CEZ-i vazhdon të vjedhë shqiptarët, ERE “rreh ujë në hava”

74

ERE: Do vendosim administrator shtetëror tek CEZ-i, por ende nuk është vendosur heqja e licencës

Ka mëse tre muaj, që gjendja në shpërndarjen e energjisë elektrike është në kaos të plotë. Shteti importon energji, me anë të KESH-it, duke paguar miliona euro, ndërsa CEZ-i, vazhdon të vjedhë shqiptarët, duke vjelë rregullisht të gjitha pagesat e fryra të faturave të CEZ-it me energjinë që shet. Madje, CEZ ka bllokuar çdo pagesë detyrimi që ka ndaj kujtdo, sa nuk paguan më as qiratë e ambienteve të zyrave të tij, sikurse ndodhi në Kombinat të Tiranës, ku CEZ-in e nxorën jashtë nga zyrat, ngaqë nuk ka paguar qiranë. Vetë CEZ-i ka pohuar kohët e fundit që shikon mundësi të largohet, por kërkon të shesë aksionet e saj. Problemi është: Çfarë aksionesh do të shesë CEZ-i? Ai vetëm ka marrë me koncesion me kontratë dhe deri tani nuk ka zbatuar asnjë pikë të kontratës, përsa i përket detyrimeve që CEZ-i ka. Dhe, në saj të ligjit, kur çdo palë nuk zbaton kontratat,  atëherë ka edhe penalizime. CEZ-i, duhet të penalizohet për vjedhje sistematike, abuzime, mashtrime, mosinvestim, etj., ndërsa qeveria, deri tani, thjesht luan rolin e vëzhguesit e të sehirxhiut.

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) miratoi dje rregulloren për një administrator të ri shtetëror për CEZ. Administratori shtetëror do drejtojë CEZ deri në ardhjen e një kompanie të re.  ERE, në mbledhjen e Bordit të Komsionerëve ditën e djeshme njoftoi se e miratoi rregulloren “Mbi procedurat e emërimit të administratorit dhe kompetencat e tij”. “Heqja e licencës çekëve dhe largimi i njoftuar i CEZ Shpërndarjes e detyron Entin Rregullator të Energjisë që në bazë të ligjit “Për sektorin e energjisë”, të bëjë gati terrenin për mënyrën se si do të menaxhohet shpërndarja e energjisë në vijim. Në këto kushte duket se shumë shpejt do të kemi një administrator të ri që do të kryejë funksionin e përkohshëm për shpërndarjen e energjisë”, kështu u shpreh ERE sot gjatë një mbledhjeje që u karakterizua nga diskutime. Vendimi për heqjen e licencës së CEZ-it pritet të merret brenda këtij muaji, data më e përfolur është 17 Janari. Pritet që më 21 janar do të zgjidhet individi që do jetë administratorin e ri shtetëror i CEZ Shpërndarje. Ende nuk dihet se cili do të jetë emri i administratorit shtetëror, që pritet të marrë drejtimin e kompanisë së shpërndarjes. Burimet thonë se, deri tani nuk përflitet ndonjë kandidaturë. Ligji “Për sektorin e energjisë elektrike” përcakton se në rastin kur i hiqet licenca një operatori zgjidhja vijuese ka disa alternativa. E para është që ta lejojë të licencuarin të vazhdojë t’i përdorë këto pajisje dhe asete sipas kushteve dhe afateve të caktuara; e dyta, të kontraktojë me një ose me më shumë shoqëri private, që mund të ndërmarrin vazhdimin e këtij shërbimi, ose e treta, që duket se është dhe varianti i zgjedhur për t’u zbatuar, është të emërojë një administrator që të mbikëqyrë ose të operojë pajisjet dhe pasuritë, sipas licencës. CEZ-i tashmë ka njoftuar largimin e saj nga Shqipëria, si dhe pretendimin për garancinë 60 milionë euro nga Banka Botërore, ndërkohë që ERE është në procesin e heqjes së licencës dhe pritet që shumë shpejt të dalë dhe raporti që paracakton vendimin final. Pra, siç shihet, edhe ERE edhe qeveria  akoma nuk vendosin dot si të sillen me CEZ-in, sepse janë të kapur nga CEZ-i, ndaj nuk ndërmarrin asnjë veprim që mbi CEZ-in të veprojë ligji. Qeveria, në radhë të parë, duhet t’i bllokojë të gjitha llogaritë bankare CEZ-it, t’i hiqet e drejta e mbledhjes të pagimit të faturave, derisa CEZ-i nuk paguan më asnjë lloj detyrimi financiar që ka ndaj të tjerëve, deri në ndërkohën që do të vendoset në bazë të ligjit, nëse CEZ-it do t’i hiqet apo jo licenca e shpërndarjes të energjisë elektrike. Gjithashtu, edhe të gjithë ata drejtues qeveritarë, që me dashje favorizojnë CEZ-in, me mosveprim për të ushtruar ligjin ndaj CEZ-it, apo me veprime favorizuese për CEZ-i,  dhe lejojnë që  të vazhdojë kjo gjendje kaotike në shpërndarjen e energjisë elektrike  në dëm të shqiptarëve, do të vijë dita që do të përgjigjen penalisht.