Durrës, rruga e plazhit, bllokohen punimet e Këshillit të Europës, prej 4 muajsh

534
Sigal

Prej katër muajsh janë bllokuar punimet për ndërtimin e kolektorit kryesor të ujërave të zeza në zonën e plazhit, duke bërë që rruga nacionale e plazhit të Durrësit të kthehet në një arenë gërmadhash. Kjo rrugë është e ngjashme me një shesh beteje, pasojat e së cilës i vuajnë të gjithë banorët e zonës dhe shoferët e makinave. Është një situatë dramatike, për vetë faktin se punimet janë ndërprerë në mes, ndërsa kanalet e hapura deri në tre metra thellësi, në rrugën nacionale në sensin e hyrjes për në Durrës, përhapin një erë të rëndë e kutërbuese në të gjithë zonën. Firma, e cila ka marrë përsipër ndërtimin e kolektorit të ujërave të zeza, e cila në muajt mars e prill, çau rrugën nacionale të plazhit prej muajit qershor, është larguar duke i lënë punimet në mes, rrugën të hapur, kolektorin të palidhur me impiantin e ujërave të zeza që gjendet në zonën e ish-Kënetës.

Kompania

Kompania fituese dhe nënkontraktorët, duket që minimalisht të punonin me dy turne për të vënë në funksion këtë projekt të madh, i cili do t’i vinte në ndihmë të gjithë zonën bregdetare dhe operatorëve turistikë. Por jo vetëm që nuk punohet me dy apo tre turne, por punimet prej 15 qershorit janë ndërprerë totalisht, në gjysmë të rrugës. Problemi më i madh për komunitetin e banorëve në këtë prag vjeshte është fakti se aty kalojnë për çdo ditë nxënësit e shkollës “Bajram Curri” dhe në rast se kanalet mbushen me ujë, fëmijët bien brenda, çka do të sillte pasoja shumë më tragjike se këto që janë përjetuar në 4 muajt e fundit. Përgjatë segmentit, ku puna ka lënë gjurmë, dallon qartë se rruga është hapur në një thellësi prej tre metrash dhe gjerësi prej 2.5 metrash të tjerë, poshtë janë vënë tuba me diametër të madh, ndërsa mbi kanalet e hapur është shtruar vetëm çakull. Përpiqemi që në një rreze prej dy kilometrash, ku ka gjurmë punimesh të gjejmë një tabelë orientuese të tyre, të firmës që ka marrë përsipër investimin madhor, i cili shkon deri në 10 milionë euro financime të Këshillit të Europës, për afatet e punimeve, për kontraktuesit dhe zbatuesit e projektit, për kontrolluesit e tyre, por një tabelë e tillë nuk ekziston. Janë këta banorë, të cilët ngrenë apelin e fortë, për situatën në të cilën gjendet e gjithë zona në prag të stinës së dimrit.

_____________________________________________________________________________________

REAGIM I KRYEBASHKIAKUT, DAKO

Për këtë çështje kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, deklaroi se bashkia i ka dhënë lejen e hapjes së rrugës firmës së ndërtimit “Ardritaik” me qëllim që punimet të kryheshin me tre turne dhe të mbylleshin brenda një kohe të shkurtër. Bashkia ka dhënë leje me premtimin që ky projekt do të zgjidhë problemin e madh atë të mos derdhjes së ujërave të zeza në det. Në teren ka një zvarritje të dukshme të projektit. Bashkia është përfituese e këtij projekti dhe jo kontraktues të saj, pikërisht këtu qëndron problemi që ne nuk mund të detyrojmë kompaninë zbatuese, sepse janë qeveria dhe Banka e Europës ata që duhet t’i kërkojnë llogari firmës.