“Belle Air” braktis 40 pasagjerë në Budapest, ishin nisur për Vjenë

279

Autoriteti i Konkurrencës ka bllokuar dhënien e licencave, duke favorizuar  kompani të caktuara

“Belle Air” po bëhet problematike në shërbesën ndaj  udhëtarëve. Rastet janë të përsëritshme dhe “Belle Air”, jo vetëm që nuk reflekton, por arrogancën dhe shpërfilljen e ka kthyer në metodë pune. Kështu,  pardje, siç bën të ditur një gazetë elektronike, 40 pasagjerë shqiptarë kanë ngelur në aeroportin e Budapestit, pasi ishin nisur për në Vjenë me një avion të kompanisë “Belle Air”. Të afërm të pasagjerëve telefonuan, duke thënë se avioni ishte nisur në orën 7 të mëngjesit nga aeroporti shqiptar “Nënë Tereza” dhe në orën 9 kishte bërë ulje të detyruar në aeroportin e kryeqytetit hungarez, Budapest, pasi në Vjenë nuk mund të ulej, për shkak të kushteve të motit. Pasagjerët kanë zbritur në Budapest dhe nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 16:00, nuk ishte bërë asnjë lëvizje, e madje, nuk u është dhënë as shpjegim se çfarë do të bëhej më tej. Sipas familjarëve,  u interesuan pranë agjencisë ajrore  dhe ata u kanë thënë se ishin të detyruar të bënin ulje në Budapest dhe tashmë nuk dihet se çfarë veprimesh do të bëhen. Ndërkohë, menaxherë të kompanisë, të kontaktuar me telefon thanë se pasagjerët do të transportohen nga Budapesti për në Vjenë me autobus,  por nuk tha se kur do të ndodhë kjo. Pasagjerët, ndërkohë, nuk kanë më as bileta për t’u kthyer e as mundësi për të udhëtuar drejt Vjenës, që ishte edhe destinacioni i tyre. Po para disa ditëve, “Belle Air” ka lënë pa dhënë asnjë njoftim, për 3-4 orë në aerodromin e Vjenës pasagjerët e vet Në këtë rast, nuk ishin arësyet e motit të keq, por mungesa e profesionalizmit, e ndjenjës së përgjegjësisë nga kjo kompani. Pyetja që mund të lind, në kësi rastesh është e thjeshtë: “ A është përgjigjur ndonjëherë “Belle Air” për këto raste flagrante të arrogancës, të keqtrajtimit të qytetarëve? Sigurisht, jo, derisa rastet janë të përsëritshme. Me kë janë lidhur drejtuesit e “Belle Air”, që nuk ndjejnë peshën e ligjit mbi veprimet e tyre në dëm të udhëtarëve? Madje, për të kërkuar përgjigjen e kësaj pyetje, kemi të drejtën që të pyesim: “Përse Autoriteti i Konkurrencës nuk jep licenca të tjera, duke favorizuar, kësisoj, kompaninë në fjalë?”