“Rotacioni politik do të bëhet, por paraprakisht duhet të premtohet se fajtorët e korrupsionit, do të ndëshkohen jo vetëm me fj

493
Sigal

 INTERVISTA/ Kiço Blushi, publicist dhe shkrimtar: “Nuk besoj se PS-ja do të hyjë në koalicion me LSI-në në 2013-n”

Shkrimtari dhe publicisti i njohur Kiço Blushi në intervistën ekskluzive për “Telegraf”, skanon në laboratorin e vet aktualitetin politik, duke thënë hapur të vërtetat e hidhura, që nga Monarkia de jure e Kryeministrit, e deri te domosdoshmëria për një rotacion në përmbajtje, e jo në formë. Shqipërisë,- thotë zoti Blushi- i nevojitet integrimi, por kjo klasë politike nuk mund ta përmbushë dot këtë aspiratë, pasi do të humbasë privilegjet e pushtetit që gëzon.

 -Zoti Blushi, kurrë ndonjëherë shqiptarët në histori nuk janë ndjerë më mirë se në vitin 2012: me dy shtete shqiptare… Kurse në Maqedoni shqiptarët janë faktori politik përcaktues. Nga ana tjetër, vetëm Shqipërisë iu mohua tre herë statusi i vendit kandidat për në BE. Ju, ç’gjykim do t’i jepnit kësaj kontradikte?

 –Kjo që thoni ju është e vërtetë. Faktori shqiptar ndihet, së paku “fizikisht”, më i plotësuar në këto 100 vjet. Duket sikur faktori shqiptar ka mbërritur në majat e veta; se ka realizuar më në fund qëllimin e vet kombëtar, të lakmuar në shekuj. Kjo të bën të ndjehesh mirë, tekefundit është një arritje për t’u gëzuar, paçka se këtë e mundësuan më shumë ndërkombëtarët, kryesisht SHBA, se ne vetë. Ndërkohë, për fat të keq, politika aktuale, jo vetëm në Shqipëri, nuk po e shfrytëzon këtë arritje historike.  Ashtu si në Shqipëri, edhe në Kosovë, edhe në Maqedoni klasa politike është e përçarë, në sherr të vazhdueshëm, duke ngrënë vetveten, jo për platforma, as për alternativa zhvillimi, as për të forcuar demokracinë dhe afruar integrimin, as për të mbrothësuar ekonominë, por se “kush do të bëhet kryeministër, kush do të jetë ministër, kush deputet, d.m.th si të mos i humbasim apo si t’i fitojmë favoret e pushtetit”. Ky është kuptimi vërtetë i politikës ndër ne! Kjo mendësi haxhiqamiliste, sipas meje, e ka penguar, e ka deformuar, madje e ka dëmtuar këtë  arritje të madhe historike të shqiptarëve. Zhurma e madhe që u bë kinse për nacionalizmin ditët e fundit, zhurmë që pas reagimit të ndërkombëtarëve u shfry si një tullumbace, nuk ishte nacionalizëm, por një retorikë politike e dalëboje. Arritja e vetme e kësaj propagande ishte acarimi jo vetëm me fqinjët, por edhe me aleatët tanë strategjikë, të cilët panë se edhe tek ne ka liderë që për ambicie vetjake, në vend që t’i vënë vetulla kombit, i nxjerrin sytë…“Nacionalizmi” i stisur i Berishës për një bashkim kombëtar nuk e afroi bashkimin, por më shumë e dëmtoi, se e ndihmoi. E dëmtoi sepse bashkimi i shqiptarëve nuk mund të bëhet me parulla politike, me prishje kufijsh, me slogane “elektorale”, por me përpjekje serioze në drejtim të integrimit të vetë shqiptarëve me shqiptarët e paskësaj edhe me Evropën. Po a jemi ne të integruar me njëri-tjetrin, pavarësisht nga kufijtë shtetërorë, politikë e partiakë? Bashkimi kombëtar bëhet me platforma kombëtare, me unifikim qëllimor, d.m.th me një platformë mbarëkombëtare, duke nënkuptuar edhe atë politik, ekonomik e kulturor të shqiptarëve. Por një platformë e tillë kombëtare ne sot na mungon. Për fatin e keq të kombit  jo vetëm që nuk e kemi një platformë të tillë përbashkuese, por interesat imediate të politikës, të partive, të krerëve më saktë, po e dëmtojnë këtë aspiratë. Pikërisht në këtë situatë, kur duhet të ndodhte e kundërta, që ne të merrnim statusin e të ndjeheshim më tepër evropianë, sot ne jemi më larg Europës, krahasuar me popujt e Ballkanit.

