Ceremonia e shpalljes së 15 kandidatëve fitues

“Skema e Bursave për Nëpunësit e Rinj Civilë”

Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) pranë ambienteve të Kryeministrisë, u zhvillua sot ceremonia e shpalljes së 15 kandidatëve fitues të projektit“Skemat e Bursave për Nëpunësit e Rinj Civilë”, projekt i financuar nga Bashkimi Evropian (BE), i cili mbështet reformën në shërbimin civil në Shqipëri dhe synon ngritjen e një sistemi profesional, të pavarur dhe të bazuar në meritë sipas standardeve evropiane. 

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Zëvendës Kryeministrja e Republikës së Shqipërisë Znj. Senida Mesi, Ambasadorja e Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri Sh. S. Znj. Romana Vlahutin, Ambasadorja Franceze Sh. S. Znj. Christina Vasak, Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike Znj. Albana Koçiu, përfaqësues të Shkollës Franceze të Administratës Publike etj.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Zëvendës Kryeministrja Mesi duke vlerësuar mbështetjen e BE-së në kuadër të forcimit të kapaciteteve të shërbimit civil në Shqipëri, nënvizoi faktin se ky program pilot i shtohet një tjetër programi të suksesshëm, skemës së BE-së në lidhje me përgatitjen e gjeneratës së ardhshme të nëpunësve civilë dhe politik-bërësve në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. 

Znj. Mesi duke shprehur bindjen se një program i tillë nuk do të ngelet thjeshtë një pilotim, por do të jetë një histori suksesi e cila do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, u ndaltek rëndësia e programeve të tilla që jo vetëm forcojnë kapacitetet e brendshme, por i shërbejnë njëkohësisht edhe reformës në administratën publike si një prej prioriteteve kryesore të integrimit në Bashkimit Evropian. “Kur të ktheheni në Shqipëri, besoj që do të vini me projekte konkrete të cilat do të ndihmojnë në jetësimin e reformave të qeverisë shqiptare”, iu drejtua Znj. Mesi fituesve të programit. 

Në lidhje me këtë program trajnimi, Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike (DAP) Znj. Albana Koçiutheksoi faktin se është bërë një procedurë shumë e mirë konkurrimi dhe janë përzgjedhur kandidatë të cilët janë të aftë të përballojnë dhe sfidojnë veten e tyre në çdo lloj aspekti. “Secili nga fituesit ka nënshkruar një kontratë, në të cilën janë specifikuar disa detyrime për vendin e tyre të punës. Vendi i tyre i punës do të ruhet, ata do të kthehen sërish aty ku ishin, ku për dy vite do të kenë mundësi që të gjithë njohuritë që do të përfitojnë nga ky projekt ta vënë në praktikë në institucionin ku punojnë”, ndër të tjera shtoi Znj. Koçiu. 

Sipas kësaj skeme të financuar nga BE, 15 nëpunës civilë të administratës publike qendrore do të dërgohen në një program 4 mujor trajnimi në Francë, Luksemburg dhe Bruksel. Procesi përzgjedhës është kryer në përputhje me standardet e dakordësuara paraprakisht midis partnerëve zbatues, duke marrë në konsideratë eksperienca të ngjashme të zbatuara më parë.