Kosovë, Kuvendi seancë të veçantë për heroin kombëtar, Isa Boletini

486
Në Kuvendin e Republikës së Kosovës zhvillohet sot në mesditë seanca e veçantë kushtuar jetës dhe veprës së heroit kombëtar, Isa Boletini, pas së cilës bëjnë homazhe drejtuesit e institucioneve shtetërore, deputetët dhe qytetarët. Homazhet në Kuvendin e Kosovës do të shoqërohen nga orkestra “Rexho Mulliqi”. Arkivoli i heroit kombëtar Isa Boletini mbërrin në Prishtinë në ora 14:30 dhe drejt Kuvendit të Kosovës kortezhi kalon nga Bulevardi “Bill Klinton”, për të vazhduar në rrugën “Dëshmorët e Kombit” dhe shesheve të kryeqytetit kosovar. Manifestimi i rivarrimit të heroit kombëtar Isa Boletini, me aktivitete 3 ditore, organizuar nën përkujdesjen e qeverisë së Kosovës, ka nisur dje me ceremoninë në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kortezhi ka vazhduar drejt Deçanit dhe pas natës në Isniq sot në mëngjes ka vazhduar drejt Skënderajt dhe Kompleksit memorial Adem Jashari në Prekaz, gjithnjë me nderimet e gjithë kombit për heroin kombëtar.
Nesër nga mesdita, në Stadionin e qytetitit të Mitrovicës do të zhvillohet ceremonia qendrore me rastin e rivarrimit të Heroit Kombëtar Isa Boletini që do bëhet pasdite në Boletin. Nga komuna jugore e Mitrovicës bëhet e ditur se, për shkak të hapësirës së vogël në kompleksin e kullave të heroit dhe përreth saj, në rivarrimin e eshtrave të heroit Isa Boletini, në Boletin, do të marrin pjesë vetëm familjarët e heroit, përfaqësues të institucioneve shtetërore e të tjerë. Në 5 qershor, “Isa Boletini në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare” ishte konferenca shkencore, e cila u mbajt në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Konferenca shkencore është organizuar nga Instituti i Historisë nga Prishtina, Instituti i Historisë nga Tirana dhe Instituti për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve nga Shkupi. Manifestimet për rivarrimin e heroit kombëtar Isa Boletini mbahen me moton “Prapë, na erdhi Baca Isë”.
Nga Mitrovica-Boletini, para më shumë se 100 viteve Isa Boletini me 400 bashkëluftëtarë e tij shkoi në Vlorë në krah të Ismail Qemalit për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Siç shënonin kronistët e kohës, disave prej tyre ende u kullonin plagët në trup nga fushëbetejat që kishin sjellë deri te dita e madhe e ngritjes së Flamurit të Pavarësisë në 28 Nëntor 1912. Në 23 maj 2015, në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, erdhi për inaugurimin e shtatores së Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit shqiptar, firmëtarit të parë të Deklaratës së Pavarësisë së shpallur në Vlorë. Në Vlorë, 400 bashkëluftëtarët e Isa Boletinit përbënin forcën e parë ushtarake të Qeverisë së parë shqiptare të kryesuar nga kryetari i saj Ismail Qemali.
Sigal