 – Fakti i hidhur, vetë ne fajësohemi pse nuk po na integrojnë

 – Nuk është e vërtetë që nuk na pranon Brukseli, për këtë apo atë arsye gjeopolitike, apo pse nuk u votuan ato tre ligjet e famshme. Ne po provojmë përditë se nuk e kemi merituar integrimin, se jemi larg, shumë larg standardeve demokratike të Evropës, se këtu vazhdon krimi, ngujimi, korrupsioni, anarkia, vazhdon konflikti politik, vazhdon, si në çdo shoqëri të pazhvilluar e pa standarde, të lulëzojë dizintegrimi i vetë shqiptarëve me njëri-tjetrin…

 – Historibërja e Shqipërisë duket sikur është varur nga momenti… Është kjo mungesë e formimit të ndërgjegjësimit dhe përgjegjësimit kombëtar të gjithsecilit shqiptar?

 -Unë përherë kam besuar se shqiptarët kanë ndërgjegje kombëtare më të formësuar se krerët, të cilët, historikisht, jo vetëm tani, janë përpjekur vetëm të kryer e kënaqur interesin vetjak se sa interesat kombëtare. Më shumë janë hakatur si ta mbajnë veten në pushtet e të mos e humbasin fuqinë e komandimit dhe të mbrojnë ato të mira që vijnë si dhuratë nga pushteti, se sa të venë interesin kombëtar si një qëllim primar, fisnik. Si në të kaluarën edhe tani, për fat të keq ne kemi rënë në duar të politikanëve zullumqarë e të babëzitur që janë gati të djegin jo vetëm jorganin, por edhe vendin, madje edhe ta shesin atë si një plaçkë tregu, mjaft që të mbeten në pushtet. Kjo është përsëritur shpesh në histori, por edhe së fundi, apo jo? Ne si popull nuk po gjejmë ato mjete demokratike, të cilat do të na mundësojnë të kufizojmë fuqinë, ambiciet, demagogjinë dhe megalomaninë e krerëve të tillë, për t’i vënë ata në kandarin e gjykimit të Drejtësisë, qoftë edhe nëpërmjet votës, që populli t’i heqë, t’i ndëshkojë, t’i përçmojë, t’i largojë kur e kupton se sa të dëmshëm janë. Fatkeqësisht krerët tanë e kanë lënë pushtetin kur janë detyruar që për rrethana historike, jashtë vullnetit të tyre, të arratisen, të ikin e të mos kthehen më në atdhe.

 – Më bëri përshtypje, që, kur Kryeministri, në ceremoninë e përurimit të shtatores së Zogut në Tiranë, iu drejtua nipit të Zogut si “princi i Shqipërisë”, askush, as opozita, as media, as konstitucionalët nuk kanë reaguar, pasi Kryeministri shkel Kushtetutën e Republikës, duke i atribuuar dikujt titullin “princ i Shqipërisë”. Përse dëftohemi gojëkyçur?

