Burokratët e Ministrisë së Mjedisit mbajnë peng Portin e ri të Peshkimit

679
Sigal

DURRËS/ Punimet që kapin vlerën 15 milionë dollarë duhet të nisnin para 5 muajsh, por as guri i themelit nuk është hedhur

Pas më shumë se pesë muajsh nga nisja e projektit për ndërtimin e portit të ri të peshkimit, në Durrës, nuk është hedhur akoma guri i parë i themelit, për të shënuar fillimin e punimeve. Aso kohe në fillim të pranverës, drejtoria e Autoritetit Portual të Durrësit deklaroi se në fillim të prill projekti i shumë pritur ishte gati të vihej në zbatim, duke ju dhënë kështu një shpresë të madhe peshkatarëve të Durrësit, për ndërtimin e këtij porti që do t’i japë zhvillim kësaj industrie, me të cilën kanë lidhur jetën dhe të ardhmen mbi 2 mijë persona në Durrës. Burimet në Autoritetin Portual, thonë se gjithçka është përgjegjësi dhe kompetencë e Ministrisë së Mjedisit, ministri nga e cila varen flotat e peshkimit. Por se çfarë ndodh realisht askush nuk e di, për vetë faktin se në peshkim lajmet merren prej medias, ndërsa këta të fundit shprehen se i druhen makinacioneve të ndryshme që mund të bëhen me fondin dhe projektin e shumë pritur.

Situata 

Askush në Durrës nga drejtuesit e institucioneve nuk di të japë një përgjigje se përse nuk kanë filluar punimet për ndërtimin e portit të peshkimit, punime të parashikuara të nisnin në fillim të muajit prill, të bëra publike së bashku me projektin nga Autoriteti Portual i Durrësit. Të pyetur nga “Telegraf”, peshkatarët e Durrësit tundin kokën në shenjë mosbesimi, për ndërtimin e portit të ri të peshkimit, për të cilin u akorduan 15 milionë dollarë nga bankat e huaja. Kreu i sindikatës, Klodjan Kapiti i pyetur nga “Telegraf” tha se, dyshimet janë të shumta dhe askush nuk jep asnjë përgjigje, nëse fondi ka ndryshuar destinacion, nëse, ka vonesa në lidhjen e kontratës, apo se çfarë ka ndodhur realisht, askush nuk e di, përveç, zyrtarëve në Ministrinë e Mjedisit, të cilët nuk japin asnjë shpjegim. Dyshimet janë hedhur pasi që prej më shumë se 5 muajsh u deklarua se fondi ishte akorduar madje kishte përfunduar edhe procedura e tenderimit dhe pritej shpallja e kompanisë fituese në Ministrinë e Mjedisit.

Peshkatarët

“Llojet e shumta të peshkut vendas mjaft cilësor ndjehen të konkurruar nga peshku i jashtëm që vjen nga vendet fqinje deri nga Spanja me çmime mjaft konkurruese deri në 50 % më të lira dhe që nuk njihet nga konsumatorët e ardhur”, thotë Asllan Hajdari që ka ngritur lokal tregtimi për të shitur produktin që zë me anijet e veta në det. Hajdari thotë se mjetet e peshkimit në Durrës janë vjetëruar si rezultat i problemeve.