Çmimi i ujit do të rritet me 75%

3768
Sigal

Ndërkohë që shqiptarët nuk kanë bukë të hanë, qeveria miraton rritjen e ujit, edhe pse konsumatorët nuk furnizohen me ujë të pijshëm. Ujësjellës-Kanalizimet shpërdorojnë miliarda për tenderë dhe punësime militantësh, duke rrjepur qytetarët. Ja strategjia e qeverisë 2020-2030 dhe qytetet nga do nisë rritja e re.

Ujë të pijshëm nuk ka, por miliarda lekë shpërdorohen nëpër tenderë

Babëzia, rritet 75 % çmimi i ujit të pijshëm, shqiptarët nuk kanë bukë të hanë

Edhe pse Shqipëria është e treta në Evropë për burimet e shumta ujore, shqiptarët nuk kanë ujë të pijshëm në shtëpi, nuk e kanë furnizimin e ujit 24 orësh, porse paguajnë shumë shtrenjtë çmimin e ujit, dhe e krahasuar me të ardhurat, mund të themi se shqiptarët e paguajnë shumë më shtrenjtë ujin sesa gjermanët, grekët, suedezët. Kështu, në Austri, që ka burime të bollshme, uji është falas, ndërsa në Greqi dhe Gjermani, faturat e ujit janë jo më shumë se 30-40 euro në çdo 3 muaj, ndërkohë që kanë ujë të pijshëm dhe furnizim 24 orë. Përveç 3 qyteteve në Shqipëri, kudo nuk ka ujë të pijshëm, nuk ka furnizim 14 orë, edhe pse çdo vit shpenzohen miliarda lekë për “investime” në kanalizime dhe ujësjellës. Ujësjellësit janë biznes që varen nga bashkitë, ndërkohë administratat e tyre janë fryrë nga militantë, miq, farefis të drejtuesve dhe deputetëve. Qytetarët, të ndodhur përpara faktit, që nuk kanë ujë të pijshëm, nuk kanë furnizim 24 orësh, përveç tarifave shumë të larta që paguajnë në faturat e ujit, detyrohen të shpenzojnë edhe shuma të mëdha nga buxheti i familjes për të blerë ujin e pijshëm, investojnë për të blerë depozita dhe pompa. Ujësjellësi, për çdo vit harton bilance financiare me humbje të mëdha, për shkak se paratë harxhohen nëpër tenderë, të cilat askush nuk jep llogari për shpenzimet, për cilësinë e punës, si edhe për të paguar administratën e fryrë. Qeveria nuk merr aspak parasysh që shqiptarët në çezmat e shtëpisë nuk kanë ujë të pijshëm, ndërton strategji për të bërë me zor ujësjellësit biznese fitimprurëse, vetëm duke rritur çmimin e ujit. Nëpër rrugët e qytetit shikon ujërat e zeza që kanë plasur dhe derdhen rrugëve, tubacione që rrjedhin ujin dhe pak kush interesohet.

Strategjia e qeverisë: Rritje drastike e çmimit të ujit

Ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve që mbështeten prej vitesh nga buxheti i shtetit për shkak të performancës së tyre negative financiare parashikohet që në vitet e ardhshme bashkë me masat e mirë-menaxhimin të aplikojnë edhe tarifa më të shtrenjta ndaj konsumatorëve. Një strategji kombëtare për sektorin e Ujësjellës-Kanalizimeve 2020-2030 e nxjerrë nga qeveria për konsultim, argumenton se shumica e ndërmarrjeve nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet e tyre, ndërkohë që kjo mund të përmirësohet me rishikimin e çmimit të ujit. Sipas strategjisë përballimi për një rritje të tarifave mbetet ende i lartë, çka do të thotë që, ende ka hapësirë për t’i rritur. Për këtë si referencë shërben një studim i vitit 2015 ku thuhet se fatura e ujit zë mesatarisht 2.2 për qind të shpenzimeve në një familje shqiptare nga 5 që është tavani i vendosur. “Strategjia Kombëtare e Sektorit UK përfshin, gjithashtu, përmirësime në vendosjen e tarifave në përputhje me parimet e mëposhtme:

  • Nivelin e mbulimit të kostove nga tarifat;
  • tarifa që bazohen në kosto.

Politikat tarifore dhe përcaktimi i tarifave do të sigurojnë që shërbimet UK të jenë të përballueshme në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, ku thuhet se tarifat duhet të jenë të përballueshme duke pasur parasysh që fatura ujit dhe kanalizimeve duhet të jetë jo më shumë se 5 për qind e të ardhurave familjare për familjet me të ardhurat më të ulëta”, thuhet në dokument. Strategjia parashikon një rritje prej 75% të tarifës së ujit nga viti 2019 deri në vitin 2030, me qëllim rritjen e qëndrueshmërisë financiare të shoqërive UK. “Sidoqoftë, rritja mesatare e tarifave nuk e prek çështjen reale të përballueshmërisë, pasi tarifa mbetet nën pragun e përballueshmërisë (vija e kuqe) gjatë gjithë periudhës, madje mbetet e tillë edhe për 10% e popullsisë me të ardhura më të ulëta (vija e zezë). Për më tepër, tarifa mesatare (vija blu) mbetet tre herë më e ulët se pragu i përballueshmërisë, duke theksuar se ka ende hapësirë për të rritur tarifat, me qëllim përmirësimin e performancës financiare të shoqërive, pa shkaktuar probleme të përballueshmërisë. Kështu që, tarifat mund të bëhen një burim financimi i rëndësishëm për sektorin në të ardhmen dhe të mbështesin zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Sektorit UK”, vlerëson dokumenti i qeverisë.

Shqiptarët pa bukë, Qeveria rrit edhe më shumë çmimin e ujit

Për ditë e më shumë çmimet janë duke u rritur për shqiptarët, aq sa kostoja e jetesës po bëhet e papërballueshme. Së fundmi, Enti Rregullator i Ujit ka marrë vendimin se çmimi i ujit do të rritet edhe më shumë në katër qytete të vendit. Qytetarët në Vlorë dhe në Krujë do të paguajnë paguajnë më shumë për ujin. Kurse qytetarët në Berat dhe Kuçovë rritja ka nisur të aplikohet që prej datës 1 nëntor. Qytetarët e Vlorës janë ata që do të paguajnë më shumë. Kjo duke qenë se tashmë konsumatorët do të paguajnë për ujin e pijshëm 45 lekë/m3 nga 30 lekë/m3, apo 50% më shtrenjtë se sa paguanin aktualisht. Në gusht 2017 Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi tarifat e reja të ujit. Çmimi u rrit nga 45 lekë për metër kub që është tani dhe të kapë shifrën 65 lekë/m3 për familjarët. Rritje drastike do të ketë edhe çmimi i faturimit të ujit për bizneset, nga aktualisht 135 lekë/m3 në shifrën 190 lekë/m3 për bizneset.