– E gjithë kjo parodi, e gjithë kjo farsë që po bëhet me Zogun, duke i ngritur monument atij/atyre që i kanë bërë dëme të pashlyeshme, madje edhe tradhti Atdheut, është një fyerje e një atentat që i bëhet kujtesës së popullit shqiptar. Ata që kanë në dorë sot qeverisjen, duke bërë butafori të tilla me historinë nuk kanë nxjerrë mësim as nga rastet e shembjes së monumenteve të diktatorëve, që ngrihen e rrëzohen, që shemben nga populli. Por është më shumë se një akt sfidues kjo që përmendët ju, që Kryeministri i një vendi, që quhet demokratik, i drejtohet dikujt me titullin “princ i Shqipërisë”, kur Kushtetuta e përcakton qartë se ne jemi Republikë parlamentare. Mos dëshmon kjo që ky Kryeministër aspiron monarkinë edhe de jure? Është e trishtueshme ta hamendësosh këtë pandehmë! Fakti që shtatorja e Zogut u ngrit në përvjetorin e 88-të kur ky më 24 dhjetor 1924 përmbysi qeverinë demokratike të Nolit me mercenarë serbë e bjellogardistë, e bën simbolikën e shtatores së Zogut të duket më ndjellakeqe se çdo ceremoni. Kjo sfidë  u bë e qëllimshme, jo vetëm ndaj shqiptarëve demokratë antizogistë, por ndaj historisë, ndaj dinjitetit kombëtar, duke përmbysur sistemin e vlerave e të personaliteteve të historisë. Kjo përpjekje është bërë, ndoshta, për t’i hapur rrugë vetes, që ashtu si ndodhi pas 88 vjetësh, kur edhe pushtetarët e sotëm të humbasin me turp pushtetin, të rikthehen si Zogu.  Janë pra paralele të dukshme e të prekshme.

 -Ku është rrënja e konfliktualitetit politik, muri ndarës i shqiptarëve, i Shqipërisë me familjen Evropiane?

– Muri ndarës nuk është ideologjik, nuk është kulturor, por politik. Është muri ndarës që kanë patur edhe bajraktarët e bejluçinat në të shkuarën e afërt. Është e njëjta mendësi: krerët partiakë duan të sundojnë me çdo çmim, pavarësisht nga territori që kanë patur. Esad Pasha mjaftohej me pellgun e Durrësit, krahinat e tjera i kishte shitur, i kishte falur te Serbia, Greqia e Mali i Zi. Haxhi Qamili, kur sundonte në këtë zonë, ka thënë këtë frazë për Princ Vidin: “Nuk pyes për Europën, sa kohë kam me vete Shijakun”. Edhe sot, me këtë mendësi gjykohet. Kjo gjë e mëkon dhe e ushqen konfliktualitetin, duke mos lënë, hë për hë, ndonjë shpresë se mund të kemi ndryshim të shpejtë që shoqëria të hyjë, më në fund,  në rrjedhën e normalitetit të munguar.

 – Sa të (pa)ndërgjegjshme janë forcat politike për të (mos)ndërtuar themelet e vërteta demokratike për të mirën e shqiptarëve përderisa në këto vite tranzicioni jetojmë akoma në parademokraci?

-Kryetarët e partive mund të bëjnë programe, mund të flasin për integrimin, për dashurinë kombëtare, për demokracinë, meqë jemi edhe në fushatë, për luftën kundër korrupsionit e krimit. Kush e dëgjoi dje Berishën në fjalërimin diarreik të tij mes sukseseve e “vende të para në botë”, po ta besojë, duhet t’i krijohet iluzioni se shqiptarët janë jetojnë në vendin më të lumtur të botës!… Jemi tejngopur me këto slogane, gënjeshtra e shifra të rreme. Jam i bindur se shumica e qytetarëve e kanë kuptuar tashmë se krerët aktualë partiakë bëjnë të kundërtën: ata që flasin kundër korrupsionit janë autorët e korrupsionit, ata që na premtojnë Eldoradon janë shkaktarë të kësaj situate të vështirë e dramatike, që po zgjatet dhe po e lë Shqipërinë në një lëngim të gjatë.

 -Ju shikoni ndonjë reflektim për të mirë, në debatin e sotëm që forcat politike i referohen shkaqeve të dështimit?

 – Nuk kam parë asnjë rast të tillë, përkundrazi, ajo që mbizotëron në gjithë debatin e sotëm, gjoja politik, është sesi t’i lënë kopilin e dështimit në derë njeri-tjetrit.

 – Cila është alternativa që u shtrohet tashmë shqiptarëve, duke patur dekor edhe zgjedhjet e 2013-s?

