“Çakejtë” e sindikatave, kanë “shqyer” 152 prona

1598
Sigal

Krimi ekonomiko-financiar mbi pronat e sindikatave prej “sulltanëve” të tyre është një “pusetë” që duhet hapur e pastruar urgjentisht prej shtetit, qeverisë dhe drejtësisë

Nisur prej qindra informacioneve, denoncimeve e akuzave konkrete, ardhur ditët e fundit në gazetën “Telegraf” prej sindikalistësh e punonjësish për pronat e sindikatave, po nisim sot dhe do ta vazhdojmë publikimin e investigimeve që kemi bërë, lidhur me fatin e pronave, pasuri kombëtare, që shteti shqiptar, në vitin 1992 ua dha me dekret anti-Kushtetues sindikatave shqiptare, të krijuara pas shpërbërjes së ish-Bashkimeve Profesionale, duke kaluar pronat e kësaj organizate “rrip transmesioni” e ish-PPSH-së, me përqindje në administrim të BSPSH-së, KSSH-së, SP të Naftës, SP të Minierave dhe SP të Portit, të tjetërsuara shumë shpejt në “rripa transmesioni” të partive politike majtas e djathtas. Ky dekret ishte dhe vazhdon të jetë anti-Kushtetues mbasi u hartua, u firmos e u vulos privatisht nga ish-presidenti Sali Berisha, por nuk u kundërfirmos nga Kryeministri e Ministri i Financave, si dhe nuk u paraqit më parë për miratim në Kuvend në sesionin më të afërt, detyrim Kushtetues ky, i parashikuar në Nenet 28/19 dhe 29 të Ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore Kushtetuese”. Pasi morën “haxhiqamilçe” pronat në vitin 1992, drejtuesit e sindikatave u “betuan” për mbrojtjen e punonjësve, por “harruan” të mbrojnë punonjësit dhe filluan të mbrojnë e “administrojnë” pronat e dhëna “peshqesh” prej shtetit. Ata që u vendosën dhe çimentuan “prapanicat” në krye të sindikatave me katapultime si ish-spiun sigurimi, me mbështetje politike, me dhunë, pazare e prapaskena, asfiksuan totalisht e qëllimisht lëvizjen sindikale dhe u lidhën me politikën, u vunë në shërbim të saj si “uturakë të qelbur”, duke u kthyer nga drejtues sindikatash në “çifligarë” të pronave të sindikatave, të cilat i përdorën si t’i kishin “pronat e babait”. Dy janë sindikatat që kanë marrë më tepër prona: BSPSH dhe KSSH, deri në vitin 1997, drejtuar nga Valer Xheka e Kastriot Muço dhe tashmë nga Gëzim Kalaja e Kol Nikollaj, në duart e të cilëve prej 22 vjetësh ranë pronat e sindikatave dhe u përdorën privatisht me ndarje nga 45 % deri në 55 % të këtyre pasurive kombëtare. Nëse ka një krim, deri në masakër të përbindshme ekonomike-financiare me pasuritë kombëtare në Shqipëri, kjo është bërë me pronat e sindikatave, si një babëzi prej “çakejve” që kanë sunduar e vazhdojnë “sulltanatin” banditesk në krye të tyre. Nëse ka një “pusetë” të tejmbushur krimi ekonomiko-financiar e pronësor, që duhet hapur, zhbllokuar e “pastruar” urgjentisht prej shtetit e qeverisë në bashkëveprim me drejtësinë, kjo është “puseta e pronave të sindikatave”.

