbatuese për prishjen e të gjitha këtyre objekteve, të cilat janë bërë shkas për përmbytjet e disa zonave sa herë që bie shi.