– Duke i mbetur besnik atyre që thashë, që premtimet, programet, ligjëratat, shiritat përurues, asfalti, akuzat e sharjet e ndërsjella, mashtrimet elektorale, shqiptarët do t’u besojmë më pak se në fillimet e demokracisë… Një gjë dëshiroj: që koalicioni fitues të premtojë se do të bëjë të pamundurën që të ndryshojë këtë situatë, se do të përmbysë këtë sistem të vjedhjes, të mashtrimit, të pabarazisë e të korrupsionit të instaluar në të gjithë piramidën shtetërore e shoqërore. Fushata e nesërme duhet të ketë vetëm një pol, vetëm një synim, vetëm një premtim: që përgjegjësit e këtij sistemi: ata që kanë bërë korrupsion, ata që janë pasuruar nga pushteti, ata që kanë penguar e dëmtuar mjedisin, pasuritë kombëtare e publike, ata që kanë penguar, dëmtuar e vonuar integrimin e të mirën e Shqipërisë, ata që kanë bërë krime politike, ata që kanë pushkatuar njerëz në demonstrim, ata që kanë hedhur në erë Gërdecin, ata që janë bërë miliarderë, ata që vazhdojnë të na mbajnë peng…do të ndëshkohen. Të mos ndodhë më ajo që ndodhi në vitin 1997, kur Berisha dhe ata që shkatërruan Shqipërinë, ata që gati sa nuk na hodhën në luftë civile, u falën dhe u amnistuan ose ata që morën fituan u mjaftuan me marrjen e pushtetit… Përgjegjësit e vitit të mbrapshtë, ku u vranë mijëra shqiptarë, jo vetëm që mbetën të pa ndëshkuar, por ku la mundësia të riciklohen, të rikthehen, të rimarrin pushtetin dhe të bëjnë të njëjtat zullume… Kjo nuk duhet të ndodhë më…Prandaj them që kryefjala e fushatës së nesërme duhet të jetë lufta e pandëshkueshmërisë, përpjekja për barazi të të gjithë qytetarëve para ligjit! Gjithçka tjetër është fjalë, imzot, vetëm, fjalë!

 – Drejtuesit e PS-së shtrojnë si domosdoshmëri të fitores elektorale aleancën me LSI-në, kur dihet që LSI-ja është pjesë e kësaj maxhorance, përgjegjëse e këtij korrupsioni. A ka kuptim politik të kërkosh koalicion me një palë politike përgjegjëse të korrupsionit?

Këto janë taktika që përdoren për diversion të ndërsjellë. Nuk e besoj që PS-ja të hyjë në koalicion me LSI-në. Nuk besoj se po hyri LSI-ja në koalicion me PS-në do të krijojë një shumatore të fitores së zgjedhjeve. Nuk e besoj se LSI-së i leverdis të ndahet nga PD-ja dhe se PS-së i leverdis të hyjë në koalicion me LSI-në. Sepse LSI-ja prej katër vitesh është pjesë e qeverisë pavarësisht nga ndonjë mospërputhje e vogël që bëhet vetëm për të krijuar në aparencë një identitet më ndryshe, për të thithur sa më shumë zgjedhës. Por fushata nuk do të bëhet vetëm duke premtuar koalicione të gjëra, për të siguruar ca më shumë vota. Unë besoj se do të fitojë ai koalicion që do të realizojë një fushatë të ndershme e të besueshme me këtë synim të qartë: do të luftohet krimi dhe korrupsioni politik jo me fjalë, por me vepra, me shembuj dhe me emra konkretë! Jemi lodhur me gënjeshtra! Nuk ka në Ballkan popull më të lodhur nga mashtrimet…Mjaft kanë ikur në drejtim të paditur fajtorët, të cilët pasi kujtojnë se i kanë larë duart e fytyrën me harresën tonë, kthehen në pushtet si shpëtimtarë, si engjëllorë…. E di që është shumë e vështirë që ky sistem i ndërtuar në Shqipëri të mund të çmontohet  shpejt e lehtë, ashtu si kam frikë që ata që janë zotërit e krijuesit këtij “sistemi” zinxhir të korrupsionit të pranojnë të kryhet një rrotacion i qetë. E di gjithashtu se gjëja më e vështirë pas 23 qershorit do të jetë çrrënjosja e këtij sistemi korrupsioni që fillon  nga kreu i piramidës e deri poshtë. Në asnjë derë administrate, shkolle, spitali, bashkie, kadastre, policie, etj sot nuk gjen dot  zgjidhje, po qe se nuk ke lidhje nepotike, partiake, klanore, farefisnore, një teser partie, një mik, një numër celulari, një zarf të gatshëm.