 Pronat e sindikatave, “viktima” të “çakejve” të sindikatave

 Gazeta “Telegraf” disponon të plotë me fakte e emra konkretë “dosjen e zezë” të sindikatave që pasqyron krimin mbi pronat që shteti u dha për aktivitet sindikal në shërbim të punonjësve e jo si pasuri private horrave që uzurpuan drejtimin e sindikatave. Shkatërruesit, hajdutët, shitësit, copëtuesit, qiradhënësit privatë, blerësit, zhdukësit dhe përfituesit e 152 pronave të sindikatave shqiptare, nuk janë punonjësit që lypin punë me mëditje rrugëve e që rropaten për “bukën e gojës” pa mbrojtjen e sindikatave, por janë “pashallarët” e sindikatave, janë “tufa” e “çakejve” të BSPSH-së e KSSH-së, Sindikatës së Minierave, të Sindikatës së Naftës, Transportit, Bujqësisë, Arsimit, Shëndetësisë, Ushtrisë, Policisë, Ndërtimit, Tekstileve etj., të cilët me “kthetrat” e tyre kanë “mbërthyer për gryke” drejtimin e sindikatave dhe prej 22 vjetësh kanë shqyer e po vazhdojnë të shqyejnë deri në “kockë” me babëzi pronat e sindikatave. Pronat e sindikatave janë tjetërsuar në pasuri private me shitje, dhurime, kolaterale “fajdesh” deri tek firmat piramidale VEFA, SUDJA, POPULLI, XHAFERRI. GJALLICA etj, në shkëmbim të miliona dollarëve të marrë e të zhdukur pa “nam e nishan” nga “kryeagallarët” e “mender sindikatave”. Shumë pasuri të tjera, si shtëpi e pallate kulture, salla lojërash, salla bibliotekash, studiosh e shtypshkronjash, ofiçinash, salla mensash etj., janë shitur ose dhënë me qira e janë kthyer në hotele, motele, servise, farmaci, bingo, klube bastesh, studio këngësh, markete, kopshte e shkolla private, vila, shtëpi banimi, berber, furra buke, kasapë e madje pulari, dyqane lëndësh ndërtimi, marangoz, prodhime duralumini, magazina bimësh medicinale, floktore e deri kovaçana! Prej dhënies së tyre me qira, prej 20 vitesh janë “prodhuar” miliona dollarë të ardhura, por “agallarët” e sindikatave i kanë përlarë ato duke përdorur “qehallarët” e tyre të cilët dilnin e mblidhnin lekët me thasë tek qiraxhinjtë, të cilat thuhet se janë përdorur “për lëvizje sindikaliste”! Ato “kocka” që kanë mbetur nga pronat e sindikatave, po vazhdojnë të përtypen e lëpihen prej “çakejve” të sindikatave, duke u vjelë qiratë mujore e vjetore, një pjesë e të cilave përdoret për të ushqyer “tufën” e bindur, të verbër e injorante që mbajnë në rresht pas vetes. Sot do të nisim hapjen e kësaj dosjeje, duke faktuar pa komente, por me detaje se çfarë është bërë e çfarë vazhdon të bëhet me 152 pronat e sindikatave shqiptare.

10 pyetje për pronat e sindikatave…

 1. Çfarë ka ndodhur e çfarë po ndodh me pronat e sindikatave?

2. Kush i administron fizikisht dhe kush i “vjel” financiarisht ta ardhurat prej tyre?

3. Ku përfundojnë të ardhurat nga qiratë, shitjet, ortakëritë e pronave?

4. A kanë vendosur punëtorët për administrimin e pronave të sindikatës?

5. A kanë përfituar sindikalistët dhe punonjësit nga përdorimi i pronave?

6. A përdoren pronat sipas destinacionit për edukimin dhe çlodhjen e punëtorëve?

7. A bëhet transparenca e të ardhurave të tyre? A e lejon ligji tjetërsimin e këtyre pronave dhe çfarë ka bërë shteti?

8. Përse vazhdohet, që prej vitit 1998, t’u lihen pronat sindikatave, kur dekreti i dhurimit të tyre është shpallur anti-Kushtetues e është shfuqizuar?!

9. Ku kanë përfunduar këto prona?

10. A do të rihapen 167 dosjet që kanë shkuar në prokurori që përpara 10 vitesh me denoncime e emra konkrete për abuzimet që kanë bërë krerët sindikalë me pronat?

Këtyre pyetjeve do t’u japim përgjigje në numrin në ditët në vijim, duke shoqëruar gjithçka me fakte abuzimesh, me individë e drejtues sindikatash përfitues e urdhërues abuzimesh.

Ja si janë ndarë pronat e sindikatave në Tiranë

 Bashkimi Sindikatave të Pavarura (BSPSH)

 1. Shtypshkronja “Sindikata” (ish-Poligrafia“11 Shkurti”)

Pallati i Kulturës Qendër Kamëz

2. Pallati i Kulturës, Kombinati “Josif Pashko”, me 150 vende

3. Ofiçina e ish-BPSH (50 %)

4. Pallati i Kulturës “Ali Kelmendi”, qendër Tiranë (55% zyra e mjedise)

Konfederata Sindikale (KSSH)

1. Pallati i Kulturës “Tekstilisti”, Kombinat

2. Pallati i Kulturës Qendër Marikaj

3. Ofiçina e ish-BPSH (50 %)

4. Pallati i Kulturës “Ali Kelmendi”, qendër Tiranë (45 % zyra e mjedise)

Sindikata e Pavarur e Naftës (SPN)