  – Duket sikur ka fituar terren mendimi se duhet të bashkohen të gjitha forcat opozitare pavarësisht nga divergjencat ideologjike, për të garantuar shumatoren fituese në zgjedhje… Ju, si e konceptoni këtë ide?

Mund të bëhet një koalicion i gjerë, me qëllim që të kryhet një rotacion i butë politik. Por koalicioni nuk mund dhe nuk duhet të  bëhet duke mbledhur “të gjithë qelbësirat”, mjaft që të përmbyset Saliu…Një përmbysje e tillë nuk u duhet shqiptarëve. Nuk u duhet largimi i ca “qelbësirave” për të ardhur ca të tjerë, pasi 22 vjet në këtë tranzicion të pafund kanë mbjellë shumë zhgënjim e mosbesim, ndaj humbja edhe e një shansi tjetër ka për të qenë vërtet mjerim! Është domosdoshmëri të bëhet rrotacion, por jo rrotacion mekanik, të largohet një palë e të vijë një tjetër, të ikë ujku e të vijë çakalli. Deri tani nuk e shoh, nuk e dëgjoj këtë premtim; për fat të keq vazhdon lufta me batuta, me Twitter e me  Facebook, del një zëdhënëse e i përgjigjet një tjetër zëdhënëse. Opozita duhet të premtojë se do të bëjë një rrotacion në përmbajtje e jo në formë, pa premtuar lugën e florinjtë, siç u premtua këto 20 vjet. Ne na lipset një shoqëri normale, e drejtë, me qytetarë të barabartë e shpresëplotë.

 – Ajo që bën përshtypje është mosreagimi, mungesa e oponencës shoqërore ndaj reaksionit negativ të politikës pengesë integruese. Ku ta kërkojmë fajin e pasivitetit shoqëror?

– Është e vërtetë që tek ne opinioni publik duket i dobët, i fjetur, i flashkët, opinion publik që nuk ka as fuqi dhe as besim se mund të ndikojë te politika dhe te krerët, të cilët na trajtojnë si enë bosh, të destinuara për t’u mbushur me broçkullat e tyre. Por nuk është e vërtetë që tek ne nuk ka opinion publik, se ai, si thuhet, ka lindur i vdekur, se ende “nuk na ka ngordhur lepuri në bark” për shkak të trashëgimisë sonë të gjatë nën diktaturë. Opinioni publik është orvatur shpesh të përballet, por ai është vrarë, është denatyruar, është lodhur, është zhgënjyer. Mos harroni se u vranë katër njerëz te dera e qeverisë! Shihni çfarë ndodhi me ish të përndjekurit politikë, që kishin një status të veçantë: dukej sikur nuk do të guxonte parti e qeveri t’i prekte ata në këto 20 vjet, pasi do të identifikohej automatikisht me diktaturën. E pra, e pamë sesi ata jo vetëm që u poshtëruan, por u lanë madje të digjeshin publikisht në mes të Tiranës. Në këto kushte, ç’mund të bëjë një qytetar i vetmuar?

 – Edhe pse ndodhi vetëmohimi, sërish, shoqëria jonë reagoi dobët

Sepse ka një humnerë të thiktë midis qytetarit e pushtetit. Shumë qytetarë nuk besojnë se mund të ndryshojë kjo qeveri me protesta, peticione e reagime qytetare. As me bllokim rrugësh. Nuk vjen ndryshimi në qoftë se qytetari nuk ka besim se duke reaguar, duke bërë protesta, manifestime, apo edhe me opinione në shtyp, diçka mund të ndryshojë. Nuk ndodh në asnjë vend tjetër demokratik kjo që ndodh me qeverinë tonë: nuk përgjigjet për asnjë lloj akuze, duke zbatuar kështu parimin e vjetër “bjerini legenit ju”…Gjithë kjo e ka flashkur, e ka tulatur opinionin publik, e ka nxjerrë jashtë loje…“Qentë le të lehin, karvani i qeverisë shkon përpara!”.

 – Atëherë, mos vallë ndodh te shoqëria jonë, ajo frymë, që të përshtatet me të keqen, në pamundësi të zgjidhjeve të tjera?

– Pajtimi me të keqen, dorëzimi pa kushte në dëshpërim e pafuqi është faza më e ulët e mjerimit. Shumë qytetarë janë të bindur se nuk mund të ndryshohet sistemi i korrupsionit me fjalë, me protesta. Tashmë ka një mur të betonuar të qeverisjes, të qeverisë, të partive politike, i cili nuk shembet dot nga opinioni publik. Madje ka nga ata që nuk besojnë se mund të shembet edhe me vota, pasi dyshojnë që Berisha do të ketë “një plan” për të mbetur në pushtet…Ky dyshim i disfavorshëm duhet shembur para se të bëhen zgjedhjet. Duke patur në duar jo vetëm levat e pushtetit dhe jo pak ristanër kjo do të jetë e vështirë, por nëse opinioni publik  bindet se ata që kanë bërë zullume do të ndëshkohen, ky mur ndarës midis qytetarëve e qeveritarëve do të shembet si një mur prej letre…Ky mur i ngritur midis qeverisjes dhe qytetarit, mes interesit publik dhe vetjak, mes votës dhe numërimit, mes fjalës dhe veprës, mes Ligjit dhe Maliqit është dëmi më i madh që i është bërë demokracisë dhe moralit shoqëror.

 – A nuk sillet politika jonë si një fëmijë kapriçoz edhe ndaj apelit të ndërkombëtarëve për zgjedhje të ndershme, kur ngërçi politik tensionon klimën politike edhe në KQZ, duke vënë që në fillim në dyshim besueshmërinë e zgjedhjeve?

– Kjo është një lojë e qëllimshme e cila është bërë traditë…Vetëm kështu me ngërç, me sherre, me tensione, në konflikt, ata mund të mbeten në pushtet. Nuk kanë rrugë tjetër, nuk mund të sillen ndryshe nga ç’janë; tekefundit, pavarësisht nga emrat që u kanë vënë partive apo sistemeve politike, ata janë njëlloj bajraktarë. E dinë se po ndryshuan do të humbasin pushtetin, do të humbasin votat dhe favoret, taborret, oborret dhe ofiqet…Nganjëherë dyshoj se edhe integrimi nuk u intereson. Se, nëse Shqipëria do të demokratizohet e do të integrohet përsëmbari në BE, paria e sotme politike do të detyrohet të zbatojë standardet demokratike. Por ama kështu do të jenë më të dobët, do të kenë më pak pushtet të pakufizuar e të pakontrolluar, më pak mundësi për të vjedhur e për të bërë autoritarizëm. Një integrim i vërtetë i Shqipërisë do ta nxirrte këtë klasë politike jashtë loje. Ka ardhur koha ta kuptojmë se nuk mund të funksionojë e të integrohet Shqipëria me këtë klasë politike të prapambetur, bajraktarërore, shpesh edhe antikombëtare që kemi sot.

Monarki de jure e Kryeministrit

Por është më shumë se një akt sfidues kjo që përmendët ju, që Kryeministri i një vendi, që quhet demokratik, i drejtohet dikujt me titullin “princ i Shqipërisë”, kur Kushtetuta e përcakton qartë se ne jemi Republikë parlamentare. Mos dëshmon kjo që ky Kryeministër aspiron monarkinë edhe de jure? Është e trishtueshme ta hamendësosh këtë pandehmë! Fakti që shtatorja e Zogut u ngrit në përvjetorin e 88-të kur ky më 24 dhjetor 1924 përmbysi qeverinë demokratike të Nolit me mercenarë serbë e bjellogardistë, e bën simbolikën e shtatores së Zogut të duket më ndjellakeqe se çdo ceremoni. Kjo sfidë  u bë e qëllimshme, jo vetëm ndaj shqiptarëve demokratë antizogistë, por ndaj historisë, ndaj dinjitetit kombëtar, duke përmbysur sistemin e vlerave e të personaliteteve të historisë. Kjo përpjekje është bërë, ndoshta, për t’i hapur rrugë vetes, që ashtu si ndodhi pas 88 vjetësh, kur edhe pushtetarët e sotëm të humbasin me turp pushtetin, të rikthehen si Zogu.  Janë pra paralele të dukshme e të prekshme.

  – Ju faleminderit!