1. Shtëpia e Kulturës, miniera Valias

2. Shtëpia e Kulturës, miniera Mushqeta

3. Shtëpia e Kulturës, miniera Kërrabë

Ja Dekreti anti-Kushtetues Nr. 204, datë 05. 06.1992, për dhurimin e pronave sindikatave

 Në mbështetje të pikës 19 të nenit 28, të ligjit nr.7491,datë 29.4.1991 “Për dispozitat

kryesore kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave, D E K R E T O J:

 Neni 2

Pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme që shërben për veprimtarinë sindikale dhe edukimin profesional e sindikal të punonjësve si shtëpi pushimi, shtëpi kulture e parqe sportive, salla mbledhjesh e veprimtarish, sanatoriume për punonjësit, librari, biblioteka, ndërtesa shkollimi, makineri, pajisje dhe inventar i imët, është në pronësi të sindikatave. Ndarja e kësaj pasurie bëhet me marrëveshje ndërmjet sindikatave në përpjesëtim me numrin e anëtarëve të tyre, brenda muajit qershor të vitit 1992. Mosmarrëveshjet që lidhen me ndarjen e pasurisë, zgjidhen nga gjykata.

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Tiranë, më 05. 06.1992

Nr.i dekretit: 204

PRESIDENTI I REPUBLIKES

SALI BERISHA

Ja Ligji Nr.8340, datë 6.5.1998, që shfuqizon Dekretin Nr. 204, datë 05. 06.1992

 Në mbështetje të neneve 16 dhe 28 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, duke konstatuar se dekreti nr.204 , datë 5.6.1992 “Për pasurinë e sindikatave” nuk është i kundërfirmuar nga Kryetari i Këshillit të Ministrave, detyrim kushtetues ky i parashikuar nga neni 29 i ligjit nr.7491, ëatë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, KUVENDI POPULLOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Neni 1

Nuk miratohet Dekreti nr.204, datë 5.6.1992 “Për pasurinë e sindikatave”.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi menjëherë.

Shpallur me dekretin nr.2089, datë 12.5.1998 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,

REXHEP MEIDANI

Statistika e pronave të sindikatave, sipas qarqeve

 1. Qarku Tiranë ka 18 prona, regjistruar në hipotekë 3 prona.

2. Qarku Korçë ka 17 prona, regjistruar në hipotekë 12 prona.

3. Qarku Elbasan ka 8 prona, regjistruar në hipotekë 7 prona.

4. Qarku Berat ka 5 prona, regjistruar në hipotekë 4 prona.

5. Qarku Fier ka 12 prona, regjistruar në hipotekë 2 prona.

6. Qarku Durrës ka 10 prona, regjistruar në hipotekë 4 prona.

7. Qarku Kukës ka 6 prona, regjistruar në hipotekë 4 prona.

8. Qarku Dibër ka 5 prona, regjistruar në hipotekë 2 prona.

9. Qarku Lezhë ka 13 prona, regjistruar në hipotekë 2 prona.

10. Qarku Shkodër ka 8 prona, regjistruar në hipotekë 2 prona.

11. Qarku Vlorë ka 15 prona, regjistruar në hipotekë 1 pronë.

12. Qarku Gjirokastër ka 4 prona, regjistruar në hipotekë 2 prona.

SHËNIM I REDAKSISË: “Telegraf” do vazhdojë të zbardhë të plotë “dosjen e zezë” të krimit ekonomiko-financiar, bërë nga sindikatat shqiptare. Zbardhja e skandaleve: për evazion fiskal (duke mos i paguar shtetit detyrimin prej 10 % të të ardhurave nga qiratë); dhënia me “qira” (qira fiktive) e pasurisë së vendit, familjarëve, të afërmve, fisit dhe farës…; fshehje të ardhurash; udhëtimet turistike që shiten si seminare; vetëshpërblimet e majmura për krerët e sindikatave; blerjen e makinave luksoze dhe pagesën e kredisë së tyre me paratë e punonjësve shqiptarë; shpenzimet pa kriter për celularë, karburant etj.; do të vijojë nga redaksia, deri sa Prokuroria, KLSH dhe organe të tjera të specializuara të fillojnë hetimin ndaj batërdisë në pasurinë dhe paratë e shqiptarëve nga ana e sindikatave. Gjithashtu do të zbardhen, edhe prononcimet e krerëve të sindikatave që akuzohen, të sindikalistëve, të drejtësisë dhe organeve ekzekutive lokale e qendrore. Mirëpritet edhe angazhimi i cilitdo që dëshiron të bëhet pjesë e zbardhjes së këtij krimi të rëndë me pasuritë kombëtare…

Përparim HALILI